Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kënga Magjike 2018, java e shtatë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”

Kënga Magjike 2018, java e shtatë: “Lajmi i mirë dhe lajmi i keq”
November 19
19:04 2018

Teksa kalojnë javët aq më shumë artistë të afirmuar prezantohen në Këngën Magjike të këtij viti, disa të vetëm e disa të bërë bashkë enkas për këtë 20 vjetor. Gjithsesi ajo që më habit e në të njejtën kohë më bëhet qejfi më shumë është se kategoria “New Artist” është në një nivel shumë të lartë, madje disa prej tyre kanë këngë e performanca aq të mira sa po të prezantoheshin tek kateogria Big nuk e dallonim fare ndryshimin. Pa humbur kohë fillojmë me lajmet e mira dhe të këqija për javën e shtatë të festivalit, i cili me çdo të dielë që kalon aq më të vëshirë po e bën që të shkruaj lajme negative:

Bruno ft Artjola Toska- Digjem

Të gjithë e mbajnë mend se si para dy viteve Bruno dhe Artjola i thanë mirmëngjes dashnisë. Të gjithë njerëzit e kënduan këngën bashkë me ta aq sa e kthyen në hit-in e festivalit. Kësaj radhe ata na tregojnë në këtë këngë se si digjen nga dashuria dhe nuk kishin si ta bënin më mirë. Muzika është e bukur, që të bën të kërcesh në çdo moment dhe teksti i kapshëm që të bën në çdo vend ta këndosh dhe ti së bashku me artistët. Njejtë si para dy viteve artistët u bënë bashkë nga Threedots dhe siç duket nga orët e para të publikimit, na kanë sjellë edhe kësaj radhe këngën hit të festivalit.

Lajmi i mirë: Ky projekt e bën fakt të kryer. Bruno dhe Artjola eshte dyshja e hiteve në Këngën Magjike dhe duhet të prezantohen vit për vit.

Lajmi i keq: Bruno vazhdon të ketë flokë bjondë, nisur nga emri dhe komentet në Youtube duhet ti bëjë prapë brun se i shkojnë më shumë.

Kastro Zizo-Sonata e gjumit

Kastro kohët e fundit ka qenë shumë aktiv në muzikë,por ndërkohë që projektet e tjera kanë qenë brenda kornizave dhe që trajtonin tema sociale, kjo vjen si një këngë që i afrohet më shumë krijmtarisë së tij karakteristike. Jo vetëm nga muzika e cila ka dhe tinguj të funky-it e qe vjen goxha moderne por edhe nga teksti. Tema më pëlqen, një këngë për gjumin vetëm Kastro mund ta bënte, sidomos me mënyrën si e ka trajtuar. Gjithashtu më pëlqejnë syzet e Kastros.

Lajmi i mirë: Kastro Zizo do të kandidojë për Kryetar Bashkie të Përmetit( për ju që e humbët e tha para performancës së tij)

Lajmi i keq: Edhe pse është në një kulm krijmtarie, as kësaj radhe Kastro nuk na solli “Gjinkallën 2” në Këngën Magjike.

Aurela Gaçe & Eli Fara- Zemra Rratatata

Që kur u përfol se do të sillnin një bashkëpunim në festival, i gjithë publiku priste se çfarë dyshja e artisteve do të sillnin. Me thënë të drejtën shumica kanë qenë duke pritur një baladë, por Eli dhe Aurela ja dolën të na surprizojnë duke sjellë një këngë e cila ka një ndërthurje rrymash muzikore që t’i përshtatet tipit të të dyjave, por edhe një tekst që shkon paralelisht me sjelljen e këngëtareve si në skenë dhe në shoqërinë e tyre. Padyshim do jetë një nga këngët më të dëgjuara, e nga ana tjetër të bëhet dhe qejfi që pas 25 viteve miqësie dy nga zërat më të dëgjuara të muzikës tonë sollën një bashkëpunim për 20 vjetorin e Këngës Magjike.

Lajmi i mirë: Aurela Gaçe bën rap në një pjesë të këngës, me rreshta nga një poezi e Fan Nolit, gjë që është sa “cool” aq edhe edukuese. Duhet ta theksojmë dhe prezencën e Etem Qerimajt me violine në këngë.

Lajmi i keq: Imagjinoni ta fitojë prapë Aurela Këngën Magjike.

New Artist

Silvi Mema- Për ty

Që kur u afrua tek mikrofoni me kitaren prisja një performancë të një kënge rrok nga Silvi dhe ashtu ndodhi. Për mua ka një zë shumë të mirë, madje dhe në disa nota të larta. Teksti i këngës gjithashtu më pëlqeu, fiks e një kënge me motive të rrokut. Edhe pse e ka muzikën si një hobi, nuk do të ishte çudi që Silvi të bënte një karrierë me performancën live të këngëve të rrokut, përveçse i shkon dhe e ka pasion, di ta bëjë mirë.

Lajmi i mirë: Muzika rrok, më specifikisht muzika e mirë rrok në është gjithmonë lajm pozitiv, sidomos tek artistët e rinj.

Lajmi i keq: Është e vërtetë që si këngë është e dëgjuar, shumë këngë rrok kur dëgjohen për herë të parë ngjasojnë me të tjera, kam përshtypjen që është lloji i muzikës. Por përveç kësaj, lajmi i keq është dhe energjia dhe performanca që nuk përcolli Silvi tek mua si fans i kësaj rryme muzike.

Amela Agastra-Më lër

Një baladë në piano e bukur dhe karakteristike për një përfaqësim shumë të mirë tek artistët e rinj,por ajo që më pëlqen më shumë është teksti, jo si zakonisht për një ndarje apo për një histori dashurie. Zëri fantastik i Amelës tregon në këtë krijim për dashurinë për veten dhe për “problemet” dhe mendimet që një vajzë e re ka. Detajet e violinës dhe “loja” me zërin e vibrimet në refren gjithashtu më pëlqyen shumë. Amela është një nga ato konkurentet që përmenda dhe në fillim të cilat fare lehtë mund të ishin pjesë dhe e kategorisë Big.

Lajmi i mirë: Performanca e Amelës ishte emocionuese, të jeptë ndjesi në çdo moment.

Lajmi i keq: “Thyerjet” që ka kënga e bëjnë të bukur po, por gjithashtu i japin rrezikun mos të bëhet këngë hit ose që do të dëgjohet shumë, me fjalë të tjera nuk është këngë që masa do ta dëgjonte në lokale apo diku rastësisht.

Xhon Jesku-Ty nuk të kam

Këtë vit çunat e talentuar tek New Artist kanë dhe një betejë tjetër midis tyre, kush kap notat më të larta. Gjithsesi deri tani për shtrirjen e zërit dhe notat e kapura Xhoni është shumë afër që të dalë triumfuesi. Kënga është një baladë e mirë, e cila përgjatë performancës ndonjëherë lihet në plan të dytë nga zëri i këngëtarit, megjithatë fakti që është një dedikim prekës dhe i ndjerë të bën të emocionohesh më shumë.

Lajmi i mirë: Xhon Jesku nisur nga kjo këngë dhe nga fakti që vjet ja doli të votojë e të votohet nga artistët e afirmuar, vitin tjetër ka shumë shanse të jetë mes këngëtarëve Big.

Lajmi i keq: Në raste emocionesh të tilla, ku përfshihet dhe një dedikim dhe një performancë e tillë do doja të mos bëja një lajm negativ. Gjithsesi tek muzika në dy tre momente mendoj se po të ishe bërë një zgjedhje ndryshe kënga do ishte akoma më e bukur.

Wendi- Ëndrra ime

Meqë ra fjala tek këngëtarët e New Artist që do mund të konkuronin pa problem dhe tek Big-ët, ja tek është Wendi e cila me muzikën që e ka krijuar vetë të kësaj kënge dhe performancën në piano ja doli të na emocionojë. Zëri i saj gjatë këndimit live është njësoj siç është dhe në performancën e regjistruar. Kënga me tekst të bukur, ka uljet dhe ngritjet që ndoshta mund t’i kem dëgjuar vetem në ndonjë këngë të Elton John. Gjithsesi kjo nuk vinte si surprizë se Wendi është e afirmuar ndër vite në shfaqje të ndryshme talentesh.

Lajmi i mirë: Wendi ja del të ngrejë në këmbë Armend Rexhepagiqin dhe Manjola Nallbanin pas prezantimit, mendoj se ky është një lajm shumë i mirë.

Lajmi i keq: Njejtë si në rastin e baladës së vajzës tjetër, e krijuar për një performancë shumë të mirë festivali, ndoshta dhe për një prezantim të arrirë te artistes, jo për masën dhe ndoshta nuk “përqafohet” përtej Këngës Magjike.

/Blitz.al/

Komento

Shperndaje