Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjyshja kalonte ditët e fundit të jetës, mbesa e saj me këtë projekt preku gjithë rrjetin

August 16
11:17 2016

Zakonisht kur njerëzit marrin lajmin se familjarë të tyre janë të sëmurë dhe nuk do të jetojnë gjatë, ata përqendrohen te kujtimet, duke reflektuar mbi çastet apo momentet e lumtura që kanë kaluar, por asnjëherë në të tashmen e tyre, sado e dhimbshme që ajo të jetë.

Por ndryshe nga çdo herë, Gaia Squarci vendosi që t’i dhurojë gjyshes së saj të dashur një kujtim të veçantë përpara se ajo të largohej nga kjo botë. Ajo dokumentoi gjithçka ndodhte me gjyshen 5 muajt e fundit me anë të fotografive. Këtë përmbledhje, Squarci e quajti “Muajt e fundit të gjyshes time”.

Ndërkohë, gjyshja Marisa Vesco kishte kaluar një eksperiencë të keqe kur kishte marrë lajmin e kancerit në gji, ndaj kur familjarët morën vesh se kanceri ishte përhapur edhe në veshka, dhimbja u bë edhe më e madhe sepse shpresat për të jetuar ishin të pakta.

“Edhe më prekës sesa thjesht një lamtumirë është fakti se gjyshja ime nuk e dinte se sa e sëmurë ishte. Familjarët e mi nuk donin ta mërzisnin dhe ia thanë në momentet e fundit që ajo ishte sëmurë. Kjo është diçka mjaft e shëmtuar, pasi nëse ajo do ta dinte se do të vdiste shpejt mund të kishte shijuar disa gjëra më tepër. Ndaj vendosa që 5 muajt e fundit t’i kaloja pranë saj dhe të dokumentoja dhimbjen njësoj siç ne dokumentojmë çastet e lumtura…”, – ka thënë e reja.

Është e magjishme se si gjyshja edhe në ditët e fundit të jetës së saj shfaqte një sjellje aq femërore, duke u lyer me parfum dhe duke vendosur buzëkuq.

“Jam shumë e lumtur që dokumentova jetën e saj dhe jo kujtimin që ajo na la pas. Mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë dhe ruaj disa nga momentet më të bukura që kam kaluar pranë gjyshes time të shtrenjtë. Duajini dhe tregojuni botës për ta për aq kohë sa janë gjallë, një fotografi në rrjetet sociale pasi ata kanë vdekur nuk do të thotë asgjë, vetëm kërkon disa pëlqime më tepër. Është një veprim egoist”, – ka përfunduar Gaia Squarci. /Blitz.al/

Shperndaje