Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

(Intervistë) Dikur rrezikonte të ngelte në lëndën e vizatimit, sot është një ndër piktorët më premtues

(Intervistë) Dikur rrezikonte të ngelte në lëndën e vizatimit, sot është një ndër piktorët më premtues
July 20
16:13 2017

Ardit Istrefi është djaloshi 19-vjeçar nga Kukësi, i cili është mjaft i talentuar në pikturë.  Ai ka mbaruar gjimnazin e përgjithshëm dhe nuk ka bërë shkollë për pikturë, por çdo gjë e ka mësuar vetë.

Piktura është pasioni i tij dhe duke parë punimet kupton se është duke dhënë maksimumin në këtë fushë. Arditi ka pikturuar personalitete dhe personazhe të njohura, si këngëtarë apo edhe politikanë, ndër ta mund të përmendim: Aurela Gaçe, Xhensila Myrtezaj, Dua Lipa, Barack Obama, Donald Trump, Angela Merkel,  skuadrën e kombëtares si dhe shumë të tjerë. Të gjitha punimet i publikon në llogarinë e tij në Instagram, Artstrefi dhe ka arritur një numër të madh ndjekësish.

Arditi nuk dëshiron t’ua shesë personazheve pikturat  dhe nuk po i bën as për famë, thjesht bën atë që i pëlqen.

Në një intervistë për Blitz.al ai ka treguar se si ka nisur pasioni për pikturën, cilëve personazhe u ka shitur ose u ka dhuruar pikturat e tij, si dhe cilat janë  planet e tij për të ardhmen.

1.Ardit, sa kohë ke që pikturon?

-Fillimet e mia në vizatim (me laps) kanë qenë para 4 vitesh. Ka qenë fundi i klasës së 9-të kur fillova të kuptoja që kam pak prirje për vizatim, pasi më parë nuk e kisha provuar apo menduar që mund të vizatoja. Ishte një surprizë edhe për mua. Ndërsa me pikturë (bojëra vaji në telajo) kam filluar në vitin 2016, më 1 janar 2016, për të qenë më i saktë. Pasi fillova të përmirësohesha me vizatimin doja që të perfeksionoja edhe pikturën.

2.Si lindi ideja për të pikturuar? Ka qenë një dëshirë e jotja apo i shtyrë nga dikush tjetër?

-Në fakt ka qenë një shtysë. Siç e thashë, në fillimet e mia nuk e dija që mund të pikturoja, madje profesori i vizatimit më kishte thënë që do të më ngelte në vizatim për shkak se nuk punoja shumë dhe nuk punoja mirë. Ishte profesori që më ftoi në një konkurs vizatimi për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku mora çmim të dytë. Kjo ishte shtysa ime e parë drejt botës së artit.

 

3.A bëhesh pjesë e konkurseve të pikturës në vend ose jashtë?

-Po, jam bërë pjesë e konkurseve në Shqipëri, Kosovë, Gjermani dhe shtete të tjera. Në çdo vend ku kam konkurruar jam vlerësuar me çmimin e parë (përveç konkursit të parë, ku mora vendin e dytë).

4.Shohim që shumë prej pikturave janë të personazheve të njohura, të huaja dhe shqiptare, po vetë personazhet i blejnë pikturat e tua?

-Po, punoj me shumë personazhe të njohura dhe i postoj në rrjete sociale. Arsyeja që i punoj është pasi te historitë dhe sukseset e tyre gjej inspirim. Mënyra se si ata i shohin gjërat dhe si i kanë arritur është frymëzim për mua. Mesazhet që ata përcjellin për rininë dhe njerëzimin në përgjithësi më shtyjnë që t’i hedh në letër. Nuk i kam bërë asnjëherë me qëllimin që t’ua shes atyre, dua t’i mbaj për vete që sa herë t’i shoh, të shoh mesazhin që ata më përcjellin. Por mund të them se ka pasur personazhe që i kanë blerë punimet pasi u kanë pëlqyer shumë; kanë qenë disa të famshëm shqiptarë.

5.Cili prej tyre t’i ka blerë dhe cili t’i ka pëlqyer ose të ka kritikuar për to?

-Njëri nga ata që mund të përmend është lojtari i Kombëtares Arlind Ajeti. Ka pasur edhe disa të tjerë që kanë dashur t’i blejnë, por s’mund t’ua shisja pasi doja t’i mbaja për vete (jam pak egoist nga kjo anë). Disa personazheve ua kam bërë dhuratë, një ndër ta është Angela Merkel.

Me sa kam parë komentet e tyre dhe mesazhet, pikturat u kanë pëlqyer të gjithëve pa përjashtim dhe kam pasur gjithmonë kritika pozitive. Gati shumica e personazheve i kanë shpërndarë punimet e mia në rrjetet sociale. Disa prej tyre janë Miriam Cani, Aurela Gaçe, Arlind Ajeti, Capital T, Lorik Cana.

6.Gjithmonë ke pikturuar fotot e tyre, apo ndonjëri të ka ardhur për pikturë edhe në atelie?

-Po, ka pasur disa figura të njohura që kanë ardhur dhe kanë porositur punime tek unë, një ndër ta ka qenë Besa Kokëdhima.

7.Cilat janë planet e Arditit për të ardhmen?

-Planet për të ardhmen… Në Shqipërinë e rrëmujshme e ardhmja e të rinjve është gjithmonë në pikëpyetje. Por planet e mia janë të vazhdoj studimet për arkitekturë dhe më pas ndoshta do të bëj  një shkollë për artet. Të rritem gjithmonë e më shumë në fushën e artit, të sjell gjëra sa më të bukura për njerëzit. Do të filloj të prek me art disa aspekte të shoqërisë shqiptare së shpejti. Gjithashtu jam në rrugë e sipër për hapjen e një ekspozite, që do të jetë shumë e veçantë dhe ndoshta aplikohet për herë të pare në Shqipëri. Do të punoj shumë që kjo ekspozitë të bëhet këtë vit. /Blitz.al/

 

 

Share