Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kënga Magjike, java e pestë: “Lajmi i mirë dhe… lajmi i mirë”

Kënga Magjike, java e pestë: “Lajmi i mirë dhe… lajmi i mirë”
November 05
18:24 2018

“Thonjëzat e gjuhës shqipe janë këto: „. Thonjëzat tregojnë se fjalët e përfshira në to nuk janë të një natyre me pjesën tjetër të tekstit ose përdoren me një kuptim jo të zakonshëm.”

E nis kështu, përmbledhjen e kësaj jave të këngëve të prezantuar në javën e 5-të të festivalit Kënga Magjike, për t’ju sqaruar paraprakisht se thonjëzat në këtë rubrikë nuk përdoren për ironi ose për të ofenduar dikë, nëse dua ta bëj këtë nuk ka nevojë të përdor shenja pikësimi. Me gjithë dashurinë që kam për pjesmarrësit që prezantohen, vazhdojmë pa humbur kohë.

p.s. Sigurisht që do do ketë dhe lajm të mirë dhe lajm të keq, titulli është që të “eleminojmë” ata të cilët e lexojnë artikullin vetëm për lajmet e këqija.

Artistët Big

Manuel Moscati dhe Mateo Beccuci-Sempre

Dy pjesëmarrës në shfaqjet e talenteve, Manuel në “X Factor-in” shqiptar dhe Mateo në atë italian, ku është shpallur dhe fitues. Një këngë e lindur në piano e cila në kohë paqeje flet për dy vëllezër të cilët janë ndarë nga lufta, nota të tilla me një tekst të ndjerë dhe poetik është gjithçka që duam të dëgjojmë nga një duet italian. Skenografia dhe performanca shumë e bukur dhe përshtatet me këngën. Një prezantim i këndshëm në tërësi.

Lajmi i mirë: Është pozitive që artistë nga shteti fqinj përtej Adratikut prezantohen në festivalin tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për emra jo pak të famshëm si Mateo.

Lajmi i keq: Kjo këngë do shumë impenjim live. Duke u nisur nga performanca që Manuel ka bërë tek netët finale të një edicioni më parë kam dyshimet e mia nëse do arrijë ta sjelli “Sempre” ashtu si duhet.

Algert Sala-Vigan

Prezantim energjik dhe modern. Performanca ka dhe koreografi, pjesë e të cilës është dhe vetë artisti kështu që është për t’u vlerësuar. Lloji i krijimit muzikor duket që i shkon shumë dhe vokalit të Algertit dhe artit që do të bëjë. Kam rezervat e mia në lidhje me tekstin, i cili gjithmonë sipas mendimit tim nuk është modern sa duhet për këngën në tërësi. Pozitiv mesazhi dhe tema që përcjell “Vigan”, vetëbesimit i duhet dhënë gjithnjë hapësirë.

Lajmi i mirë: Këngëtarët që në të njëjtën kohë edhe performojnë janë gjithmonë një lajm i mirë, sidomos kur kënga të përcjell këtë “vibe”.

Lajmi i keq: Duhet një mendësi më moderne dhe guxim kur bëhen tekstet, për të futur dhe pjesë nga leksiku i ri i krijimeve moderne ose dhe shprehje të tilla.

Alar Band dhe Livia- Të duam ty

Padyshim një këngë me një mesazh sensibilizues super pozitiv për fëmijët me sindromën Down. Nuk mungojnë tingujt karakteristik të instrumentave të Alar Band por kësaj herë më të veçantë këngën e tyre e bën artistja e vogël Livia. Duket që është një projekt i realizuar me shumë dashuri dhe me një ide të qartë. Kombinimi i vokalistit me Livian ëshë i bukur. Presim një performancë që me siguri do jetë e veçante në netët finale.

Lajmi i mirë: Muzika “happy” e Alar Band kësaj rradhe e ndërthurur dhe me mesazhin të përcjell akoma më shumë ndjesi pozitive.

Lajmi i keq: Nëse për një moment shohim përtej mesazhit, grupi i çunave të talentuar ndoshta duhet të guxojë pak më shumë në muzikë dhe në performanca, ti shohim edhe në ndonjë gjë ndryshe në Këngë Magjike, meqë është vitrina e tyre më e mirë dhe për të disatin vit vijnë me të njejtin stil.

New Artist

Gerald Celibashi-Diamant

Që kur filloi këngën zëri i tij na paralajmëroi për atë që do dëgjonim, një interpretim të bukur dhe plot siguri. Performanca e tij erdhi graduale, sa më shumë kalonin minutat aq dhe më e bukur bëhej muzika, aq më shumë suprizoheshim ne me zërin e tij. Teksti shumë i bukur, më pëlqen gjetja e “diamantëve”, zgjedhja muzikore gjithashtu, duket që ka influenca shumë të mira. Kalon në fazën tjetër unanimisht, me siguri do shkojë larg këtë festival. Edhe meqë ra fjala në këtë vlerësim nuk ka ndikuar fakti që është nga Elbasani njësoj si unë.

Lajmi i mire: Zëri i Geraldit dhe lloji i muzikës që ka zgjedhur të bëjë, komplimenta!

Lajmi i keq: Zëri dhe talenti që ka nuk do i mjaftojnë që të fitojë vendin që meriton në muzikën tonë me shumë mundësi prandaj mos e braktis arkitekturën.

Arselinda- Ndjesë

Një baladë moderne e realizuar bukur për mendimin tim, më pëlqeu sidomos fundi dhe pjesa pas refrenit. Gjithashtu mendoj se “ndjesa” e Arselindës nxjerr pothuajse më të mirën e zërit të saj, pavarësisht disa problemeve të vogla , ndoshta nga emocionet ose problemet teknike, performanca spontane e mbështet këtë. Pjesa në këngë ku thoshte “nuk më plas’, ishte pjesa më e bukur, se nuk duhet të të plasi në fakt, kënga është e bukur.

Lajmi i mirë: Një zë i bukur i një artisteje shumë të mirë me një këngë që ka mundësi të dëgjohet goxha.

Lajmi i keq: Një vajzë e re që kritikohet se përdor fjalën “s’më plas” në tekst dhe madje çuditen që mund ta përdori dhe në të përditshmen, në 2018 lajm pozitiv nuk është njëherë.

Sergio Hajdini-Love don’t matter

Sergio mund të themi që është një artist Big që konkuron tek New Artist për shkak të burokracive. Jo vetëm sepse duket sikur ka 5 vjet që bën muzikë solide, nga zëri dhe besimi që ka në skenë, por për shkak që është përfaqësues i denjë i një rryme që pak zhvillim ka në Shqipëri. Për këtë shkak e mira do ishte ta shihnim më shumë jo vetëm në festival por edhe me këngë solo apo albume. Më vjen mirë që ka influenca nga artistë të huaj të vecantë dhe që këtë stil e ka përvetësuar për të nxjerrë më të mirë nga vetja.

Lajmi i mirë: Është lajm shumë i mirë kur mëson se ai ka krijuar gjithçka vetë, që nga muzika, teksti dhe arranxhimi. Pra është artist.

Lajmi i keq: Nuk e di pse besimi që ka në skenë të cilin e përmenda pak më parë dhe performanca në përgjithësi nuk përcolli energjinë e duhur. Sepse e keni parasysh, me këtë lloj këngë të gjithë duhet të çohen dhe të kërcejnë.

Për të ndjekur gjithë cfarë ndodhi javën e 5-të, mund të shikoni video-n e mëposhtme;

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje