Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një rast i jashtëzakonshëm në historinë e psikiatrisë

Një rast i jashtëzakonshëm në historinë e psikiatrisë
September 14
15:08 2016

Më i famshmi nga të gjithë balerinët e tjerë rus, një talent absolut në të gjithë botën. E kanë quajtur “mbreti i kërcimit” dhe paraprijësi i baletit modern. Quhet Vaslav Nijinsky.

Historia e tij është e pazakontë. U sëmur menjëherë dhe psikoza i zgjati shumë. Në këtë periudhë çmendurie pati asistencën e psikiatërve më të mëdhenj të asaj kohe që nuk mundën t’ia eliminonin simptomat. Në mes tyre gjen Freud, Bleuer, Jung dhe Adler.

Vaslav që shumë i ri mbante familjen dhe që 17 vjeç ishte bërë shumë i njohur në vendin e tij. Në këtë periudhë jetoi eksperienca të ndryshme homoseksuale me burra shumë më të mëdhenj në moshë (në këto relacione, Freud pa tentativën për të rikuperuar figurën e humbur atësore.) Më pas u martua dhe pati një vajzë. Lidhja e tij martesore nuk ishte shumë e lumtur , jo vetëm për shkak të personalitetit të gruas së tij, por edhe sepse marrëdhëniet e tij seksuale nuk ishin për të aq të kënaqshme.

Vetë Vaslav shkruan në një ditar të tijin se kur hyri në kulmin e adoleshencës ndjente domosdoshmërinë për të soditur trupin e tij dhe shkruante: “U transformova në një objekt të dëshirës time”. A ishte ky principi i një çrregullimi narcizist që do të sillte probleme shumë më të mëdha?

Në fund të viteve 1917, idetë e tij paranojake u përkeqësuan. Mendonte se njerëzit që kishte përreth e kishin zili dhe e urrenin, donin ta vrisnin ose t’i shkaktonin dëm për ta penguar të kërcente. (Vlen të thuhet që një pjesë e këtyre frikave dhe ideve paranojake ishin shkaktuar nga një ndodhi në vogëli. Shokët e tij i kishin sajuar një shaka që e bëri të binte në koma për një javë dhe që e detyroi të rrinte një vit pushim. Që nga ai moment shfaqte dyshim ndaj çdo personi dhe kishte vazhdimisht frikë se mos vdiste.)

Filloi të bridhte rrugëve të qytetit, u bë agresiv ndaj njerëzve që i afroheshin, fliste me miq imagjinarë dhe mbante me vete një kryq mbi shpatulla duke thënë që ishte Zoti. Iu dedikua edhe një gjuhe specifike për kërcimin, shumë e komplikuar dhe pa sens për cilindo që e shikonte.

28 vjeç preku fundin. Në atë periudhë u vizitua nga specialistë të ndryshëm të psikiatrisë. I pari ishte Bleuer, njohësi më i madh i skizofrenisë në atë kohë që dha diagnozën: “Mendja e këtij njeriu është e ndarë në dy pjesë dhe nuk mund të shërohet kurrë”.

Më pas, Ludwing Binswanger tentoi t’i jepte një farë rregulli mendjes kaotike duke përdorur trajtimet psikologjike më moderne të kohës, por mori si përgjigje kriza katatonike të forta dhe agresive, ndryshim humori me episode maniakale. Manfred Sakel e trajtoi me shpikjen e tij, por nuk pati asnjë rezultat.

Kaloi te Freud, që pas diagnozës pranoi që nuk mund të bënte gjë për të. Kundrejt pesimizmit Freud-ian nuk mbeti gjë tjetër veçse të tentohej me ata që inspironin besim: humanistët: Alfred Adler e analizoi dhe tha që problemi i tij vinte nga fakti se ai përjetonte një kompleks të fortë inferioriteti. Në mënyrë të dukshme kjo diagnozë ishte shumë larg nga realiteti.

Psikiatri i fundit ishte Jung, i cili u dorëzua më shpejt sesa Freud për t’i ofruar trajtim.

Në fund të opinioneve kundërshtuese dhe pesimiste për sëmundjen, Vaslav ra në delir të plotë, fliste dhe askush nuk e kuptonte, u bë agresiv (tentoi të vriste gruan), humbi të gjitha frenat (inhibitore) dhe masturbohej kudo pa u preokupuar që e shihnin.

Kur të gjithë thanë që kishte marrë fund, në mars 1945 u arratis nga çmendina ku ishte internuar dhe rrugëve takoi disa ushtarë rusë që e njohën menjëherë. Në këtë pikë, kur Vaslav pati mundësinë të dëgjonte gjuhën e tij amtare dhe u kënaq nga dashuria që treguan ushtarët për të, u gjallërua. I ritakoi ushtarët në ditët në vazhdim, fliste me ta, këndonte dhe u tregonte artin e tij. Iu kthye kërcimit. Dukej i qetë, i relaksuar dhe i lumtur.

Më pas u kthye te gruaja e tij, u transferuan në Angli, ku braktisi çdo trajtim psikiatrik duke qenë se shumica e simptomave ishin zhdukur. Pati vetëm pak pagjumësi dhe irritim.

Pjesa më kurioze në këtë rast nuk prek vetëm shërimin, duke qenë që ka plot raste të tjera që kanë dalë nga skizofrenia, por fakti që kaloi përmes shumë duarsh të specializuara në problemet e psikikës dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e aftë të shkonte në origjinën e çrregullimit.

Vaslav lindi në 1890-n ose 1889-n (nuk njihet data ekzakte). Ishte fëmija i dyte i një çifti rus me tre fëmijë. Ambienti familjar ishte stimulues kundrejt kërcimit. Nëna e tij vuante nga kriza depresive të shpeshta. Vëllai i tij tentoi të vriste veten kur ishte shumë i ri dhe e shtruan në një çmendinë asokohe. Babai i braktisi fëmijët në duart e një nëne jo shumë të ekuilibruar./Blitz.al/

Burimi: Psikologe.com

Shperndaje