Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndjesia e rrezikut, të çarat, gërvishtjet dhe paniku janë shumë të nevojshme për fëmijën tuaj!

Ndjesia e rrezikut, të çarat, gërvishtjet dhe paniku janë shumë të nevojshme për fëmijën tuaj!
November 22
10:16 2016

Prindërit në të gjithë botën vazhdimisht pyesin veten se sa është sasia e duhur e rrezikut me të cilin duhet të prezantojnë fëmijët e tyre. Këtu bëhet fjalë për lojëra të rrezikshme, lojëra pranë vendeve që mund të përbëjnë problem, si afër ujit, zjarrit apo ndonjë elementi tjetër që konsiderohet i një rrezikshmërie të lartë. Mirëpo sipas një studimi, të gjitha këto që fëmijëve u krijojnë një ndjesi frike në fakt janë të domosdoshme.

Ndjesia e rrezikut është shumë e rëndësishme për të pasur një balancë në fëmijëri. Ekspozimi te rreziku i shëndetshëm, ai fizik, i bën fëmijët të aftë të përjetojnë frikën dhe të kuptojnë se cilat janë pikat e tyre të forta dhe të dobëta lidhur me trupin e tyre. Gjithsesi, përpara se të prisni biletën për në ndonjë pyll të humbur ku do ta lini fëmijën tuaj të gjejë rrugën i vetëm duke përdorur një busull, kini kujdes sepse duhet menduar më me kujdes.

Kjo gjeneratë e fëmijëve është gjenerata më delikate. Ata bëjnë një jetë shumë të limituar në vendet ku shkojnë: shkollë, shtëpi, parku përpara shtëpisë ndonjëherë dhe kaq. Ndërkohë që prindërit e kësaj gjenerate janë prindërit më frikacakë. 90% e prindërve mundohen t’i limitojnë distancat që fëmijët mund të përshkojnë të vetëm, duke menduar se kur bëjnë kështu janë prindër më të mirë.

Prindërit po kthehen në helikopterë. Po, po, helikopterë që projektojnë dhe vëzhgojnë nga lart përgjatë gjithë kohës fëmijët dhe aktivitetin e tyre. Dhe më pas, të njëjtët prindër habiten kur fëmijët i hyjnë rrezikut nëpërmjet internetit. Ata nuk e kuptojnë që qeniet njerëzore janë destinuar për ta provuar dhe ndierë rrezikun dhe në mos do e ndiejnë në rrugë, do të sigurohen ta ndiejnë në internet.

Por si ta bëjmë këtë ndjesi të rrezikshme të jetë në favor të fëmijëve tanë? Dalëngadalë dhe me kujdes të veçantë. Fillimisht çelësi është: aktivitetet jashtë shtëpisë. Lërini fëmijët të luajnë në park të shkujdesur, le të çahen, të gërvishten dhe nuk ka asgjë të keqe nëse duke luajtur u del pak gjak te këmba. Këto janë të domosdoshme! Organizoni një piknik dhe lejojini fëmijët tuaj t’ju ndihmojnë në ndezjen e zjarrit. Gjithashtu duhet t’i lini fëmijët të mësohen me ujin. Lërini të notojnë dhe të bëjnë manovra në ujë. Mos u qëndroni gjithmonë pranë që t’u jepni atyre idenë se ju jeni gjithnjë në kontroll. Kurset e notit janë gjithashtu shumë të mira nëse doni që fëmijët tuaj të mësohen edhe me ndjesinë e panikut, forcës dhe rrezikut.

Sportet ekstreme janë të rrezikshme, por ju mund të provoni t’i mësoni fëmijët tuaj me sporte që i konsideroni të vështira. Mësojini të kalërojnë, të bëjnë ski apo të ngjisin male. Mësojini të jenë aktivë, por jo aktivë të llastuar vetëm të luajnë me top.

Sigurisht që kjo nuk është vetëm detyrë e prindërve, por edhe e institucioneve që krijojnë aktivitetet dhe programet e posaçme në shkolla për të mos i lënë fëmijët të jenë ngordhalaqë. Gjithsesi, ajo çka duhet të bëni ju si prindër është të mësoni që ndjesitë e rrezikut, panikut dhe e lirisë duhet të provohen nga fëmijët tuaj dhe ju duhet të jeni të parët që t’ua mësoni këto. /Blitz.al/

Shperndaje