Blitz

 Breaking News

Kush ka të drejtë në debatin e tanishëm për kinematografinë shqiptare?

Kush ka të drejtë në debatin e tanishëm për kinematografinë shqiptare?
January 31
16:37 2020

Meqë më pëlqen përgjithësisht ta jap përgjigjen e pyetjes dhe më pas ta shtjelloj, më lejoni t’ju them që të gjithë dhe askush nuk kanë të drejtë në këtë debat. Të gjithë përveç njërit sigurisht, po për këtë do flasim pak më vonë.

Për ju që nuk e keni idenë përse po e shkruaj këtë, më lejoni që t’ju përditësoj, megjithëse nuk e meritoni sepse duhet të jeni të vëmendshëm për gjërat që ndodhin rrotull. Që para se prodhimi i fundit kinematografik i Ermal Mamaqit “I love Tropoja” të kishte premierën, nisur dhe nga promovimi i vrullshëm që ai i ka bërë përgjatë javëve, nga eksperienca e freskët e të parit “Falco”-n e Bes Kallakut apo dhe nga debati në distancë mes dy komedianëve, publiku e sidomos ata që filmat i kanë “pikë të dobët”, nisi të pyeste “Në çfarë faze është kinematografia shqiptare?” Ju do thoni që nuk kam dëgjuar askënd ta bëj këtë pyetje. Mirë, keni dëgjuar të bëjnë pyetjen “A ja vlen ta shohim kët filmin?”, që është pak a shumë e njejta gjë, vetëm se unë merret me çeshjte ekzistenciale, njerëzit merren me të prekshem.

E lëmë pas këtë moment Nietzche-jan dhe dalim tek thelbi. Kulmi i debatit për kinematografikë arriti kur professor Alfred Trebicka, disa prej prodhimeve të fundit kinematografike i quajti “paçavure” dhe ato që i bëjnë “sharlatatanë” të kinemasë. Për ju që duhe të hapni fjalorin për t’i kërkuar këto fjalë, Trebicka nuk ka mendim të mirë për filmat e rinj. Dhe pika kulminante ishte debati i djeshëm në emisionin “Shqipëria Live”, ku pikërisht profesori ishte përballë Rezart Veleshnjës, Genc Fugës dhe Zamira Kitës, për të folur në lidhje me deklarat e tij dhe për të diskutuar për këto filma. Nga gjithë ajo çka u tha në studio, ndonjëherë dhe me tone të larta, aq sa dhe Fevizu do t’i kishte zili, dhe nga ajo çka kam parë rrotull, mendoj se të gjithë panelistët, që janë të shkolluar dhe madje shkollojnë aktorë, por edhe vetë producentët, kanë shumë dhe nuk kanë aspak të drejtë. Këtë do jua shpjegoj me teorinë e famshme “Gjithçka e keqe e ka një POR nga mbrapa…

-Alfred Trabicka ka të drejtë kur thotë që disa nga filmat e fundit janë paçavurë dhe ata që duan vetëm të fitojnë prej tyre, pa bërë as minimum e kinemasë, janë vërtetë sharlatanë POR…Trebicka mungon në treg. Ku janë punët cilësore të tij dhe të kolegëve të tij që logjikisht duhet të jenë të shumta, në ekran, kinema, evenimente. Teatri po dhe akademia po, po filmi modern shqiptar?

-Ermal Mamaqi ka të drejtë kur thotë se ky mund të jetë filmi numër 1 shqiptar POR…Për shitjen e biletave ose fitimet që mund të nxjerri, sepse kjo është ajo që di të bëjë më mirë. Sa për profesionalizëm, është e vështirë. Dhe nuk po flas vetëm për skenarin, regjinë dhe lojën e aktorëve, ato mund të jenë shumë në rregull.

-Bes Kallaku ka të drejtë kur thotë se Ermali është biznesmen dhe vëtë bën humor POR…Çfarë humori bën? Publiku e gjykon kush e bën për të qeshur, vërtetë për të qeshur.

-Zamira Kita  ka të drejtë kur thotë se publiku i pëlqen kino-komeditë dhe duhet të jenë në treg POR…E ka totalisht gabim kur thotë që kanë batutë dhe humor të shëndetshëm gjithmonë, kjo nuk është e vërtetë. Shihni filmat dhe do e kuptoi për çfarë po flas!

-Genc Fuga ka të drejtë kur thotë se në gjykimin që i bëhet kinematografisë dhe gjithçkaje tjetër, pyetja “E ça të keqe ka këtu?” është më e rrezikshmja që mund të bëhet POR…Duhet të bëjmë dhe pyetjen “Ç’të mirë na sjell?”, mos e anashkalojmë. Nëse nuk e gjejmë përgjigjen, atëherë është problem.

-Drilon Hoxha ka të gjithë të drejtën e botës të bëj filma, t’i promovojë dhe të fitojë nga ato, përderisa mundet dhe ka njerëz që i shohin POR…Kjo nuk do të thotë që është profesionist i fushës.

-Rezart Veleshnja NUK ka të drejtë kur thotë se ekipi i regjisë së filmit të Ermalit është hollywood-ian dhe ka punuar dhe për filmat e 007-ës(thjesht lentet e kamerave në film janë të njejtat si tek Fast and Furious) dhe mbi të gjitha NUK ka të drejtë të gjykojë filmat sepse edhe rolet që ka pasur në to, nuk janë më shumë se 5 minuta në ekran. I mungon eksperienca për të folur bindshëm këtu, për skenën e Portokallisë mund të flasë me siguri dhe të krijojë debat sa të dojë!

-Publiku i mirë ka të drejtë kur thotë se filmat e fundit komedi duhen parë, sepse të bëjnë të qeshësh dhe për këtë kemi nevojë POR…Nuk ka pse mendimi i tij për filmin të ndalojë tek duartroktija apo ndjesia e kinemasë, duhet t’i thotë dhe gjërat që nuk i pëlqen…

-Publiku i keq ka të drejtë kur thotë se këto filma ndoshta nuk janë kinema e vërtetë dhe kjo mungon këtu tek ne…POR janë ata që nuk ja japin mundësinë kinemasë së vërtetë të bëhet komerçiale dhe të ndiqet e të ketë sukses.

Përfundimi është se kjo nuk është një çeshtje bardhë a zi, mendimet dhe përfundimet janë në cift. Përvec rasteve të rralla ku një film është i keq për të gjithë dhe për këtë s’ka dyshime. Megjithatë mua më pëlqen dhe një teori tjetër lidhur me atë që kam shkruar më lartë, që thotë: “Gjithçka që thuhet para fjalës POR nuk vlen”, kështu që gjykojeni mirë çfarë është dhe nuk është e drejtë!

Kjo është për sa më shumë komedi dhe mbi të gjitha sa më pak fjalë dhe sa më shumë punë për filma cilësorë!  /Blitz.al/

Nga Kejvin Kalo

Share