Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kolonat zanore të filmave shqiptarë që janë më të famshme se vetë prodhimet kinematografike

Kolonat zanore të filmave shqiptarë që janë më të famshme se vetë prodhimet kinematografike
November 06
22:26 2018

Ato janë disa nga këngët që herë pas here dëgjohen të risjella në koncerte apo organizime të ndryshme televizive nga artistë të njohur. Pothuajse të gjitha janë të krijuara posaçërisht për filmat ku janë pjesë, ato kanë tekste, muzike dhe një arranxhim shumë të mirë dhe këndohen nga këngëtarët më të mirë të kohës kur janë bërë. Dhe kur një film shqiptar fillon dhe nuk i mbajmë mend titullin apo se si mbaron, në këto raste e kujtojmë direkt kolonen zanore qe ka dhe sigurisht sa herë që luhet ne skena ne i bashkohemi momentit. Këto janë disa nga kolonat zanore të cilat në këtë ditë janë më të famshme se vetë realizimet filmike.

1.Pallati 176 –Justina Aliaj dhe Ardit Gjebrea

Sigurisht kur flasim për “Pallatin 176” duhet të duartrokasim 1 minutë paraprakisht si për të vlerësuar këtë komedi që edhe pse e kemi parë 120 herë, sërish e ndjekim nga fillimi deri në fund sa herë që shfaqet në televizor. E kënduar nga Ardit Gjebrea dhe Justina Aliaj, kënga që dhe titullin e ka “Pallati 176”, sa herë luhet diku, menjëherë të sjell ndërmend Fredin dhe Elsën dhe mbi të gjitha një nga personazhet më ikonikë shqiptarë Jovan Bregun. Ndryshe nga të tjerat mund të themi që kënga është gati në të njejtin nivel me shfaqjen televizive për sa i përket ceshtjes sa të famshme janë.

2.Treni i jetës- Ardit Gjebrea dhe Irma Libohova

Nga filmi “Binarët” nuk kam ndonjë mbresë të jashtëzakonshme por nëse të gjithë mbajnë mend diçka dhe e lidhin direkt me këtë realizim filmik është kolona zanore. “Treni i Jetës” ose siç njihet ndyrshe dhe “Kënga e Makinistit” e kënduar nga Ardit Gjebrea dhe Irma Libohova është si të thuash “Stayin Alive” i kolonave zanore botërore, një projekt muzikor më i madh se vetë filmi. Dhe meqë ra fjala, sa më shumë kohë kalon, aq më shumë e kuptoj pse Ardit Gjebrea është aq i famshëm, tipi është gjithandej.

3.Liljana Kondakçi dhe Luan Zhegu nga “Kur xhirohej një film”

Zëri të plotë të Luan Zhegut i bashkohet zëri i ëmbël i Liljana Kondakçiut për një nga kolonat zanore më të bukura ndonjëherë. Ajo që më bën më shumë përshtypje kur i dëgjoj të gjitha këto krijime është se ndyshe nga kolonat zanore të filmave ndërkombëtarë, këto janë këngë të realizuara aq mirë deri në detaj, që i përshtaten filmave në temë, mesazhe, tekst dhe muzikë, pra janë bërë në  bazë  të  skenarit të  tyre dhe nuk janë të përshtatura. E kush mund ta harrojë momentin kur djali i vogël te “Kur Xhirohej një film” flet në telefon me babin e tij ndërkohë që mamaje e tij hyn në dhomë dhe filmi ka fund të lumtur. Dhe meqë ra fjala një “shoutout’ gjigand për punën e Xhafize Kekos si regjizore.

4.Vaçe Zela- Në shtëpinë tonë

Ndoshta Miri ka qenë personazhi i filmave shqiptarë që nuk kam dashur asnjëherë kur kam qenë i vogël dhe shihja filmin por tani që jam i rritur e kuptoj që atij djali i kishte ardhur në majë të hundës më këdo nga të rriturit që e rrethonin kështu që i detyrohem një ndjesë. Por të kthehemi tek kënga, një kolonë zanore perfekte për filmin i cili realisht rrëfen për gjithcka qe ndodhte në shtëpinë e një familje shqiptare të atyre viteve. Plus është e kënduar nga e madhja Vaçe Zela kështu që padyshim ka një vend nderi në këtë listë.

5.Lule Velo Partizani, nga “Partizani vogël Velo”

“Pyet nëna çu bë djali, iu përgjigjën krismat e malit”. Nëse gjatë filmit kjo frazë e këngës nuk ju ka bërë të derdhni lot ju nuk keni zemër.Kjo në fakt është një nga këngët që mësohet dhe në shkolla për tu kënduar. Është krijimi perfekt për një film shumë të ndjerë në fakt që pavarësisht se është i mbushur me propagandë komuniste, vazhdon të shihet dhe sot me të njejtën mënyrë si atëherë. Njejtë si shumica e filmave të realizuar nga Kinostudioja.

Nuk mund të na shpëtojnë pa u përmendur dhe:

Kënga nga “Tomka dhe shokët e tij” e cila fillimisht ishte vetëm në versionin e kënduar nga fëmijët në film, më pas u realizua dhe si këngë. Pas asnjë dyshim një nga këngët më të preferuara të filmave nga të vegjlit por që është përdorur dhe nga programet e humorit herë pas here si parodi.

Kolona zonore vetëm me muzikë nga “Nëntori i Dytë” nga i madhi Kujtim Laro. Po të bënim një krahasim ky i fundit është si “Hans Zimmer” i Hollywood-it, gjithmonë perfekt në zgjedhjen e muzikës së filmave. E njejta gjë vlen dhe për filmin e pavarsisë që i shton emocionet pafund skenave. Nuk mund të harrojmë dhe muzikën nga “Zonja nga Qyteti” të Agim Krajkës e cila sjell atmosferën e fshatit të asaj kohe në mënyrë perfekte. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje