Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Falco” nga Bes Kallaku, review-ja e filmit (spoiler free)

“Falco” nga Bes Kallaku, review-ja e filmit (spoiler free)
November 25
13:51 2019

Meqë artistët shqiptarë kanë vendosur që më në fund të kthejnë filmin shqip, pra të investojnë në prodhimin e projekteve kinematografike shqiptare, atëherë e mira do ishte që këtyre filmave t’i bëhej dhe një review, siç ndodh me të gjithë filmat jashtë. Por meqë këtu nuk ka kritikë të mirëfilltë filmash, ose ndoshta ka por janë të zënë duke bërë gjëra të tjera, atëherë këtë punë të vështirë po e marr unë përsipër në këtë rast (por mund ta merrni dhe ju, thjesht shkoni shihni filmin në kinema dhe me aq njohuri sa keni jepni përshtypjet tuaja, punë e vështirë pra).

Filmi i fundit shqip që pash fundjavën e kaluar, ishte pikërisht premiera e shumë dëgjuar “Falco”, produksion i Bes Kallakut, me protagonist Bes Kallakun dhe me menaxher marketing-u po Bes Kallakun. E para që dua të them në lidhje me këtë është që e vlerësoj shumë Besin që ka marrë një iniciativë të tillë, që është vetëm e para kam përshtypjen dhe shumë të tjera do të vijnë. Pas Ermal Mamaqit (që sigurisht nuk ja heq njeri meritat për “Dy Gisht Mjaltë”, por që s’di pse më duket si i kërcënuar nga Besi), ish-aktori i “Portokalli” vuri në jetë një skenar që sipas tij e ka shkruar prej kohësh megjithatë vetëm tani vendosi t’i përkushtohej për të nxjerrë filmin që mund ta shohim në kinema. Ajo që vlerësoj akoma më shumë nga Besi është që ai ka pritur të marrë eksperiencën e duhur përgjatë viteve për të ndërmarrë një hap të tillë, ka lënë çdo projekt tjetër ku ishte i përfshirë për ta pasur vëmendjen tek “Falco”, pra ka punuar me kohë të plotë dhe fundja shpesojmë që të bëjë dhe lekë, sepse patjetër përmbushja personale dhe profesionale është e rëndësishme, por filmat bëhen për lekë.

Si çdo projekt kinematografik tek komedia “Falco” pashë gjëra që më pëlqyen dhe disa gjëra që nuk më pëlqyen, gjëra që ndodhin. Theksoj dhe njëherë, është një review jo profesioniste, bazuar në çfarë njohurish kam unë, kështu që mendimin tim mund ta merrni parasysh, mund të kundër argumentoni ju që e keni parë, ose thjesht shkoni shihni filmin për të dhënë mendimin tuaj. Gjithashtu kjo do jetë një review spoiler free, pra nuk do ju tregoj çfarë ndodh në film.

Le t’i marrim me rradhë pjesët më të rëndësishme të filmit.

Skenari. Siç e keni parë nga trailer-i, filmi ka për protagonist personazhin e njohur të Besit, shqiptarin nga Laçi, që e kemi para shpesh në skenat që ai është ngjitur. Po, ai është me profesion “skifter”, pra vjedh shtëpiat në Itali bashkë me si të thuash “ekipin” e tij dhe nga kjo gjë bën shumë lekë. Këto janë gjëra që janë të vërteta dhe jo të shkëputura nga realiteti, pra ky personazh ekzisiton dhe në jetë, mund të pyesni italianët për këtë. Ajo që më pëlqeu është se në skenar, Besi e ka futur dhe e ka përshtatur personazhine tij shumë mirë me realitetin e sotëm social dhe politik në Shqipëri. Pra skifteri e gjen veten në listat e deputetëve të opoztivë padashje dhe ashtu i pasur, me shumë lekë, vendos të kthehet të kandidojë në Shqipëri. Ndoshta ka në parlament ndonjë deputet me hsitori të ngjashme, minus pjesën e groteskut të filmit, dhe kjo padyshim e ka lejuar Besin që skenarin ta shkruajë pa shumë mundim. Batutat (punchline-t) më pëlqyen, gjithashtu përshtatja e disa elemntëve që vitin e fundit i kemi parë në rrjetet sociale dhe janë virale. Duke qenë se jam fans i madh i filmave që futen në linjën kohore të realitetit, kjo gjë për mua ishte e bërë mirë. Edhe disa elemente karakteristike të humorit që bën Besi. Nuk më pëlqyen nga skenari disa përsëritje të vogla, pra disa gjëra që thuheshin ose pasqyroheshin 2 apo 3 herë, nuk jam dashamirës i përsëritjeve. Gjithashtu dhe kronologjia kohore, kur ka probleme, pra rradha e gjërave ndonjëherë e paqartë në film, ndonjëherë shkakton konfuzion, ose të paktën për ata që filmin e shohin me detaje. Fundi linte mundësinë për një Falco 2 që ta dini, mos u habisni po e patë. Dhe një gjë e vogël, është mirë kur çunat shikues të filmit mund ta gjejnë veten nga ajo që shohin në ekran, por fatkeqësisht filmi nuk jepte shumë detaje për personazhet e vajzave, ndoshta shikueset në publik kanë dashur një protagonsite që të bënin lidhjen me veten. Por është dhe lloji filmt që nuk e jep shumë këtë mundësi.

