Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një letër për ish të dashurin tim:”Më the që nuk ishe gati, 6 muaj më vonë po martohesh me dikë tjetër”

Një letër për ish të dashurin tim:”Më the që nuk ishe gati, 6 muaj më vonë po martohesh me dikë tjetër”
July 29
19:55 2019

Kur dëgjuan për martesën tënde, familja dhe miqtë e mi të dashur më pyetën nëse doja ta sabotonim ditën tënde të madhe. Kishin një shumëllojshmëri idesh – të gjitha të ngatërruara, plot imagjinatë, zhurmë dhe ngjyra. Edhe pse u tundova, vendosa që të qaja vetëm në shtrat, duke më ardhur keq për të gjithë gjërat që ne mund të ishim, por nuk u bëmë.

Në 6 vitet tona bashkë, edhe ne e kishim planifikuar dasmën tonë, shpesh me qartësi të mrekullueshme. Ndërkohë, shumë herë kur përmendej dhe unë isha e sigurtë dhe gati për të hedhur hapin e radhës në marrëdhënien tonë, ti nuk ishe asnjëherë gati. Gjithnjë doje më shumë kohë – kohë për t’u përshtatur, kohë për të kuptuar, kohë vetëm, kohë për punën, kohë dhe hapësirë…

Dhe sepse të doja me gjithë zemër, ta plotësoja dëshirën.

Por tani, më pak se gjashtë muaj nga ndarja jonë, ti je martuar me dikë tjetër. Si mund të ndodhte kjo? Çfarë vlere kisha për ty në fund- apo edhe në fillime? Isha shumë besnike, të përshatesha në çdo gjë? A mos të desha shumë? A ka “ajo” më pak celulit, shije më të mirë në muzikë? A është ajo më e artikuluar? Vjen aromë më të mirë? Është ajo një kuzhiniere e mrekullueshme apo një ku*vë në shtrat? Nuk mund ta lë veten të vazhdoj me këto pyetje sepse kam frikë se do lëndohem përtej shërimit nga hija përndjekëse e “Pse ajo dhe jo unë?”

Pavarësisht goditjes së madhe të refuzimit, dua ta dish që ende kam çdo gjë që më dhe në udhëtimin tonë bashkë: shishe parfumi bosh, bileta treni, shënime të përditshme, bileta hyrjeje për ekspozita, koncerta, apo edhe letra zbukuruese dhe 9 ditarë, të mbushur me rrëfime të ngatërruara për para, gjatë dhe pas dashurisë sonë.

Përkrahë këtyre, kam dhe peshën e kujtimeve të gjërave që më thoje: si ndiheshe krahë meje, aromën dhe shijen tënde, vendet magjike në të cilat shkonim bashkë – kujtime që janë aq të dashura për mua sa mund t’i sjell në mendje me një frymë. Nuk mund ta imagjinoj që ti ke mundur t’i rikrijosh këto me dikë tjetër apo që ke mundur të më fshish nga e shkuara jote, edhe pse jam e bindur që je përpjekur.

Por përpara se kjo të ndodhë e të më harrosh plotësisht, dua të kujtosh që ti u largove nga dikush, zemra e së cilës ndalonte për një çast kur të shihte, që shijonte thjesht te qenit me ty, edhe duke bërë asgjë, që rrinte e lumtur krahë zakoneve të tua të këqija pa u ankuar, nga dikush që pa menduar dy herë do kishte bërë çdo gjë për ty. Kjo për mua është pjesa më e vështirë – shpresoj ta humb sigurinë për atë që ndieja për ty, ose të paktën të humb idenë e asaj çka mendoja që isha për ty, apo akoma më keq, ajo çka mendoja që ti ishe për mua.

Boll me këto përpëlitje. E kam pastruar veten në stilin më stoik (do krenoheshe për rezistencën time) dhe fillova të dilja në takime të shpejta, fillova një kurs mbrëmjeve dhe u regjistrova si vullnetare. E kam vënë apartamentin tim në shitje, sepse dua të blej një shtëpi tjetër, ku trupi yt nuk ka lënë asnjë gjurmë. Kam filluar vrapin dhe notin.

Madje, dje fshiva dhe numrat e tu të telefonit. “A je e sigurtë që do ta fshish xxxx” më pyeti. Ah sikur të ishte aq e thjeshtë. Por kam shpresë që një ditë do mund të të lë pas dhe të njoh dikë që e meriton dhe e vlerëson aftësinë time për të dashuruar me gjithë zemër dhe që bën të njëjtën gjë. Të njoh dikë që mund të më ndihmojë ta shohë qartazi siç ishte kohën që kemi kaluar bashkë.

Në ditët e mia të mira, shpresoj të kesh gjetur dashurinë e jetës që të bën të ndjesh paqe të thellë dhe lumturi për atë çka je, kur je me të apo larg saj. Të kam dashur aq shumë sa nuk mund të të uroj asgjë më pak. Dhe në ditët e mia të këqija…Epo këtë do ja lë shoqeve të mia ta planifikojnë.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al/

Komento
Shperndaje