Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Të uroj mjaftueshëm!” – fjalët prekëse të një nëne në aeroport

“Të uroj mjaftueshëm!” – fjalët prekëse të një nëne në aeroport
April 25
11:03 2016

Të uroj mjaftueshëm!

Aeroportet janë vendet ku shihen përqafimet më të sinqerta, lot zemre dhe shikime që mund të përkthehen në shumë fjalë.

Një nga këto çaste përjetova edhe unë, teksa përballë kisha një pamje rrëqethëse. Cili film në botë do të mund të prodhonte aq natyralisht atë që po shihja në jetën reale?

Një nënë e moshuar dhe vajza e saj po qëndronin të dyja të përqafuara pranë zonës së kontrolleve të aeroportit. Në një moment, nëna ndahet nga përqafimi dhe gati-gati bërtet nga zemra: “Të uroj mjaftueshëm bijë!”. Menjëherë vajza iu përgjigj: “Mama, jeta jonë së bashku ka qenë më shumë se mjaftueshëm, dashuria jote është gjithçka për të cilën kam pasur nevojë. Edhe unë të uroj mjaftueshëm nënë!”. Pasi u puthën edhe njëherë, vajza u largua…

E mbuluar nga lotët, nëna e moshuar rastësisht erdhi pranë meje. Duke e parë ashtu, e dija që ajo kishte nevojë të shfryhej sepse sytë i ishin mbushur nga lotët që mbante përbrenda, por nuk doja të ndërhyja në atë privatësi të shenjtë. Ajo vetë u kthye nga unë dhe më tha: “Ke provuar t’i thuash dikujt që do me gjithë zemër, ndoshta më shumë se veten, lamtumirë?”. Unë i përgjigjem rrëmbimthi: “Kërkoj ndjesë që ju pyes, por ajo është vajza juaj, pse po i thoni lamtumirë përgjithmonë?” Lotët që po përpiqej të mbante nuk iu bindën dhe në një shpërthim ndjesor, mes dridhjesh dhe dhembjes, ajo m’u përgjigj: “Jam shumë e vjetër dhe ajo jeton shumë larg, kam shumë vështirësi shëndetësore dhe me shumë mundësi herën tjetër që ajo do të kthehet, do të jetë për funeralin tim…”.

“Kur ju po përshëndeteshit përdorët një urim të pazakontë: “Të uroj mjaftueshëm”. Mund ta di kuptimin?” – e pyeta unë gjithë kërshëri. Ajo filloi të buzëqeshte me sytë që i shkëlqenin prej lotëve. “Ky është një urim që e kemi kaluar brez pas brezi. Prindërit ma kanë thënë gjithmonë…”. Ajo ndaloi për një moment, sikur donte të përjetonte edhe njëherë gjithçka dhe buzëqeshi edhe më shumë. “Kur themi “të uroj mjaftueshëm” ne i dëshirojmë personit që duam mjaftueshëm gjëra të mira në jetë, për të jetuar jetën që dëshiron. Mjaftueshëm është më mirë se gjithçka, ja përse…

Të uroj mjaftueshëm diell për të ndriçuar rrugën tënde, mjaftueshëm shi për ta ditur vlerën e diellit, mjaftueshëm kënaqësi për të mbajtur shpirtin gjallë, mjaftueshëm mërzi që t’u njihet vlera kënaqësive, mjaftueshëm fitore për të kënaqur sedrën, mjaftueshëm humbje për të ditur vlerën e suksesit, mjaftueshëm përshëndetje për të mundur çdo lamtumirë”, – tha ajo teksa qante dhe u largua me hapa të ngadaltë.

Thonë se duhet vetëm një minutë për të njohur një njeri të veçantë, një orë për ta vlerësuar atë, një ditë për ta dashur dhe një jetë e tërë për ta harruar…

Bob Perks e ka shkruar këtë disa vite më parë. Në versionin e tij, vajza përqafohet me të atin, por gjithkush që jeton larg prindërve mund ta gjejë veten në të. “Të uroj mjaftueshëm!” është kthyer në statusin më prekës në rrjetet sociale.

 

 

Shperndaje