Aktrimi. Aktorët e vërtetë, pra ata që e ushtrojnë si profesion, Besi vetë, Albano Bogdo, Olsi Bylyku, Arben Derhemi dhe të tjerët, ndjesë për emrat që s’i mbaj mend, mu duken në harmoni totale dhe kanë bërë një punë shumë të mirë. Personalisht më pëlqyen shumë Albano dhe Olsi, tërësisht natyralë(Arbeni është heroi i fëmijërië s’ka nevojë për diskutime). Madje nëse do më lejonte Albano një ide, duhet të bëjë një serial me personazhin që pasqyronte këtu. Jam i sigurtë që Besi si skenarist dhe producent i ka dhënë gjithë lirinë e duhur komedianëve në film që të fusin dhe batautat e veta, kjo gjë dukej. Për filmin ishte goxha pozitive. Bleona, e cila është dhe në posterin e filmit, për mua bën një punë të mirë, më saktë ka bërë atë që i është kërkuar. Nuk mund ta gjykoj për aftësitë aktoriale, sepse përveç emrit të ndryshuar, dukej sikur në histori ishte vetë Bleona, ishte vetëvetja. Ndërkohë personazhet e tjerë në film, që ndodh të jenë dhe personahe të njohur në Shqipëri por jo aktorë, duhet të ishin munduar pak më shumë. E kuptoj fare mirë që duhet përfshira e tyre në projekt, ndodh dhe në Hollywood, nuk është gjë e shpikur këtu, megjithatë pak më shumë impenjim nuk do i bënte keq. Nëse merreni si aktorë, bëni aktorin, jeni në një film! Mos harroj, kompliemente Çim Peka, dhe për herën tjetër, kur bën një batutë, nuk ka nevojë ta shpjegosh batutën nga mbrapa, publiku e kupton, qesh nëse është për të qeshur.

Regjia. Okay unë nuk jam shumë i sigurtë kush është regjizori. Pra nëse është vetë Besi për të gjithë filmin, Eduart Grishaj apo një bashkëpunim mes tyre, megjithatë për mua kishte shumë për t’u përmirësuar. Kishte patjetër plane të mira, por kishte dhe plane të panevojshme. Kishte dhe skena që kishte mundësinë për të bërë shumë mirë por nuk ja kishte arritur qëllimit. Jam gati i sigurtë që dhe nga syri i Besit ka pasur vende për përmirësime, por që jam i bindur se do të bëjë më mirë në filmin tjetër për këtë pjesë. Fundja prandaj regjia është shkollë më vete.

Produksioni. Do e them që në fillim gjënë që nuk më pëlqen nga produksioni. Siç e di që është e nevojshme përfshirja e personazheve të njohur jo aktorë, e di që në film duhen inkorporuar reklamat. Megjithatë, ishin nja dy skena, që ishin vetëm reklamë, pra që nuk ishin lidhur me historinë fare. Duhet bërë punë shumë e mirë që reklamave t’i gjihet vendi në skenat e filmit, pa u shkëputur, në vazhdimësi. Se fundja nuk jemi te e “E Diela Shqiptare” ku nga duke u zënë prej flokësh në rubrikën e Eni Çobanit, mund të shkohet direkt në një reklamë salçiçeje. Prandaj kjo gjë duhet përmirësuar në produksionet e ardhshme. Nga ana tjetër, ky ishte një fillim i mbarë për “Falco Production”, në post-montazh ishte bërë një punë e mirë, më pëlqyen disa detaje. Nuk më pëlqeu mbivendosja e zërit në disa skena, nuk e di sa e nevojshme ka qenë por nëse kanë pasur mundësi ta shmangnit do dilnin më të kompletuara sipas meje.

Një ndër pjesët e mia të preferuara ishte dhe kjo:

Në fund dua t’i ve një notë filmit. Dhe duke i marrë parasysh të gjitha çka thashë më lart por dhe gjëra të tjera, padyshim dhe vështirësit për të realizuar një projekt të madh si ky në Shqipëri, në kushte që do i quaja jo optimale për kinematografinë, ku shpesh duhet të merresh dhe me detaje që nuk kanë lidhje me filmin, do i jepja Besit një 7-7.5 nga 10. Pra 7/10. Siç thonin mësueseset dhe për motivim, sepse jam i sigurtë që vetëm gjëra të mira do të vijë nga ai. Eksperienca në kinema me Falco-n, lënë mënjanë kritikat, ishte shumë e kënaqshme dhe falemindeirt që po punoni për ringjalljen e kinemasë shqiptare, sidomos komedisë! Për mua është e thjeshtë të shkruaj i ulur, puna juaj është e madhe.

Nga Kejvin Kalo

/Blitz.al/

Share