Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Festat e Nëntorit” dhe 5 gjërat që bën çdo shqiptar këto ditë, të cilat s’kanë asnjë lidhje me patriotizmin!

“Festat e Nëntorit” dhe 5 gjërat që bën çdo shqiptar këto ditë, të cilat s’kanë asnjë lidhje me patriotizmin!
November 28
09:57 2017

Në çdo festë ka dy anë medaljesh. Janë ata të cilët gëzohen dhe përpiqen të shpërndajnë sa më shumë pozitivitet për të krijuar atmosferë të mirë dhe janë të tjerët të cilët pëlqejnë t’i gjejnë bishta gjithçkaje. Ne të Blitz.al vendosëm të “futemi në këpucën” e këtyre të dytëve sot, jo se nuk ndihemi shqiptarë dhe nuk i ndjejmë Festat e Nëntorit, por thjesht na pëlqen të jemi më vigjilentë se thjesht fasada festive, që për hir të së vërtetës, na bëhet qejfi që ekziston pasi ka fuqinë të na mbledhë bashkë qoftë edhe për dy ditë.

Që në vegjëli, nëse do t’i shihnit detajet me një sy më kritik do të vinit re se disa vendime që ndërmarrim gjatë 28 dhe 29 nëntorit nuk kanë shumë lidhje me patriotizmin, për të mos thënë fare. Por, si për ironi të fatit, këto vazhdojnë në çdo vit të ndodhin sepse janë bërë pjesë e jona, pjesë e çdo shqiptari që ka festuar të paktën një herë Festat e Nëntorit në Shqipëri.

Për t’i lënë fjalët e tepërta, po ja nisim menjëherë dhe mos harroni: E rëndësishme në jetë është t’i marrim gjërat me sportivitet e të qeshim. Njësoj veproni edhe me këtë artikull!

1- Nxënësit që numërojnë ditët e pushimit
Kemi qenë të gjithë nxënës dhe e dimë mirë se si ndihen ata që janë aktualisht duke frekuentuar bankat e shkollës. Që kur nis viti i ri akademik, nxënësit përpilojnë një kalendar paralel: atë të pushimeve. 28-29 nëntori janë të preferuarat, plot dy ditë rresht pushim! Kaq mjafton, s’ka shkollë, pak rëndësi ka se çfarë festohet. Në rastin më të mirë këto 2 ditë pushim bëhen 3 pasi zakonisht në datën 27 shkollat organizojnë festa me recitime, këngë e valle për Festat e Nëntorit, pra një shans i mirë për t’i thënë prindërve për të mos shkuar as në datën 27 në shkollë sepse “s’do bëhet mësim, ka aktivitet, kot dmth”.

 

2 – Paketat turistike jashtë vendit
Jo vetëm nxënësit por edhe të rriturit (kryesisht ata që punojnë në administratë) i shohin Festat e Nëntorit si një shans i mirë për të bërë një pushim relativisht të gjatë pas atyre të verës. Ja për shembull, këtë vit, shqiptarët kanë pasur mundësi të kenë plot 5 ditë pushim duke qenë se Kryeministri Edi Rama vendosi ta kthente edhe datën 27 në ditë pushimi vetëm që të gjithë të mund të udhëtojnë. Dhe në fakt shumë mirë, ku ka si udhëtimet! Por prisni pak, i keni parë ofertat në agjensitë e ndryshme turistike: janë të gjitha jashtë kufijve të Shqipërisë dhe mundësisht Festat e Nëntorit festohen bukur në Paris, Berlin, Barcelonë a Romë.

 

3 – Deri në 12:00 me të shtëpisë, pastaj me shoqërinë
Kjo shprehja që zakonisht thuhet për festën e Vitit të Ri, ka marrë goxha përshtatje edhe për Festat e Nëntorit të cilat janë kthyer në një target të preferuar për të gjithë drejtuesit e “club”-eve të cilët përpos fundjavës, kanë një shans të mirë për të fituar të ardhura edhe në mes të javës. Konkretisht, lokalet e natës kanë qenë plot që dje në mbrëmje (27 nëntor) pasi ideja që sot është pushim i ka bërë njerëzit të dalin e të festojnë deri në orët e para të mëngjesit. Do thoni ju, a festohet me këngë e me valle shqiptare? Jo, s’ka lidhje, Festat e Nëntorit janë sebepi.

 

4 – Nata e Bardhë e 29 nëntorit
Nata e Bardhë që festohet çdo vit në 29 nëntor u vendos kryesisht kur Edi Rama ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Kjo natë supozohet të jetë “zgjuar” deri në orët e para të mëngjesit pasi të gjithë supozohet të festojnë dhe fakti që 29 Nëntori është Dita e Çlirimit, bën sens sepse kjo lidhet me festën. Por e keni vënë re që çdo Natë të Bardhë mezi presim ndonjë këngëtar të njohur TË HUAJ të vijë të performojë në shesh? Para këngëtarit “big” dalin zakonisht këta këngëtarët shqiptarë për të mbushur sheshin, që kur të vijë këngëtari i huaj t’i gjejë njerëzit e karikuar. Hmm, a nuk duhet të ishte e kundërta?

 

5 – Fundi i nëntorit, periudha më e mirë për të blerë me ulje
Gjithnjë pranë festave të nëntorit ndodh që në të njëjtën kohë të përkojë edhe ajo që quhet “Black Friday” (e premja e zezë) ku të gjitha dyqanet bëjnë ulje drastike çmimesh. Për hir të së vërtetës, “Black Friday” është kthyer gati-gati në festë, sepse shqiptarët, ashtu si të huajt kanë bërë gjithë kohës, kanë filluar ta kuptojnë sekretin e kësaj date ndaj dhe nuk para blejnë në nëntor duke pritur fundin e tij. Me shumë mundësi, shumicën prej nesh Festat e Nëntorit do ta gjejnë me kokën futur në dengun e rrobave në dyqanet e qendrave tregtare.

 

6 – Ore, po që u lodhëm nga pazari, na duhet pak tortë kuq e zi!
Prisni, mos ja fusni kot. Torta kishte lidhje me patriotizmin, hipja sipër saj me këpucë nuk kishte…

/Blitz.al/

Shperndaje