Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nga Elbasani nëpër të gjithë Shqipërinë! Pak nga origjina dhe historia e “Ditës së Verës”…

Nga Elbasani nëpër të gjithë Shqipërinë! Pak nga origjina dhe historia e “Ditës së Verës”…
March 14
11:59 2019

Prej disa vitesh tashmë, Dita e Verës është bërë festë kombëtare, pra që do të thotë është zyrtarisht festë e të gjithë shqiptarëve dhe sigurisht është ditë pushimi. E megjithëse shumica e njerëzve sa mendojnë për 14 marsin ose dëgjojnë për “Ditën e Verës”, mendja u shkon tek Elbasani dhe ballokumja e famshme, në fakt edhe pse jo zyrtarisht, kjo festë ka qenë e të gjithë krahinave të Shqipërisë që para se të ekzistonin fetë. E pavarësisht se kjo i lëndon egon çdo elbasanlliu kudo që ndodhet, është e vërtetë dhe shpjegohet nga traditat, ritet që ndiqen, por edhe nga fjala e historianëve e shkrimtarëve. Gjithsesi, ballokumet dhe veroret e bukura si në qytetin e Shqipërisë së Mesme askush nuk i bën dot.

Për të gjithë ju që ende nuk e keni të qartë se si festohet Dita e Verës në zona të ndryshme të Shqipërisë, që ende mendoni se festimet dhe datat janë të vendosura nga fetë, po jua shpjegojmë me fjalët e Faik Konicës dhe të At Berardin Palaj historinë e prejardhjes së festës.

Faik Konica, shkrimtari ynë i ndjenjës arriti të shpjegojë shpirtin dhe kuptimin e Ditës së Verës. Ai e përkufizonte kështu këtë festë:
Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur skish lindur Krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, tu faleshin perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…”
Sipas shkrimtarit, kjo është një festë e vjetër e racës sonë:
“Nuk i bëjnë dëm njeriu, sjellin gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rast të rrallë për t’u dëfryer. Për më të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të hollë e të rrallë…
” – shkruan Konica.

Nga ana tjetër, At Beradin Palaj, dy dekada pas Konicës e shpjegon kështu kremtimin e Ditës së Verës dhe e lidh atë me zonën e Dibrës:

Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nuk lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darke, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë.
Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth. Kur Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë “bereqet”, nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen “Ditës së Verës”. Ky ritual vazhdon deri me datë “14 mars.”

Por pse festa i ka mbetur si traditë kryesisht Elbasanit, pavarësisht se çdo qytet e feston, në 14 ose në ditë të tjera të marsit? Pasi Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një festë pagane, që e ka origjinën në kohën kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qenë në zonën e Çermenikas, në afërsi të Librazhdit të sotëm. Ne kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej me diellin, hënën dhe gjelbërimin dhe kjo datë shënonte ndryshe fundin e dimrit të acartë dhe hyrjen e pranverës se çeljes se luleve. Ne kohen antike, të parët tanë, Ilirët, udhëtonin nga të katër anët për t’ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, “Diana Candieviensis”. Dita e Verës është festë e të gjithëve, e të pasurve dhe e të varfërve, është festë mbarëpopullore ku të gjithë gëzojnë. As feja, as ideologjia dhe së fundi as politika nuk mundën ta kenë e ta bëjnë të tyren. Kohët shkuan dhe tempulli i festës qëndroi në Elbasan, në qytetin e luleve dhe këngës, të dashurisë dhe begatisë. Duhet theksuar dhe një herë që data 14 mars në shumë krahina të vendit, thjesht hap festivalin 1-javor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është dita kalendarike diellore e verës.

Thënë kjo, përfitoni nga rasti që u hap e plotë rruga Tiranë-Elbasan, hipini makinave dhe shkoni të provoni ballokumen origjinale të Elbasanit, të vini veroret, të ndjeni atmosferën e vërtetë të Ditës së Verës dhe aromën e luleve që çelin. Më pas mund të shijoni dhe një piknik në zonat e bukura përreth Elbasanit dhe në momentin kur të perëndojë dielli, ta falenderoni siç bënin paraardhësit paganë, e të jeni falenderues që erdhi dhe një pranverë tjetër. Gëzuar Ditën e Verës! /Blitz.al/

Komento
Shperndaje