Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Këto janë mënyrat se si ta bëni më të lehtë prindërimin

Këto janë mënyrat se si ta bëni më të lehtë prindërimin
November 01
14:20 2016

Edhe nëse jeni prind i një fëmije të vogël, edhe nëse jeni prind i një adoleshenti, të gjithë besojmë se bini dakord që prindërimi është një sfidë më vete. Mund të jetë e mrekullueshme një ditë dhe stresuese një ditë tjetër. Si një terapiste dhe prind i dy fëmijëve, unë flas vazhdimisht edhe me prindër të tjerë lidhur me strategjitë që mund të ndryshojnë sjelljen e fëmijëve që prindërimi të bëhet më i lehtë.

Pyetjet më të shpeshta janë: Çfarë mund të bëj që fëmija të flejë gjithë natën? Si ta bëj fëmijën tim të mos hedhë lodra gjithandej? Si mund ta bëj vajzën time adoleshente të mos më kthejë fjalën?

Më poshtë do t’ju tregojmë disa nga mënyrat se si të bëni që të keni një marrëdhënie më pozitive me fëmijët tuaj.

  1. Rimendoni perceptimin e problemit nga ana juaj

Diçka që ju acaron pa masë te fëmijët tuaj me siguri ata e shijojnë. Nëse fëmija hedh ushqimin në tokë sigurisht që ju e urreni, por në fakt ai fëmijë po argëtohet pa masë teksa e bën këtë gjë. Dua të them se jo çdo veprim që ju duket i tmerrshëm është në fakt sjellje e keqe e tyre. Ata nuk e kuptojnë dhe kanë vështirësi ta ndajnë lojën nga veprimet e tyre.

 

2. Ulini pritshmëritë tuaja

Ndonjëherë ju harroni se fëmijët janë fëmijë! Nëse keni pritshmëri se fëmija juaj do të jetë i matur, nuk do ta bëjë kurrë shtëpinë pis, do të mbledhë të gjitha lodrat pasi të luajë, atëherë ju do të vuani shumë me veten. Sigurisht që mund të mundoheni që t’i mësoni ata të sillen si të rritur, por nuk do të mund t’i bëni ata të rritur me zor! Ulni pritshmëritë dhe shijojeni këtë periudhë.

 

3. Kujtojini vetes se edhe fazat më të tmerrshme do të kalojnë

I mbani mend dy javët e para kur e morët beben në krahë? Fazë e tmerrshme, apo jo? E megjithatë, ju e kaluat atë dhe tani ju duket se fakti që nuk fle gjumë pa ndërprerje natën është një shqetësim më vete. Mbani mend se gjithçka do të kalojë shumë shpejt, mjafton të ruani qetësinë dhe pozitivitetin deri në fund.

 

4. Ndajini përgjegjësitë edhe me të tjerët

Sigurisht që si prind ju keni ndjesinë se duhet të bëni gjithçka vetë dhe duhet ta bëni këtë në mënyrë të përsosur. Por në fakt nuk është kështu. Ju duhet t’i ndani përgjegjësitë dhe duhet patjetër që të kërkoni ndihmë edhe nga të tjerët, sepse nuk ka asgjë të keqe që hera-herës të merreni me veten dhe një i afërmi juaj të kujdeset për fëmijën.

 

5. Krijoni lidhje më shumë sesa të korrigjoni

Nëse fëmija juaj bën diçka gabim, mos kërkoni menjëherë ta korrigjoni apo t’i thoni se ka bërë një gabim të madh. Në fillim përpiquni të flisni dhe të kuptoni se pse e ka bërë këtë veprim apo sjellje. Në rast se ju krijoni lidhje me fëmijën, ai apo ajo do t’ju ndiejë më pranë vetes dhe do t’ju kuptojë më mirë për të mos e përsëritur të njëjtën gjë më vonë.

 

6. Ju duhet të jeni mentor, por jo kontrollues (polic)

Nëse fëmijët tuaj do të krijojnë idenë se ju jeni polici në shtëpi, e keni humbur gjysmën e betejës së prindërimit. Ju duhet të keni parasysh që jeni “trajneri” i tyre i jetës dhe si i tillë duhet të tregoheni bashkëpunues dhe këshillues deri në fund. Kjo është më e lodhshme se të qenit polici në shtëpi, por me siguri shumë më frytdhënëse.

 

7. Mundohuni të shikoni me sytë e fëmijës tuaj

Shumë herë prindërit nuk i kuptojnë fëmijët sepse nuk e shohin botën nga këndvështrimi i tyre, çka e bën prindërimin një duel të vërtetë. Nëse jeni empatikë do të keni një lidhje shumë më të mirë me fëmijët tuaj, sepse kur ata do ta ndiejnë që ju i kuptoni, do të sillen më mirë.

 

8. Bëhuni prind i fëmijës që keni, jo i fëmijës që do të donit të kishit

Ju donit një fëmijë atlet por në fakt keni një fëmijë që dashuron matematikën ose e kundërta? Largojini të gjitha idetë që keni pasur për fëmijën që do të donit të kishit dhe përshtatuni me fëmijën që keni. Çdo fëmijë është ndryshe, ndaj duhet ta kuptoni këtë përpara se të vendosni pritshmëritë tuaja.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje