Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Heroina dixhitale” po shkatërron marrëdhënien prindër-fëmijë

“Heroina dixhitale” po shkatërron marrëdhënien prindër-fëmijë
January 02
12:00 2017

Fëmijët ndihen shumë më të afërt me prindërit kur këta të fundit u lexojnë libra sesa kur u japin në dorë një tabletë që ata të argëtohen vetë. Ky është përfundimi i studimit më të fundit të Institutit të Psikologjisë në Britani.

Le të analizojmë pak më thellë këtë përfundim. Pra ne jemi në dijeni se tabletat dhe teknologjia në përgjithësi po shkakton dëmtime te sytë e fëmijëve, te koha e tyre e lirë, te përkushtimi që kanë ndaj shkollës por edhe te marrëdhënia me prindërit? Nëse kjo nuk ju duket e tepërt atëherë indiferenca është bërë e frikshme. Por për të gjithë ata prindër që tremben nga ky konkluzion është koha që të ndryshojnë. Një vit i ri sapo ka ardhur, çka do të thotë se mund të fillojmë të ndryshojmë që tani marrëdhënien e fëmijëve tanë me tabletat.

Ju mund të nisni këtë ndryshim duke limituar aksesin e fëmijëve tek interneti vetëm në disa orë në ditë si dhe të vendosni kusht që fundjavat do të kalohen pa praninë e internetit. Por nëse do ta bëni këtë duhet ta bëni seriozisht, jo si ato dietat që nisin në datën 1 janar dhe përfundojnë për shumë pak ditë, por duhet një vendim konstant.

Psikologu Nicholas Kardaras e ka quajtur këtë që u ndodh fëmijëve me tabletat dhe internetin në përgjithësi një “heroinë dixhitale” dhe prindërit duhet ta trajtojnë situatën realisht sikur të ndihmonin një të varur nga heroina për t’u shëruar. Psikologu thotë se për të gjithë ata që mendojnë se ai e ka ekzagjeruar me përdorimin e këtij termi mjafton të kujtojnë momentin kur u duhet t’i kalojnë fëmijët nga tableta te detyrat e shtëpisë, që minimalisht do të dojë 30 minuta deri në 1 orë debat.

Por sigurisht, ashtu si ndaj çdo varësie tjetër, ju nuk mundeni thjesht të ndaloni diçka pa ofruar më parë një alternativë tjetër. Kjo do të thotë se nëse ju doni t’i largoni tabletat nga fëmijët tuaj duhet të ofroni aktivitete të tjera, si lojërat në shtëpi apo jashtë saj, për t’i bërë fëmijët ta bëjnë këtë ndryshim me qejf dhe jo me detyrim, sepse vetëm kështu mund të jetë një zgjidhje efektive.

Mos harroni që t’i nxirrni fëmijët për shëtitje, kërkojuni atyre t’ju ndihmojnë në punët e shtëpisë dhe gatimin si dhe aktivitete të tjera. Të heqësh dorë nga një ves është shumë e vështirë, sidomos kur kemi të bëjmë me fëmijët që rrallë herë kuptojnë se çfarë është më e mira për ta, ndaj duhet të tregoheni të duruar. /Blitz.al/

 

Share