Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Jo vetëm këngë por dhe performancë, artistët që ndezën skenën e “Kënga Magjike” në 20 vite

Jo vetëm këngë por dhe performancë, artistët që ndezën skenën e “Kënga Magjike” në 20 vite
November 28
16:19 2018

Një këngë e mirë e shoqëruar nga një performancë akoma më e mirë është e sigurtë që mbahet mend gjatë. Dhe pse këtë vit bëhen 20 vjet “Kënga Magjike”, disa hite të viteve 2000 i kanë mbijetuar harrerës së kohës. E sigurt që menjëherë kur ju përmendim Ronela Hajati apo Zaimina Vasjari, ju kujtohen performancat e tyre në skenë që zgjuan debat dhe bënë bujë. Prandaj le të rikthehemi në kohë dhe t’i shijojmë edhe njëherë.

Adelina Ismajli-Nuk Ngec (Kënga Magjike 2009)
Adelina Ismajli si gjithnjë ka bërë bujë me veshjen dhe performancat në këngët e saj.Një skenë e madhe e finales së Këngës Magjike nuk është problem të mbushet qoftë dhe nga një person. Edhe njëherë, ajo riktheu veshjen me “body” që ishin dikur në modë. Një kërcim sensual që kalon nga kapja në litar në një performancë të shtrirë në skenë… jo shpesh e shohim këtë në televizion.

Zaimina Vasjari- Do pi (Kënga Magjike 2012)

Një koreografi e mirëmenduar që mbushi skenën me lëvizje dhe drita. Sigurisht që e gjithë vëmendja ishte tek kërcimi dhe performanca e Zajminës që arriti kulmin e saj me një hedhje mbi balerinët. Kjo kërkon shumë prova, përkushtim dhe mbi të gjitha guxim që jo çdokush e ka për një rast të tillë.

Ronela Hajati- Mos ma lsho (Kënga Magjike 2013)

Kush nuk mban mend performancën që theu shumë tabu, me siguri nuk e ka parë asnjëherë Këngën Magjike. Ronela si gjithnjë me risi në skenë dhe sidomos në koreografi, këtë herë surprizoi dhe ndezi skenën. Një “twerk” kokëposhtë nuk e kishim parë më herët, dhe sigurisht nga fillimi e deri në fund nuk u bë aspak dallimi mes balerinëve profesionistë dhe Ronelës.

Aurela Gaçe dhe Young Zerka- Pa kontroll (Kënga Magjike 2014)

Duke nisur që nga titulli i këngës, të gjithë mezi po prisnin performancën dhe nuk u zhgënjyem. Një veshje dramatike që i shkon aq mirë pushtimit të atmosferës. Aurela si gjithnjë një artiste që jep maksimumin e saj, së bashku me Zerkën energjik që u përshtat… një performancë pa kontroll.

Olta Boka- E fundit tango (Kënga Magjike 2013)

Një tango edhe në Pallatin e Kongreseve që Olta e realizoi më së miri. Gjithnjë shijohen kërcimet që janë të lidhura aq mirë dhe me tekstin dhe fabulën e këngës. Pikërisht performanca të tilla të kompletuara në të gjitha aspektet duhet t’i shohim më shpesh…që të mos mbetet kjo e fundit tango.

Laura Nezha- Je dashuri (Kënga Magjike 2017)
Shija e edicionit të një viti më parë ka mbetur ende. Një këngë për dashurinë, e shoqëruar aq bukur nga Laura sensuale. Gjuha e trupit shpreh më së miri dashurinë që u përcoll dhe në netët magjike të festivalit.

Genta Ismajli- Maje (Kënga Magjike 2014)

Sapo përmendet Genta na shkon mendja tek energjia. Përveç pjesëmarrjes saj të parë, edhe në vitin 2014 ajo s’mund të vinte ndryshe. Një koreografi që u shoqërua me kërcimin mbi kub. Madje të mos harrojmë të përmendin që gjatë netëve live, pas bërjes së sparkatës me hedhje mbi kub ajo pësoi dhe një dëmtim fizik. Prandaj nëse shihni performancën e natës finale, ky element është kthyer vetëm në një sparkatë të thjeshtë pa hedhje në lartësi. Kur themi sakrifica, e kemi fjalën pikërisht për këto.

Rezarta Shkurta- Të jesh e mirë s’mjafton (Kënga Magjike 2011)

Rezarta gjithnjë është dalluar për mendimin kreativ në pjesëmarrjet e saj. Ajo është vlerësuar me çmimin “Performanca më e mirë” dhe ne kemi veçuar pikërisht atë të vitit 2011.  Të përcjellësh një mesazh jo vetëm nëpërmjet fjalëve… kush më mirë se Rezarta di ta realizojë.

Shpat Kasapi- Pranë buzëve të tua (Kënga Magjike 2006)

Ndërkohë i vetmi djalë që menduam se mund të bëhej pjesë e kësaj liste është Shpat Kasapi. Kushdo që e mban mend i kujtohet ai djaloshi i buzëqeshur që kurrë nuk qëndronte palëvizur në skenë. Vetëm shijojeni këngën e mëposhtme dhe nuk do na vini faj që e përmendëm.

Gjithsesi jemi të sigurtë se edhe këtë vit do të ketë shumë surpriza të cilat presim t’i shijojmë. /Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje