Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pse të gjithë artistët shqiptarë po rikthejnë këngët e njohura të viteve më parë?

Pse të gjithë artistët shqiptarë po rikthejnë këngët e njohura të viteve më parë?
June 11
17:12 2019

Sepse është e thjeshtë, e panë që ecin në treg dhe dëgjohen“- do thoshte më skeptiku i atyre që ndjekin muzikën shqiptare. Dhe në fakt kjo është e vërtetë, por nuk është arsyeja e vetme se pse këngëtarët më të njohur shqiptarë, së fundmi janë duke publikuar versionet e tyre të përpunuara të këngëve të vjetra shqiptare.

Nëse po vrisni mendjen se cilat janë, epo atëherë nuk dëgjoni këngë shqip, sepse vetëm muajin e fundit janë publikuar 3 të tilla. Fillimisht producenti Cricket, ndoqi shembullin e Arnon dhe Killua që në prag të verës së kaluar nxorrën remix-in e “Te Molla”, dhe nxorri versionin e tij, të një prej këngëve më të njohura të Shyhrete Behlulit, “Ende e dua”. Me notat e duhura dhe vetëm me refrenin e këngës që përsëritet, duke u nisur nga klikimet dhe nga fakti që kënga dëgjohet gjithandej, remix-i i Cricket është dhe do të jetë kënga e verës.

Ndërkohë ishte Capital T që nxorri një version të ri të këngës “200 ditë”, së bashku me grupin që e krijoi, TNT.

Grupi i njohur i rrokut shqiptar, një tjetër hit të padiskutueshëm të tyrin ja ka besuar Luana Vjollcës. Bjondina e famshme me sytë e zinj është remix-i rradhës që u publikua dhe që u bashkangjitet listës së rikthimeve. Dhe na bëhet qefi që TNT po shfaqen sërish.

Gjithsesi trendi i ripërpunimit apo e sjelljes së këngëve tashmë hit, popullore, të lehta ose rrok, nuk është diçka që nisi verën e kaluar. Era Istrefi si të thuash e hapi lojën duke sjellë “E dehun” (që meqë ra fjala, Gent Fatali pretendon se ka qenë ai që e ka nisur trendin piëkrisht me këtë këngë), Mc Kresha e vazhdoi me Era. Sërish Mc Kresha bashkë me Lyrical Son dhe Ledrin sollën Hip-Hop, një tjetër përpunim. Dhe mesa duket Mc Kresha i dashuron këngët e vjetra shqiptare sepse ka sjellë dhe “S’mund të jetoj pa ty’.

Më pas Ledri dhe Ermal Fejzullahu sollën “Fshatarja ime” etj etj etj, derisa erdhëm tek “Te Molla” e famshme dhe ato që e kanë pasuar.

Por përse këngëtarët po i preferojnë kaq shumë? Sepse është ajo që thamë më lart. Këto këngë janë tashmë hite dhe njerëzit i pëlqejnë ose i kanë të preferuarat e tyre. Nëse gjejnë mënyrën e duhur për ta përpunuar, disa nota të tingujve moderne, disa vokale të shtuara apo marrja vetëm e refrenit dhe fjalëve që njihen më shumë, dhe ja ku bëhet një këngë vere që mbi të gjitha nuk i humb orgjinalitetin asaj që tashmë është hit. Pra nuk mund të dështojnë, thuajse nuk mund të dështojnë. Është dhe punë komode për producnetët të cilët bazën më të madhe të muzikës dhe tekstit e kanë gati dhe nuk lodhen për të nxjerrë një projekt, që është i suksesshëm që pa u krijuar mirë. Dhe është fakt që njerëzit pëlqejnë më shumë këngët e vjetra, ato që i kanë dëgjaur gjatë fëmijërisë, gjatë një periudhe tjetër të jetës, ndoshta të rëndësishme për ta, ose kur sapo kisjin filluar të kultibonin shijet muzikore. Prandaj dhe remix-et i mirëpresin, është si një throwback. Dhe në fund, tani që loja është hapur, të duhet vetëm të gjesh artistin e duhur (merrni shembull Rinën që po bën një remix të një prej këngëve të Adelina Ismajlit) për të krijuar “fiksimin e rradhës”. Edhe nëse nuk pëlqehesh sa të lartëpërmendurit, do të dëgjohesh dhe kënga jote do të vihet re.

Vetëm mos u bëni dembela dhe të filloni të nxirrni çdo muaj versione të reja të këngëve të vjetra. Mos lejoni që ky trend t’ju humbasë origjinalitetin dhe të mbaheni mend si këngëtari që bëri një remix të kësaj kënge. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje