Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Mami, nuk e sheh sa e mrekullueshme je?”

August 08
13:37 2016

Bridgette White vendosi të publikojë një foto të sajën në internet, të cilën e kishte shkrepur djali i saj 7 vjeç. Momentin e parë që ajo pa foton u tmerrua, por menjëherë ndryshoi mendim kur u përpoq ta shihte me sytë e fëmijës.  Kjo është një histori që me siguri do t’ju ngjallë emocione, sidomos nënave. Ja çfarë ka rrëfyer nëna e dy fëmijëve në blogun e saj.

“Po shihja fotot në celularin tim dhe gjeta një foto timen. Reagimi im i parë kur e pashë ishte thjesht tmerrues. Mendova me vete, kush ma bëri një fotografi kaq të shëmtuar?  Në momentin që do e fshija im bir hyri në dhomën e gjumit. Duke qenë se ai e merrte shpesh celularin tim, e pyeta: A e di se kush e ka bërë këtë? I ktheva ekranin  dhe ai buzëqeshi.

“Mami, të fotografova unë në Tahoe”,- më tha im bir. “Ti dukeshe shumë e bukur”.

I thashë se duhej të më merrte leje përpara se të përdorte telefonin tim.

“E di, mami. Por shih sa bukur që dukesh!”

Këtë herë u përpoqa të shihja me sytë e tij atë çfarë ai sheh. Pranë më erdhi dhe ime bijë dhe teksa më përgjonte se çfarë për shihja, buzëqeshi duke më thënë se kjo foto mund të ishte shumë mirë një kartolinë. “Je kaq e bukur mami. Më pëlqen shumë kjo fotografi e jotja”.

Mora frymë thellë. Kjo ishte pikërisht ajo që kisha nevojë.  Gjithnjë jam fokusuar te defektet dhe  të metat e mia dhe duhej të filloja të shihja më shumë se aq.  Kjo nuk do të thotë që unë nuk do t’i shoh gropëzat, kofshët e mia, celulitin. Megjithatë tashmë shoh edhe anën tjetër, një nënë në plazh që ndihmon fëmijët të kalojnë në rërë dhe shkëmbinj, në mënyrë që mos t’u dhembin këmbët.  Si çdo femër  kam luftuar me peshën gjatë gjithë kohës. Por këtë herë nuk do e lë peshën time të më mposhtë.

Ndihem e bukur! Po, më dëgjuat! Shumë e bukur, e mprehtë dhe e ndritshme. Jo tamam, por diçka e tillë.  Ndihem kështu sepse fëmijët e mi më shohin me atë sy. Nuk do të heq dorë nga ushtrimet dhe dëshira për të qenë e shëndetshme, megjithatë nuk e urrej pamjen time.  Në këtë moment thjesht i dua pafund fëmijët e mi dhe do e shoh veten ashtu si ata më shohin çdo ditë. Faleminderit, të dashurit e mi!”/Blitz.al/

Shperndaje