Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pse i dua dasmat “e lodhshme” shqiptare?

Pse i dua dasmat “e lodhshme” shqiptare?
August 29
18:31 2019

E di që sa të shihni titullin e mandej kur ta lexoni, do mendoni se ky artikull është si një përgjigje ndaj një gazetareje që para pak ditësh kishte shkruar pse i urrente dasmat patetike shqiptare. Më lejoni t’jua ndërpres hamëndesimet dhe t’ju them që nuk vjen si pasojë e atij shkrimi, por vjen nga pjesëmarja rishtazi në një dasëm Shkodre, ku isha pjesë e nderuar e tavolinës së “shoqnisë”. Plus që artikulli mbi arsyet pse gazetarja urrente dasmat nuk është se tregonte ndonjë gjë që nuk shkonte me këto organizime festive tradicionale shqiptare, thjesht tregonte që autores nuk i pëlqenin këngët popullore dhe është tip antisocial, kështu që s’ke ç’i kundërshton.

Gjithsesi për të kaluar në temë, i kam quajtur të lodhshme sepse në fakt janë vërtet të lodhshme. Për çiftin që martohet, për familjarët, për të ftuarit dhe për këdo që përfshihet, megjithatë është e çuditshme që askush nga të sipërpërmendurit, nuk thotë asnjëherë “Sa u lodha!”. Okay, ndoshta e thonë dy persona po nuk po i themi këtu për arsye etike.

Në varësi të zonave dasmat fillojnë që 1 javë, 5 ditë apo 3 ditë para ditës së madhe, në shtëpitë respektive të dhëndrit dhe nuses, ku hapen dyert, kërcehet, këndohet, pihet dhe qeshet. Sepse për atë familje është një nga ditët më të gëzuara që po kalon për një farë kohe, është rast kur djemt e bijat që rrinë në emigrim janë kthyer për të marrë pjesë në lumturinë e vëllait/motrës që martohet, është kujtesë për ata komshinjtë që ndoshta s’i pëlqen dhe aq muzika popullore ose “bezdisen” për momentin, thua se vetë nuk do martohen e nuk do festojnë, se përtej streseve të ditës e 1000 gjërave që mund të shkojnë keq, do ketë dhe ditë me hare. Po fundja muzika, kërcimi dhe të qeshurat janë lajmërimi që çifti po bën se kanë gjetur njëri-tjetrin dhe po kurorëzojnë dashurinë e tyre. Dhe sigurisht kjo gjë më pëlqen.

Më pëlqejnë veçanërisht këngët që luhen në dasma, që nga “Ra faja prej fiku” e “Qyqeku”, e deri tek “Pogonishtja” apo “Ta ka bo gruja 8 me 2” (nuk dukem fare që jam nga Shqipëria Mesme”), secila me tekstin karakteristik që të gjithë i dinë pa përjashtim, që kanë instrumentat e veta specifike dhe notat e vështira për t’u luajtur, që tregojnë historinë e secilës trevë nga vinë dhe që bëjnë që të kërcejnë e të luajnë këmbët dhe ata që janë të stonuar e që me muzikën nuk kanë lidhje. Nuk më pëlqen por e dua faktin që në çdo dasëm, nga jugu në veri vihen këngë të çdo qyteti, jo vetëm për të respektuar të gjithë të ftuarit, por sepse dasma e një shkodrani apo vlonjati është dasma e gjithë Shqipërisë. Dua dhe të përmend ndoshta artistët më të nënvlerësuar dhe që shpesh i paragjykojnë me ternin “këngëtar dasmash”, po janë realisht të talentuar, për të kënduar dhe për të krijuar atmosferë. Mos flasim pastaj per klarinestin që është më i rëndësishëm në një dasëm, sa burri tezes që ka bërë kurse kërcimi kur ka qenë i vogël dhe mban gjallë atmosferën kur të gjithë janë duke u shplodhur.

Më pëlqen mënyra se si dasmat specifike kanë rregullat e tyre që pak a shumë të gjithë i dinë apo kanë informacion. Nisur nga numri i krushqve që vijnë, momentin kur duhet të vijnë, kush ngrihet i pari, kur e ka rradhën familja, shoqnia, kur largohen krushqit, kur digjet shamia beqarit (që për mua është një nga ritet më të bukura të dasmave në të gjithë botën), kur pritet torta e pafund gjëra të tjera, që në sa më shumë dasma të shkosh aq më shumë i mëson. Dasma është ndoshta organizmi që i ndiqen më shumë rregullat në Shqipëri, madje mua më duket sikur shqiptarët ndjekin më shumë rregullat e dasmës se sa ligjet, dhe kjo vjen ose se ndoshta njerëzit këtu me të vërtetë e duan kulturën dhe traditën e tyre, ose se nuk i duan fare ligjet, po kjo është temë tjetër.

Më pëlqen mënyra si vishen të ftuarit, fakti që shpenzojnë, kujdesen aq shumë që të duken sa më bukur, ndonjëherë disa e teprojnë jam dakord, por është thjesht mënyra se si ata mendojnë që duken bukur, pra mund t’ja vini shumë mirë fajin shijes së njerëzve jo traditës së dasmës. Më pëlqen mënyra se si vishet nusja, e pranojnë ose jo, vajzat e kanë menduar qoftë dhe njëherë gjatë jetës së tyre, që fëmijë, se si një ditë do të duken nuse dhe pavarësisht se secili mund të ketë shije të ndryshme, nusja në çdo dasëm është e bukur, është rrëzëllitëse, është mënyra se si kur ka qenë e vogël e ka menduar veten pranë atij që do, duke lidhur përjetë dashurinë e tyre. Më pëlqen dhe që dhëndri, që ditën e dasmës, nis të përpiqet të bëj gjëra që ndoshta dhe nuk di apo nuk do t’i bëj, por që tani “duhet” sepse ka një nuse në krah dhe vendimet dhe gjërat tani duhet t’i bëjë me kompromis apo në çift. Dasma është kursi i pari i martesës.

Dhe meqë përmendëm pjesën e shpenzimeve të veshjeve, përveç tyre më pëlqejnë qokat, jo se kur të martohem vetë të gjithë ata që “I kam hedh lekët” do mi kthejnë, por sepse ky zakon është tregues i asaj që jemi si njerëz, si shqiptarë. Që nuk kursehemi kurrë kur është fjala për gëzim, që jo vetëm në dasmat e familjarëve por edhe në ato të shoqërisë apo qoftë dhe në fejesat, qokën do ta lemë sepse tjetri ka organizuar diçka madhështore, sepse kjo është mënyra që përveçse me kërcim e me kapje në qafë kontribojmë në gëzimin e mikut/të afërmit tonë. Është një nga gjërat më shqiptare që ekziston.

Do doja të thoja dhe shumë të tjera, më pëlqen vallëzimi i nuses me dhëndrin, me kurs apo pa kurs kërcimi nuk ka rëndësi, ata të dy duke kërcyer me këngën e tyre të preferuar ose me atë këngë që i kanë dërguar njëri-tjetrit në fillimit e lidhjes, teksa të gjithë të ftuarit mendojnë se sa të vegjël kanë qenë kur i kanë njohur, është momenti që stampon buzëqeshjet më të sinqerta të mbrëmjes. Më pëlqen se si të gjithë thonë që nuk kanë ardhur për të ngrënë në dasëm, por përfundojnë duke ngrënë të gjithë pjatën, patjetër që më pëlqen dhe kur dehen pak, i jep kërcimit të tyre diçka më origjinale dhe të qeshurës së tyre diçka të vërtetë. Më pëlqen që nusja me dhëndrin edhe pse kanë 1 javë që kërcejnë, presin e përcjellin, takojnë dhe puthin një mori me njerëz, në ditën e dasmës në orën 4 të mëngjesit vazhdojnë të jenë po aty, në mes të të gjithë të ftuarve. Se si ne në këtë rast “shoqnia” jemi po ashtu në 4 të mëngjesit aty me nusen dhe dhëndrin dhe lodhjen do ta ndiejmë një ditë mbrapa.

Më pëlqejnë të gjitha këto në çdo dasëm që kam qenë, në çdo dasëm që nuk do jem por që e marr vesh që po bëhet nga muzika në lagje, boritë e makinave apo fotot në Facebook. Me siguri ndonjë si unë, i ftuar në atë dasëm është duke i menduar pikërisht teksa sheh vërdallë të ftuarit. Por mbi të gjitha, siç e ceka dhe pak më parë, të pëlqesh dasëm e lodhshme shqiptare, e cila s’ka të dytë në botë, do të thotë të pëlqesh shqiptarët, sepse është tradita jonë, është mënyra se si ne i bëjmë gjërat, është trashëgimia dhe gjithçka tjetër. Ne përgjithësisht nuk shkojmë në kishë të kurorëzojmë lidhjen, as nuk shkëmbjemë rite të lashta si në Indi, rrallë i shkëmbejmë betimet buzë ndonjë liqeni. Ne na pëlqen të bëjëm zhurmë, të këndojmë, këcejmë, pijmë dhe të kapim në qafë… Ne na pëlqen të lodhemi dhe unë e dua çdo pjesë të saj!

Nga Kejvin Kalo

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje