Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një letër për mikun tim për seks: “Menduam se shmangëm ndjenjat, por unë të doja”

Një letër për mikun tim për seks: “Menduam se shmangëm ndjenjat, por unë të doja”
August 22
20:56 2019

Të takova sërish pas 10 vitesh, 3 martesash dhe 4 fëmijësh, dhe duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Por sigurisht që kanë ndryshuar. Jemi në të 40tat tani; të dy më të vjetër, pak më të shëndoshë (dmth, unë po të paktën), pak më të lodhur. Ditët marramendëse të të njëzetave tona i kemi hedhur plotësisht pas krahëve. Të harruara janë ditët e papërgjegjshmërisë – dhe madje dhe ky takim në drekë na u desh kohë që ta planifikonim mirë.

Secili nga ne ka 2 fëmijë, ti ke pasur 2 gra – për të dyja ende ndiej aq shumë xhelozi, edhe pse ti kurrë nuk ke qenë “i imi” zyrtarisht.

Të qenit në kontakt ka qenë më e lehtë duke qenë se Facebook më ka ofruar një dritare në jetën tënde. Kam parë fotot e dasmës, kam parë fëmijët e tu, kam parë lumturinë tënde- lumturinë me një grua që nuk isha unë. Nuk ka qenë gjithnjë gjëja më e lehtë, pavarësisht marrëveshjes sonë të përbashkët.

A kanë të rinjtë e shekullit 21 ende “miq për seks”? Ata miq me të cilët mund të shijosh emocionet e seksit dhe bukurinë e shoqërisë pa peshën e thirrjeve të humbura në telefon apo rrezikun që ai të të lërë?

Për vite, ne kemi pasur këtë marrëveshje aq të sofistikuar ku rregullisht përgëzonim veten që kishim shmangur komplikimet e lidhjeve, ndjenjave, madje dhe dashurisë.

Por unë të dua. Të doja dhe kur nisëm atë që nisëm. Të doja kur sillje në shtëpi të dashurat dhe unë bashkë me shokun tjetër të shtëpisë i ngjisnim gjëra në këpucë (po, fëminore, e di). Të doja kur u largove për në një qytet tjetër dhe qava për ditë të tëra. Të doja edhe kur ishe duke kërcyer në dasmën time. Dhe të doja kur dëgjova për dasmën tënde.

Një herë, i thashë dikujt për marrëdhënien tonë dhe më pyetën sa kohë kishim bashkë. E mbaj mend reagimin e saj kur i thashë që kurrë nuk kishim qenë bashkë, që nuk kishim qenë kurrë në një takim romantik, që kurrë nuk i kishim dërguar njëri-tjetrit letra për Shën Valentin. Por që gjithsesi, kisha bërë gjëra me ty që asnjëherë s’i kam bërë me burrin tim.

Ekspertët thonë, që nëse je me fat, mund të biesh në dashuri 3 herë në jetë. Unë i theva rregullat duke të lejuar ty të ishe një prej tyre. Ti, nuk ishte e thënë, të shkonte kështu. Ti supozohet të ishe një anekdotë e këndshme në një festë në darkë, një shaka me shoqet e mia, një “E mban mend kur…” që e thoja kur isha e dehur.

Ti nuk supozohet të ishe ai që iku.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al/

Komento
Shperndaje