Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sa “followers” kam? Pyetja e rrezikshme që po shkatërron egon e secilit prej nesh

Sa “followers” kam? Pyetja e rrezikshme që po shkatërron egon e secilit prej nesh
November 21
11:46 2016

Historinë e Narcizit, që pa veten të pasqyruar në ujë, u dashurua marrëzisht pas imazhit të tij dhe duke u zgjatur për ta prekur dhe shtrënguar ra në ujë e u mbyt besoj se e kujtoni të gjithë. Aty në breg ku i riu humbi jetën mbiu një lule që mori emrin e tij.

Në psikologjinë e epokës dixhitale, një nga temat më të shpeshta është ajo e narcizismit. Që nga fundi i viteve ’70, Christopher Lasch shpjegoi se si jeta jonë do të kthehej në një individualizëm të përhapur në të gjitha nivelet; e vetmja gjë që nuk parashikoi dot ishte “sindroma “selfie” apo Instagram”. Në 2007, Jean Twenge, psikologe e universitetit të San Diegos, i pagëzoi të rinjtë e Amerikës me emërtimin “gjenerata e unit” . Që nga viti 1980 e deri më sot, “epidemia narcizisëm” është shtuar me të njëjtin ritëm si obeziteti. Edhe në Europë, një numër i madh studimesh e përshkruan narcizismin si një lloj metafore bashkëkohore. “Unë, unë, unë” është një triumf ngado, në TV, në gazeta, në web, në jetën e përditshme.

Është tërësisht e dukshme që teknologjia funksionon si instrument për vetëvlerësimin personal dhe numri i “like” – ve dhe e “folloëer” mat shkallën e kënaqësisë për të interesuarin. Psikologët janë të shqetësuar sepse kjo “epidemi narcizismi” pengon zhvillimin korrekt të ndjenjave dhe emocioneve. Kemi të bëjmë me një proces depersonalizimi që duket sikur nuk u vë fre limiteve njerëzore. Po ushqehet një botë iluzioni dhe joreale e karakterizuar nga një preokupim i ekzagjeruar për imazhin dhe përdorim të trupit si fetish.

Pikërisht në pamundësinë për të përcaktuar limite, të rinjtë modernë si Narcizi i gjorë mbeten në kurthin e imazhit të vetes, të hipnotizuar nga “bukuria” e tyre, të përhumbur mes “selfie” – ve dhe “like” – ve, pa mundur dot të njohin thellësisht veten.

Duhet shtuar këtu edhe fakti që identitetin tonë e ndërtojmë vetëm nëpërmjet kontaktit me tjetrin. Duke pasur vetëm raporte virtuale dhe me instrumente teknologjike ndërtojmë një identitet të bazuar në iluzion, identitet të thyeshëm, ndoshta të bukur , por të zbrazët…

Po Lusy (personazhi vizatimor te “Peanuts”), vajza thartiçkë, e sertë, hiperkritike dhe zevzeke, ju kujtohet? Po, po, Lusy që i drejtohej mikut Charlie Brown me ton përçmues dhe gjithë sarkazëm për ta bërë të duket qesharak për dobësitë e tij. Edhe për të vëllanë e saj, Linus, nuk ka pothuajse fare empati dhe nuk i bëhet vonë që e lëndon me sjelljen e saj.

Është tejet e zënë Lusy duke kërkuar që të tjerët ta admirojnë, të konfirmojnë që është e bukur dhe inteligjente me qëllim që të forcojë idenë e madhështisë për veten. E për më tepër është e pandjeshme ndaj kritikave dhe gjykimeve të të tjerëve dhe preferon më shumë të japë këshilla sesa të marrë.

Ka shumë tipare të karakterit të Lusy-t, që duket se shkojnë drejt një çrregullimi narcistik të personalitetit, por gjenialiteti i autorit Schulz dhe aftësia e tij për të shpalosur tipare të tilla në një mënyrë dëfryese dhe plot ironi na bën gjithsesi të provojmë një farë simpatie për të. Kjo simpati më nxit ta “shpëtoj” nga diagnoza që i kanë vënë më sipër.

Po e përfundoj me mburrjet dhe vetëlëvdatat që ajo i atribuon vetes: “E diagnostikova jetën time dhe e gjeta pa asnjë kleçkë. Prandaj do të organizoj një ceremoni në të cilën do t’i jap vetes një medalje. Më pas do të mbaj një fjalim vetëmirënjohës dhe pastaj do të shkoj të falënderoj veten time… Eh, kështu është kur je perfekte, duhet t’i bësh të gjitha vetë!

Nga: Psikologia.com

Komento
Shperndaje