Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Varësia nga blerjet online, një çrregullim i shëndetit mendor

Varësia nga blerjet online, një çrregullim i shëndetit mendor
November 16
18:29 2019

Të jesh i varur nga blerjet online, apo “në rrjet” siç do ta thonim shqip, tashmë mund të konsiderohet një çrregullim i shëndetit mendor, ose të paktën kështu janë duke argumentuar grupe të ndryshme psikologësh.

Studiuesit kanë arritur në përfundimin se falë punës kërkimore, mund të dallojnë simptoma të veçanta dhe karakteristika të këtij çrregullimi dhe si ndikon në mendjen e njerëzve.

BSD, çrregullimi i blerjeve-pazareve (buying-shopping disorder), është i njohur prej dekadash, megjithatë është duke marrë një kuptim të ri në epokën e internetit, duke prekur 1 në 20 njerëz.

Njerëzit e fiksuar me blerjet online mund të përfundojnë duke i grumbulluar gjërat që porosisin, në borxhe, duke debatuar shpesh me njerëzit e afërt dhe duke humbur vetëkontrollin.

“Është koha që BSD-ja të njihet si një çrregullim mendor i veçuar nga të tjerët dhe të shtohet kërkimi në lidhje me atë që ndodh në internet.”-shprehet Dr.Astrid Muller.

Kjo e fundit është një nga terapistet e Spitalit të Hannover në Gjermani dhe së bashku me koleget e saj është e mendimit që kjo gjendje ka kaluar pa u vënë re për një kohë të gjatë. Nga një studim, ku u panë të dhëna nga 122 pacientë që kishin kërkuar ndihmë për varësinë nga blerjet online, u vu re një shtim i shenjave të ankthit dhe të depresionit.

Ekspertët argumentojnë se rritja në numër e dyqaneve online, aplikacioneve dhe mënyrës së shpërndarjes, i ka dhënë një dimension tjetër termit “shopaholic”. Interneti mundëson blerjen e gjërave në mënyrë anonime, rrit mundësitë dhe mbi të gjitha shkurton kostot. Dyqanet në internet punojnë 24 orë në ditë, njerëzit nuk kanë pse të lëvizin fizikisht, nuk komunikojnë me shitësit dhe s’kanë për të transportuar gjë. Gjithashtu interneti ka bërë që një numër i madh të rinjsh të vuajnë nga BDS.

Ndërkohë kjo gjendje nuk studiohet dhe as trajtohet më vete, por si pjesë e “çrregullimeve specifike të kontrollit dhe impulseve”. 5% e njerëzve në botë preken nga simptomat e saj, megjithatë numri është në rritje si pasojë e internetit. /Blitz.al/

Burimi: Daily Mail

Share