Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Pse princeshat nuk mbajnë syze?”- 9 vjeçarja i dërgon një letër kompanisë “Disney”

“Pse princeshat nuk mbajnë syze?”- 9 vjeçarja i dërgon një letër kompanisë “Disney”
February 03
20:35 2019

Lowri Moore, e cila ka mbajtur syze që kur ka qenë 1 vjeç, i ka shkruar një letër CEO-së së Disney, Robert Iger, për ti kërkuar që më shumë personazhe të tyre të duken si ajo.

9 vjeçarja nga Nottingham, tha se princeshat e Disney-t asnjëherë nuk vendosin syze, e kjo e ka bërë të ndihet jo të bukur mjaftueshëm. Prandaj ajo vendosi ti hedhë në letër këto mendime dhe mbi të gjitha të pyesi CEO-në e kompanisë se pse në filmat e tyre, ata që vendosin syze janë “nerd”-at, ndryshe “të çuditshmit”.

Në të kaluarën Lowri kishte mësuar që në shfaqjet e shkollave ti luante rolet e princeshave pa syze, edhe pse kjo do të thoshte që gjatë gjithë kohës nuk mund ti shihte shoqet e saj. Por më pas ajo mësoi si ta pranonte veten kështu siç është, por dëshiron që vajzat e tjera si ajo të mos ndihen keq. “Doja ta shkruaja këtë letër për të bërë një ndryshim. Nuk dua që vajzat e tjera të mendojnë njejtë siç kam menduar unë. Kur isha më e vogël, hiqja syzet që të dukesha si princeshë. Tani jam rritur mjaftueshëm për ta kuptuar se jam e bukur edhe me syze, por më vjen keq për vajzat e tjera që ndoshta ende s’e kanë kuptuar.”- shprehet Lowri.

Ndërkohë prindërit e saj nuk habiten aspak me letrën që ajo i ka dërguar Disney-t duke thënë se: “Në të kaluarën ajo thoshte gjithë kohën që nuk donte ti vendoste syzet. Ne i thonim gjatë gjithë kohës dhe ende i themi që është shumë e bukur, brenda dhe jashtë, e se syzet nuk bëjnë asnjë ndryshim në pamjen e saj. Ajo ka një zemër të mirë dhe do të kujdeset për të gjithë, prandaj shpresojmë që letra e vajzës tonë të mos kalojë pa u vënë re. “

Lowri tani po pret që të marrë një përgjigje nga Disney, e më mirë akoma, që kompania të vendosë që të zhvillojë disa personazhe të rinj në mënyrë që të gjithë fëmijët të ndihen më të përfaqësuar. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje