Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rrëfehet autorja e Harry Potter: për të arritur gjithçka duhet të ndiheni rehat edhe me refuzimin!

Rrëfehet autorja e Harry Potter:  për të arritur gjithçka duhet të ndiheni rehat edhe me refuzimin!
March 28
16:04 2016

Është një poster në palestrën ku shkoj çdo ditë ku thuhet: “Ti humb 100% të rasteve që nuk provon”.

Askujt nuk i pëlqen refuzimi, të ndërmarrë një iniciativë, të japë shumë nga vetja e në fund të rrëzohet. Por nëse do të jesh i suksesshëm në jetë duhet të ringrihesh. Duhet të ndërmarrësh edhe riskun që mund të refuzohesh. Ajo që thuhet në posterin e palestrës është shumë e saktë, sepse duhet të jeni 100% të sigurt që pa provuar nuk do mund të realizoni ëndrrat tuaja.

Për shkrimtaren JK Rowling të serive “Harry Potter”, refuzimet kanë qenë më të shpeshta sesa aprovimet. Këtë ajo e bëri edhe vetë të ditur javën e kaluar, duke publikuar dy letra refuzuese që vinin fill pas suksesit të saj me “Harry Potter”.

Autorja bestseller Joanne Harris thotë: “Kam marrë aq shumë refuzime për “Chocolat”, aq sa bëra një skulpturë me to…”

Dhe këto të dyja nuk janë të vetmet që janë refuzuar. Ka të tjerë si: James Joyce, George Orwell dhe John le Carre që kanë marrë një sërë refuzimesh përpara se punët e tyre më në fund të pranoheshin. Dhe sërish, edhe pas inatit apo mërzisë së refuzimit që kanë kërkuar shumë orë shtesë pune apo rishkrimi, të gjithë pranojnë se këto refuzime e kanë bërë produktin e tyre final me të mirë.

Por pse është refuzimi kaq i papranueshëm për ne? Arsyeja qëndron te ndërvarësia jonë.

Qeniet njerëzore kanë nevojë për njëri-tjetrin që në lindje. Ditët e para të jetës, nëse nuk është dikush aty në këtë fazë të zhvillimit të bebes, për të ndihmuar e për t’i ofruar dashuri, me shumë mundësi fëmija do të vdesë. Ja sa i rëndësishëm është aprovimi për njerëzit, të pëlqehesh dhe të pranohesh nga të tjerët në çaste të caktuara, kthehet edhe në arsye jetese. Sa më shumë ta doni apo vlerësoni personin që ju refuzon, aq më tepër e ndjeni dhimbjen e refuzimit. Kjo është dhe arsyeja se pse refuzimi dhemb më tepër kur bëhet fjalë për diçka të rëndësishme tonën sesa kur është diçka që thjesht na është kërkuar të bëjmë, si p.sh. një detyrë shtëpie.

Është një gjë e mirë kur e kupton arsyen se pse ndihesh keq pas një refuzimi. Por a duhet ndaluar këtu? Më shumë sesa të mendoni se sa keq ndiheni, duhet ta vendosni refuzimin në funksionin tuaj. Kur ta bëni këtë, refuzimi do t’ju ndihmojë të krijoni diçka edhe më të mirë sesa ajo që kishit bërë dhe u refuzuat. Ja se si ta bëni këtë:

Fillojeni duke mos e marrë refuzimin personal. Në vend që të thoni se çfarë shkon keq me ju duhet të mendoni se çfarë mund të rregullohet që ju të dilni të suksesshëm. Mbani mend se dështimi është ilaçi më i mirë për aq kohë sa ju mëson si të ringriheni.

Të mësosh nga dështimi, kjo është ajo që refuzimi të ndihmon të kuptosh. Të motivon për të bërë diçka më mirë. Sekreti qëndron në vendosmërinë që keni për t’u përmirësuar.

Shumë herë pacientët në zyrat e psikologëve pyesin: “Kur është momenti që duhet të kuptoj se pas një refuzimi duhet të heq dorë e të mos përpiqem më?” Përgjigjja e psikologëve është: “Asnjëherë. Për aq kohë sa keni një ëndërr, diku ku besoni fort dhe doni ta arrini, vazhdoni përpiquni!”

Refuzimi nuk do të thotë se keni dështuar. Do të thotë se ju u përpoqët, ndaj përpiquni përsëri!

(Linda Blair, psikologe)

Etiketimet
Shperndaje