Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Growing Up Married”, filmi që hedh dritë mbi abuzimin e femrave që martohen në moshë të vogël

“Growing Up Married”, filmi që hedh dritë mbi abuzimin e femrave që martohen në moshë të vogël
October 15
13:05 2016

“Growing Up Married” është një dokumentar i cili do ta ketë premierën në Londër në datën 30 tetor dhe shqyrton ndikimin e martesës së hershme të katër femrave, të cilat u detyruan të martoheshin që në adoleshencë në Turqinë Perëndimore.

“Kur dëgjoja disa nga historitë e tyre mendoja me vete se si ishte e mundur që ishin ende gjallë”- është shprehur regjisori Eylem Atakav në një intervistë me fondacionin “Reuters Thomson”.

Globalisht, një e treta e vajzave në vendet në zhvillim, me përjashtim të Kinës, janë martuar para se të mbushnin 18 vjeç dhe rreth një e nënta para moshës 15-vjeçare. Sipas raportimeve, martesa e hershme dëmton fëmijërinë e këtyre vajzave dhe  rrit rrezikun e abuzimit seksual dhe dhunës në familje. Thuhet se femrat në Turqi janë përdhunuar, rrahur dhe janë detyruar t’u nënshtrohen testeve të virgjërisë. Martesa e hershme shpesh vë në rrezikshmëri edhe vetë shëndetin deri në lëndime serioze nëse trupat e këtyre fëmijëve nuk janë ende gati për një marrëdhënie të tillë.

“Ka shumë histori mbi vajza që martohen në moshë të hershme, por shumë pak e dinë se çfarë u ndodh atyre”,- është shprehur kasti i xhirimit. Dokumentari përfshin gra të cilat tashmë janë 30-50 vjeç, por që janë martuar që 14 vjeç.

“Ata më veshën një fustan të bardhë një natë dhe më dërguan në një vend ku nuk kisha shkelur më parë. Kam heshtur që atëherë”,- thotë njëra nga gratë në film.

Një tjetër ka treguar tmerrin e jetesës me bashkëshortin e saj pasi atij i pëlqente ta tërhiqte nga flokët drejt dhomës së gjumit.

“I mblidhja flokët nga sheshi apo  jastëku çdo mëngjes. Ai ndjente kënaqësi me këtë veprim. Më vonë fillova t’i prisja shkurt që mos të më lëndonte më aq shumë”,- është shprehur ajo.

Atakav ka treguar se ka zbuluar gjithashtu më shumë forma të abuzimit. “Vajzat duhet të jenë të virgjëra para martesës në Turqi. Anëtarët e familjes presin jashtë dhomës së gjumit që më vonë të shohin gjakun në çarçafin e bardhë në mëngjes. Njëherë një vajze 15-vjeçare nuk i doli gjak natën e martesës dhe burri i saj i bërtiste familjes se nuk i kishin blerë një vajzë, por një grua. Vajza tregoi se më vonë e kishin çuar në një fshat për të bërë një test virgjërie dhe jeta pas saj ishte e tmerrshme. Vetëm njëra nga gratë e filmit është ende e martuar me bashkëshortin e saj të atëhershëm”.

Mosha minimale për martesë në Turqi është 17 vjeç, edhe pse martesa që 16 vjeç mund të lejohet me miratimin e gjykatës./Blitz.al/

Shperndaje