Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Një letër për bashkëshortin që nuk më dashuron më: “S’më ke prekur që pas fëmijës së dytë”

Një letër për bashkëshortin që nuk më dashuron më: “S’më ke prekur që pas fëmijës së dytë”
June 25
19:57 2019

Asnjëherë nuk do e harroj bukurinë që pashë kur të hodha sytë për herë të parë. Asnjëherë nuk u lodha duke të thënë sa i pashëm ishe. Ishe ambicioz, ishte ngjitëse. Më bëre premtime që asnjëherë nuk imagjinoja që do i mbaje.

Jeta ishte emocionuese. Shijonim mbrëmjet kur dilnim, pushimet ekzotike, ndihesha e dashuruar dhe e dëshiruar. U martuam dhe u bëmë me dy fëmijë. Më pas, çdo gjë ndryshoi. Shpejt kuptova që unë nuk isha prioriteti yt dhe asnjëherë nuk do isha.

Ti nuk ke më asnjë dëshirë për jetën, asnjë interes në asgjë përveç mjeteve të tua elektronike. Bisedat janë të njëanshme, nuk më pyet për asgjë dhe përgjigjet në çdo gjë që të them kanë vetëm një rrokje (shoqëruar me një psherëtimë dhe një rrotullim sysh) Vaktet gjithnjë janë gatuar nga unë dhe ti asnjëherë s’ke tentuar të përgatisësh ndonjë gjë. Të kam kërkuar ta provosh, por pa vlerë. Natën, shtrihemi ngjitur, por nuk prekemi kurrë, nuk flasim kurrë. Nuk qaj më përpara se të fle, lotët e mi s’më çojnë gjëkundi, askush nuk i dëgjon.

Nuk më ke prekur qëkur ngjizëm fëmijën tonë të dytë. Gjithçka që dua është të më përqafojnë, të më sjellin një filxhan çaj në mëngjes, të më thonë që më vlerësojnë, të shijoj aventurat e thjeshta të jetës me burrin me të cilën është e thënë të ndaj jetën dhe botën time. Ti irritohesh nga çdo plan që bëj për t’u siguruar që koha jonë e lirë si familje të kalohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka që do të bësh është të flesh.

Të dy punojmë me orar të plotë dhe fitojmë njësoj por ti më trajton me inferioritet. Kur dita jote e punës ka mbaruar, e imja vazhdon në momentin që hy në derën e shtëpisë. Larja e rrobave, përgatitja e darkës për fëmijët, pazari, detyrat e fëmijëve, blerja e dhuratave për festa. Tensioni është më i madh nga sa mund të përballoj. Dua të ulëras: “Ku është burri me të cilin u dashurova?”

Dhimbja është më e madhe kur jemi rrotull njerëzve që janë dukshëm shumë të dashuruar me njëri-tjetrin. Prekja më e vogël do të thotë shumë, një puthje në qafë që nxit ndjenjën më të trishtë brenda meje, duke ditur që ti nuk do e bësh asnjëherë. Unë kam nevojë momente si këto; ato duhet të jenë energjia ime në vend të inatit që tashmë ka zëvëndësuar dashurinë që ishte dikur.

Miqtë e mi e kanë kuptuar që jam në një situatë të pashpresë dhe unë haptazi e pranoj që vetë e kam lejuar të bëhet kaq keq. Kur ja kam përmendur prindërve të mi, përgjigja ka qenë gjithnjë: “Zemër, ai punon shumë, të lutem mos e vendos në tension.” Unë nuk përgjigjem. Dua t’ja plas të qarës, pasi zemra vazhdon më thyhet.

Kam frikë se fëmijët e mi po rriten në një botë ku është e pranueshme të lejosh një mama të bëjë gjithçka, ku ulërimat janë komunikim i pranueshëm, në një botë ku dashuria nuk është prioritet. Nuk është e pranueshme tani dhe asnjëherë nuk duhet të konsiderohet e tillë.

Qasja jote për jetën është e kundërta e times. Dua të qesh me lot; nuk mbaj mend herën e fundit që ti ke qeshur. Dua të hidhem në krahët e tu kur të kthehesh në shtëpi dhe dua që ti të vish pranë meje. Dua ta ndajmë bashkë gjithçka.

Jam shumë e trishtuar. Për ty. Për mua. Për fëmijët tanë. Për jetën që supozohet të kishim bashkë. Por nuk mund të qëndroj për shkak të fëmijëve; e di që do kthehet thjesht në një agoni të vazhdimtë të papërballueshme. Gjithnjë kam menduar se jam e pathyeshme, por po ta vazhdoj këtë rrugë me siguri do më shkatërrojë. Të lutem mos e lër këtë të ndodhë. Të lutem le të ngremë duart lart, të pranojmë humbjen dhe të largohemi si miq.

Burimi: The Guardian
Përktheu: Blitz.al

Share