Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sa prekëse! Babai i shkruan një letër vogëlushes së tij për partnerin e saj të ardhshëm…

Sa prekëse! Babai i shkruan një letër vogëlushes së tij për partnerin e saj të ardhshëm…
October 05
13:05 2016

E dashur  vogëlushja ime e ëmbël,

Kohët e fundit, unë dhe mamaja jote kemi qenë duke kërkuar në Google për disa punë tonat dhe kemi vënë re se një nga pyetjet që shtrohet më së shumti në kërkesat në Google është: “Si ta bëj atë të ndihet i interesuar?”

Me thënë të drejtën u mërzita shumë. Hapa një shumësi artikujsh që flisnin se si një vajzë duhej të vishej seksi për partnerin e saj, apo kur duhej t’i sillte birrën e kur një sanduiç – me pak fjalë të gjitha gjërat që ajo duhej të bënte për ta bërë mashkullin e saj të ndihej më mirë, më i zgjuar dhe më superior.

U nxeha pa masë!

Vogëlushja ime…

Nuk është dhe nuk do të jetë asnjëherë detyra jote që ta mbash mashkullin të interesuar te ti.

Vogëlushja ime…

E vetmja detyrë e jotja është që ta dish brenda shpirtit tënd se ti vlen shumë! (Nëse do ta dish që vlen, e ke fituar betejën me botën, por këtë do ta shpjegoj në një letër tjetër.)

Nëse ke besim te vetja, ti do jesh shumë atraktive jo vetëm për meshkujt, por për të gjithë. Ti do të jesh atraktive për një mashkull që jo vetëm do të jetë i interesuar për ty, por do të dojë të kalojë gjithë jetën duke investuar mbi interesin për ty.

Vogëlushja ime…

E kam fjalën për një mashkull që nuk ka nevojë për lojëra që ti të jesh interesante për të, sepse ai do ta dijë se ti je dhe do ta çmojë këtë!

Nuk më intereson nëse ai qëndron me turinj në tavolinë, mua më intereson që të të shohë ty me sytë e dashurisë. Nuk më intereson nëse nuk vjen të luajë golf me mua, mua më intereson që ai të luajë me fëmijët që të dy bashkë do të keni. Nuk më intereson nëse ai pëlqen të bëjë të fortin me mua, më intereson vetëm që të jetë i fortë mjaftueshëm për të mbajtur zemrën tënde. Nuk më intereson se kë voton në zgjedhje, më mjafton të të zgjedhë ty gjithnjë, çdo ditë. Nuk më intereson çfarë ngjyre ka lëkura e tij, më intereson që pikturën e jetës tuaj ai ta pikturojë me ngjyra të ndezura. Nuk më intereson se në çfarë beson apo nuk beson, për aq kohë sa ai është rritur me vlerën se çdo ditë që do të kalojë pranë teje do të jetë një ditë plot shpresë dhe dashuri.

Në fund të fundit, shpirti i babit, nëse ai i ka të gjitha këto, por nuk ka asgjë të përbashkët me mua, ti mos u mërzit! Ne do të kemi të përbashkët gjënë më të çmuar: ty!

Sepse vogëlushja ime, e vetja gjë që ti duhet të bësh për ta mbajtur atë të interesuar është të jesh kjo që je.

Dhe këtë po ta thotë dikush që do të jetë përjetësisht i interesuar ndaj teje,

babushi yt.

(Autor: Dr. Kelly Flangan)

 

Shperndaje