Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mos besoni gjithçka që ju thonë, të qenit prind është rraskapitëse!

Mos besoni gjithçka që ju thonë, të qenit prind është rraskapitëse!
October 31
13:13 2016

Vajza ime Aspen është dy vjeçe dhe nga të tre fëmijët e mi, ajo ka qenë më e rrëmujshmja dhe që më ka lodhur më tepër. Kjo nuk do të thotë se me dy të tjerët thjesht kam shijuar jetën time dhe se gjithçka ka qenë e lehtë, por të paktën më mirë se sa eksperienca me Aspen ka qenë. Djali i madh, Tristan, rrallë herë bindej për të fjetur.  Kjo gjë sigurisht më shkatërronte dhe kur arrija ta vija atë fëmijë për të fjetur, qoftë edhe për pak, më dukej sikur kisha fituar lotarinë. Norah, fëmija i dytë, nuk dëshironte të qëndronte në vende komode. Pozicionet e saj të preferuara për të qëndruar ishin cepat e karrigeve dhe vende të tjera ku rreziku për të rënë ishte 99%.

Por përveç këtyre, mund t’ju them se në fakt “bisha” mbetet Aspen!
Ajo është e mrekullueshme dhe për këtë s’ka dyshime. Ka flokë biondë të bukur dhe i pëlqejnë bishtalecat. Ka një zë shumë të ëmbël dhe buzëqeshje rrezellitëse. Por edhe pse i ka të gjitha këto, asaj nuk ia ndjen fare dhe me zor pret të të nxijë jetën.

Të dielave në kishë preferon të bërtasë më shumë sesa kori i këngëtarëve dhe kur e çoj te mjeku për ta vizituar përpiqet që t’ia shkatërrojë të gjitha lulet dekorative që ai ka mbi tavolinë. Kur jemi në market, edhe pse unë e vendos karrocën e ushqimeve 100 metra larg saj, ajo arrin të kapë një kavanoz salce dhe ta përplasë në tokë duke spërkatur kudo. Mund të them që ime bijë është një “ninja” e vërtetë.

Të gjitha këto nuk ndodhin  sepse ka ndonjë mangësi. Absolutisht. Por ajo është vetëm 2 vjeçe dhe ka një arsye se pse psikologët thonë se dyshi është një numër i tmerrshëm. Fakti që ajo vetëm vrapon pa ndalur e që më bën edhe mua të vrapoj është më tepër sesa sfilitës. Është aq kurioze për të eksploruar gjithçka sa me të vërtetë vjen një pikë që më shterojnë energjitë për të folur apo treguar.

Sigurisht që këto veçori unë do të doja që fëmija im t’i kishte në të ardhmen, sepse kështu do të arrijë suksesin, por tani që ajo është e vogël dhe unë duhet t’i rri nga mbrapa gjithë kohës po stresohem aq shumë, saqë nuk e di nëse mund të jem e aftë të vazhdoj kështu.

Mbase problemi qëndron se edhe unë jam më e madhe në moshë dhe më e lodhur tani. Kam qenë në të njëzetat e mia kur kisha fëmijët e parë. Tani jam në të tridhjetat dhe më duket sikur kam shumë më pak energji dhe nerva për t’u marrë me fëmijët. Fakt është që prindërimi kështu funksionon. Edhe nëse do të isha 60 vjeçe sërish do të më duhej të bëja të njëjtën gjë. Të zgjohesh në mes të natës është prindërim. Të vraposh pas fëmijës tërë ditën, është prindërim. Të lash e pastrosh çdo sekondë fëmijën është prindërim.

Të qenit prind i një fëmije të vogël do të thotë të mësosh të gjitha leksionet e sigurisë dhe të lokalizosh me mendje se cilat mund të jenë rreziqet në mënyrë që të kesh mundësi t’i heqësh 10 minua sytë prej fëmijës. Kjo është edhe arsyeja kryesore se pse prindërit që kanë fëmijë të vegjël ngjajnë sikur sapo kanë dalë nga spitali e që nuk merren mjaftueshëm me veten e tyre: nuk kanë kohë! Gjithashtu, edhe nëse ndodh të kujdesen për veten, ndiejnë faj sepse për ato 30 minuta mund të bënin diçka për fëmijën dhe jo të merreshin me pamjen e tyre.

Por kur gjithë këto me shumë mundësi duken si tmerri më i madh për ato që nuk kanë fëmijë, në fakt nuk është kështu. Sigurisht që është sfilitëse dhe ka shumë lodhje. Sigurisht që nëse do t’ia lija vajzën time dikujt për ta mbajtur për 5 orë do të më vinte keq për ta sepse e di që do të lodheshin shumë. Por pasi rriten, këto vite ti i kujton me një buzëqeshje në fytyrë dhe me kujtimet më magjike. Teksa i shoh dy fëmijët e tjerë të rriten më mungojnë ditët kur ata ishin kuriozë, kur ata kishin emrin tim në gojë për çdo gjë dhe sigurisht që më kanë munguar shumë edhe fytyrat e tyre paqësore, faqet e buta dhe sytë që u shkëlqenin nga pafajësia.

Ka diçka lidhur me fëmijët e vegjël. Sa më shumë “të ta nxijnë jetën”, aq më shumë i do. Kjo sepse për ju ata janë më të mirët dhe kanë qenë gjëja më e mrekullueshme që ju ka ndodhur në jetë. Kjo mund të jetë gjenetike ose është thjesht Zoti që e ka bërë të jetë kështu. Por pak rëndësi ka, ajo që ka rëndësi është që një fëmijë i vogël mund t’ju bëjë të sfiliteni, të urreni veten dhe jetën, por kur të buzëqeshë dhe kur t’ju tregojë se sa ju do, ju thjesht do të donit të përjetonit edhe njëherë të gjithë tmerrin.

Autore: Clint Edwards

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje