Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kur mësova t’i ktheja zënkat në çift në produktive u bëra një grua më e mirë

Kur mësova t’i ktheja zënkat në çift në produktive u bëra një grua më e mirë
January 08
13:40 2017

Teksa rritesha, të vetmet gjëra që dija për të qenit e martuar i kisha mësuar nga filmat. Këtu përfshij dërgimin e letrave të dashurisë, skenat me puthje, përqafimet e gjata dhe gjithë ato momente duke parë yjet me dashurinë e jetës. Prej kësaj mund ta merrni me mend se sa herë jam zhgënjyer në jetën reale.

Unë jam fëmijë e një familjeje që ka përjetuar divorcin. Prindërit e mi, të cilët mbetën miq përgjatë gjithë kohës, u ndanë kur unë isha 4 vjeç. Edhe pse të dy më kanë siguruar një ambient të ngrohtë familjar kurrë nuk pashë se çfarë do të thoshte martesë e lumtur. Dhe kjo është edhe arsyeja kryesore se pse nuk dija se si të zihesha pa përfunduar në ndarje.

Nga psikologjia kam mësuar se fëmijët mësojnë shumë rreth martesës nga ajo çka shohin në shtëpitë e tyre, kështu që gjithçka bën sens edhe për mua. Zënka ime e parë me të dashurin që kisha në gjimnaz ishte një tmerr. Ai më lëndoi dhe pasi pashë 2 herë filmin tim të preferuar vendosa ta lija sepse nuk e kapërceja dot.

Ndërkohë që gjërat janë më ndryshe me bashkëshortin që kam tani, i cili shpesh më duket sikur ka lindur me një maturi prej 75- vjeçari. Në takimin e parë ai më hapi derën e makinës dhe restorantit dhe porositi një verë sikur të ishte një burrë i madh. Ndërkohë që i dashuri i parë për takimin e parë më kishte dërguar në një “fast food”.

Teksa shihja këtë lloj maturie fillova të kisha shumë dilema në kokën time. Unë kam menduar gjithmonë që dikush në çift duhet të jetë dramatiku, dikush duhet të qajë, të ulërijë, ndërkohë që marrëdhënia ime me bashkëshortin ishte shumë e mirë dhe nuk kishte të tilla skena. Kjo nuk do të thotë që nuk kishte debat, por debati nuk degjeneronte në lot, ulërima dhe fyerje.

Të mësuarit se si të kundërshtosh me respekt është në fakt çelësi i gjithë zënkës së maturuar. Kur ju të mësoni që në një debat me bashkëshortin të përdorni frazën “Unë mendoj kështu” dhe jo “Ti mendon gabim”, do të jetë edhe momenti që do të kuptoni se në fakt zënkat produktive i bëjnë gjërat më të mira. Duhet të mësoni gjithashtu të thoni “më fal” dhe të pranoni gabimet tuaja. Debatet me bashkëshortin nuk duhen ndarë në debate ku ju fitoni apo humbisni, por në debate ku ju të dy përfitoni dhe aq më tepër përfiton marrëdhënia juaj. /Blitz.al/

Shperndaje