Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryevepra e Monet shitet për një çmim rekord, ja shuma marramendëse që është paguar në ankand për “Meules”

Kryevepra e Monet shitet për një çmim rekord, ja shuma marramendëse që është paguar në ankand për “Meules”
May 15
20:41 2019

Një kryevepër e padiskutueshme nga impresionisti francez Claude Monet ka thyer një rekord botëror.

Piktura e quajtur “Meules”, nga seria e famshme e veprave “Haystacks” (që në shqip janë mullarët e barit), doli në ankand në New York dhe u shit për gati 111 milionë dollarë. Shitja është një rekord i ri për veprat e Monet dhe ishte piktura e parë e artit impresionist që kalon vlerën e 100 milionë dollarëve. Ky çmimi është 44 herë më i lartë se ai me të cilin u shit në ankadin e fundit në vitin 1986.

Ishin 6 personat e interesuar për ta blerë pikturën dhe “luftuan” me njëri-tjetrin për 8 minuta duke dhënë oferta të ndryshme, derisa njëri prej tyre, që nuk e ka zbuluar identitetin, pagoi çmimin e sipërpërmendur.

E përshkruar si një nga punët më të bukura të serisë “Haystacks” të impresionistit francez, “Meules” është një pikturë e një rradhe mullarësh dhe hijeve që lenë në tokë, nën rrezet e diellit të ngrohtë.

Punën për këtë seri veprash, Monet e filloi në vitet 1880 dhe shumica prej tyre u blenë në vitin 1890 nga një çift i pasur nga Chikago, të cilët ishin dhe koleksionues veprash arti. Sigurisht çmimi që u pagua për to ishte shumë i vogël dhe qëndroi në shtëpinë Palmer deri në vitin 1986, kur u ble nga një tjetër koleksionues për 2.53 milionë dollarë. Kjo vepër është vetëm njëra nga katër pikturat e Monet që ende zotërohen nga koleksionuesit privatë, ndërkohë që 17-të të tjerat ndodhen në muzetë më të rëndësishëm të botës. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje