Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Një letër për djalin tim…që nuk është i imi

Një letër për djalin tim…që nuk është i imi
May 31
18:23 2019

Përkushtimi im tek ty nisi kur ti kishe 3 javë që kishe lindur. Atëherë thashë që ishte për gjithë jetën, por askush s’më besoi. Pse duhet ta bënin? Isha një 23 vjeçare që po dilte me një djalë 20 vjeç që ishte prindi i vetëm i një fëmije të vogël.

Njerëz aluduan se mamaja jote adoleshente do të kërkonte sërish. E mbrojta atë nga kritikat mbi familjen, nga gjykimi i njerëzve që thonin se një fëmijë duhet të ishte me mamanë e tij, pavarësisht sa e re ishte nëna, pavarësisht sa i padëshiruar ishte fëmija.

Në mungesën që u kthye në të përhershme, insistova që ajo kishte të drejtë të largohej, nëse donte; që asnjë nënë nuk ka përse të rrisë një fëmijë kur ndjente se ishte e paaftë të kujdesej për të dhe nuk e donte.

Por unë të doja. Të doja që në ndjenjën e parë të peshës tënde në krahët e mi, që në buzëqeshjen tënde të parë. Fëmija im i bukur, i buzëqeshur, i çmuar. E mbështeta babanë tënd të bëhej babai që unë e dija se mundej të ishte. Njerëzit thanë që isha e mrekullueshme, që kujdesesha për një fëmijë që nuk ishte i imi. Por unë nuk isha e mrekullueshme, sepse ti ishe i imi. I kujt tjetër mund të ishe?

Ti ishe dy vjeç kur babai yt më la. Unë nuk kisha asnjë të drejtë. U bëra një prind “fundjavash”. Bota jote u kthye përmbys. Ti ulërisje kur ikja nga dhoma; më duhej të të merrja me vete dhe në tualet. Ikja fshehurazi nga shtëpia, në vend që të përballoja përshëndetjet. M’u deshën dy vjet që të isha e aftë të prezantoja partnerin tim të ri.

Isha aq e merakosur që do ndiheshe e zëvëndësuar sa që ti ishe gjashtë vjeç kur unë ndjeva se mund të kisha një fëmijë tjetër. Ende e mbaj mend britmën tënde të kënaqësisë kur të thashë se do kishe një vëlla. Të gjitha ankthet e mia ishin të pabazuara; ti ishe- dhe je akoma- një vëlla i madh i mrekullueshëm për të dy fëmijët e mi të tjerë.

Njerëzit mendonin se mënyra si ndihesha për ty do ndryshonte kur të bëhesha një mama “e vërtetë”; por unë isha bërë një mama e vërtetë momentin që të mora ty.

Ti je një adoleshent tani. Ke vendosur të më thërrasësh në emër, në vend të “Mami”. E ndjeva si një shuplakë. Ti the thjesht se kështu e ndieje. “S’ka problem, sido që ta ndjesh.”- të thashë. Por ishte një gënjeshtër.

Shqetësohem se teksa rritesh, do e kthesh dashurinë tek mamaja që të lindi. Është shumë e natyrshme të duash të ndjekësh rrënjët e origjinës. Shqetësohem se mos më hedh mënjanë. Kam frikë sepse ti mban një pjesë të zemrës sime dhe gjithmonë do e mbash.

Me gjithë dashurinë time, gjithnjë, mamaja jote.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al

Komento
Shperndaje