Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një letër për mamanë time që nuk e pranon që unë nuk dua të kem fëmijë

Një letër për mamanë time që nuk e pranon që unë nuk dua të kem fëmijë
July 22
21:49 2019

Bashkëshorti im dhe unë nuk duam fëmijë.Dhe kjo është shumë në rregull. Mund të ndryshojë, por momentalisht jemi të lumtur me mënyrën se si janë gjërat dhe duam ta mbajmë kështu. Ti kundërshton. Me tepër inat. Mosmarrëveshjet mes nesh nuk janë diçka e re- ne nuk kuptohemi për shumë gjëra dhe kjo është në rregull. Por ajo që nuk shkon, gjithsesi, është që ti nuk respekton vendimet tona.

E kuptoj që insistimi yt i vazhdueshëm në lidhje me këtë vendim tonin ka një qëllim të mirë. Sinqerisht e kuptoj. Por ajo që ti do për ne nuk është domosdoshmërisht ajo që ne duam për veten tonë.

Ti e di që mua s’më kanë tërhequr asnjëherë fëmijët. Ndërkohë që vajzat e tjera adhuronin të ushqenin e të vishnin kukullat e tyre plastike, unë isha diku tjetër, duke luajtur me veshjet e mia apo duke bërë skenarë. Isha më e interesuar të isha një fëmijë sesa të pretendoja se po kujdesesha për një të tillë. Pavarësisht parashikimeve të tua, asgjë nuk ndryshoi kur u rrita. Nuk doja të kujdesesha për fëmijët e fqinjëve dhe ja dola të punoja si mësuese vetëm për një vit, derisa e lashë sepse isha e rraskapitur gjithë kohën.

Ti e injoroje mosinteresimin tim duke thënë që do e kaloja, që do zgjohesha një ditë dhe jo vetëm që do e doja një fëmijë, por do kisha nevojë për një. Por teksa vitet kanë kaluar, dhe ora ime biologjike vazhdon të ecë pa asnjë shenjë alarmi, ti ke ndryshuar taktikë. E ke të pamundur të pranosh që zgjedhja jonë ka të bëjë me mungesën e interesit për të qenë prindër. Ke filluar të më akuzosh që me dëshirë po i mohoj vetes një fëmijë si mënyrë për t’u rebeluar ndaj shoqërisë. Dhe sigurisht, ndaj vjehrrës sime.

Lirisht e pranoj që vjehrra ime është acaruese, por kjo për të cilën ti po më akuzon jo vetëm që është qesharake, por dhe shumë e pasjellshme.

Vendimi ynë për të mos pasur fëmijë nuk është marrë kalimthi, ishte i kujdesshëm dhe i menduar mirë. Kam kaluar orë të tëra duke menduar nëse duhet të kishim fëmijë apo jo – duke peshuar avantazhet dhe disavantazhet, duke imagjinuar jetën sipas çdo skenari dhe duke dëgjuar eksperiencat e miqve tanë. Dhe përgjigja gjithnjë ka qenë: Fëmijë? Jo, faleminderit.

E di që e ke të vështirë ta kuptosh. E di që do kaq shumë të kesh nipër e mbesa dhe mendoj se kjo është një ndër arsyet pse marrëdhënia jonë është shumë e ftohtë. Ti do të riparosh dëmin që shkaktove kur le babin për të dashurin tënd, dhe të kesh një marrëdhënie më të ngushtë me mua. Supozoj se ti imagjinon që ne do lidhemi më shumë për shkak të mëmësisë dhe duke ndarë njohuritë dhe eksperiencat e të qenit prind. Por fëmijët nuk janë zgjidhje për marrëdhëniet e shkatërruara, ti e di këtë.

Kur isha fëmijë, ti ishe një mama e mrekullueshme, e sjellshme dhe e duruar. Por të qenit një prind i mirë do të thotë që në një pikë, të pranosh që fëmija yt tashmë është i rritur. Dhe si i tillë, ka të drejtën të marrë vendimet e tij, edhe nëse ti nuk bie dakord me to. Vetëm kaq po të kërkoj të bësh. Po të kërkoj të jesh një prind i mirë dhe të na trajtosh si të barabartët e tu; po të kërkoj, me shumë mirësjellje, të mos rrotullosh sytë dhe të bërtasësh, të ndalosh me skemat dhe fytyrat e trishtuara dhe të fillosh të tregosh dashuri duke pranuar dhe mbështetur vendimet tona, në vend që të mundohesh ti ndryshosh.

Burimi: The Guardian

Përktheu: Blitz.al/

Komento
Shperndaje