Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

9 gjërat karakteristike që bën çdo shqiptar para, gjatë dhe pas festave të fundvitit

9 gjërat karakteristike që bën çdo shqiptar para, gjatë dhe pas festave të fundvitit
December 07
11:40 2019

Ditët e fundit të dhjetorit konsiderohen gjithnjë si periudha më e bukur e vitit, momentet ku dhurohet më shumë se kurrë dashuri, kur bëhen dhurata, kur bashkohesh me njerëzit që ndoshta nuk i ke takuar për shkak të largësisë apo angazhimeve të punës, ku lihet pas çdo moment i pakëndshëm dhe ku bën gëzuar me njerëzit e tu më të dashur. Pikërisht këto ditë të mbushin me energji pozitive dhe gjithçka të duket e bukur. Ne shqiptarët njihemi si një popull që na pëlqen të festojmë shumë Vitin e Ri duke respektuar disa rregulla të pashkruara deri në detajet më të vogla. Gratë mbyllen me ditë në shtëpi, tollin petët e bakllavës e byrekut, pastrojnë shtëpinë me themel, mëngjesin e 31 dhjetorit izolohen në kuzhinë që herët që darka e fundit e vitit të jetë e bollshme dhe e bukur. Por këto nuk janë të vetmet gjëra që shqiptarët kanë zakon të bëjnë për vitin e ri. Në vijim do të gjeni 9 situata të tjera në të cilat jemi të sigurt se çdo shqiptar do të gjejë veten.

1-Shpenzojnë për 1 ditë sa për 2 muaj bashkë

Nëse ka një moment në të gjithë harkun kohor prej 12 muajsh ku ne shqiptarët nuk kursehemi aspak janë pazaret e Vitit të ri. Për ne është shumë e rëndësishme që tavolina mbrëmjen e 31 dhejtorit të mbushet plot me një larmishmëri ushqimesh ku sigurisht kryesori është mishi, sidomos gjeli i detit. Amvisat nuk kursehen dhe shpenzojnë aq shumë sa blejnë ushqime dhe gatuajnë që shtëpia të hajë sa për gjithë muajin.

2-Fishekzjarret

Edhe pse tentuan t’i ndalonin, mënyrën e shqiptarëve për të festuar nuk e ndryshon dot askush. Fishekzjarret dhe kapsollat janë një detaj i pandashëm i çdo fundviti aq sa është e pamundur të mendohet se Viti i Ri mund të festohet pa to.

3-Urojnë që në 31 në mëngjes. Përvecse dërgon urimin slogan  tëndin duhet të dërgosh edhe të babit.

Tashmë askush nuk çuditet që urimet për fat dhe shëndet për vitin e ardhshëm të vijnë që mëngjesin e datës 31 dhjetor. Arsyeja apo justifikimi më shpesh i përdorshëm është ky: Urojmë tani se më vonë ngarkohet linja. Duket disi e çuditshme në fakt por ja që kështu ndodh. Në aparatin tuaj celular vërshojnë mesazhe të panumërta shpesh me një tekst të njëjtë dhe të përgjithshëm. Por përveçse të duhet të bësh urimet e tua, kurrsesi nuk mund t’i shpëtosh edhe babit, i cili gjithnjë të gjen ty për t’u nisur mesazhe miqve të tij. Të mos harrojmë edhe nj ëelement tjetër shtuar vitet e fundit. Ato fotot e tmerrshme me shkrim brenda që dërgohen si urim në messenger.

4-Lahen në datë 31 që ti gjejë viti i ri të larë.

Një tjetër rregull për vitin e  ri është se dita e parë e muajit janar duhet të të gjejë të krehur, larë, parfurmosur në mënyrë që po ashtu të jesh gjatë gjithë vitit. Besojeni apo jo po ka edhe nga ata që lahen pak minuta përpara se të vijë viti i ri.

5-Në 12 me të shtëpisë, pas 12 me shoqninë

Nuk ka bir/bijë nëne që thyen rregullin e pashkruar të shqiptarit se ora 12 momenti kur akrepat shkojnë 00:00 , 1 janar të mos e presin përpara tavolinës së shtuar, rrethuar nga familjarët apo fisi. Sado i madh të jesh nuk mund t’i shpëtosh zakonit se viti i ri duhet të të presi në familje ndërsa pasi ora të kalojë të festosh me shoqërinë.

6-Foto e tryezës duhen ndarë në rrjete sociale, të shohin bota se e kemi tavolinën plot

Mohojeni po deshët që kryefaqja e rrjeteve sociale nuk u mbush me foto familjare të tavolina të shtruara plot.

Gratë kanë një zakon, për to e rëndësishme është sasia, tavolina të jetë shtruar aq plot sa të mos kesh mundësi të vendosësh as një stikadent. Kjo sepse asnjëherë nuk i dihet, shohin të tjerët cfarë kanë gatuar, si e kanë shtruar e dekoruar tavolinën dhe shtëpinë.

7-Në mëngjesin e datës 1 në shtëpi duhet të hyjë ose një fëmijë ose një nuse e re për të bërë këmbën e mbarë

Kujdes kujt ja hapni derën e shtëpisë mëngjesin e 1 janarit. Legjendat shqiptare thonë se që viti të ecë mbarë në shtëpi duhet të hyjë një njeri i mbarë, një nuse e re ose një fëmijë, gjithnjë me këmbën e djathtë sigurisht.

8-Bakllavanë e përfundojnë në janar

Nëse shkoni sot ose në çdo ditë të muajit janar në shtëpinë e një shqiptari gjithnjë do ju servirin si ëmbëlsirë bakllava. Kjo sepse aq shumë kishin bërë saqë ajo ka dalë dhe ka tepruar edhe për muajin janar.

9-Bllokojnë doganën më datë 2.

Nëse ka një periudhë të vitit kur doganat krijojnë rradhët më të gjata në Shqipëri, janë pikërisht për festat e fundvitit. Emigrantët rikthehen në vendin e tyre për të festuar pranë familjarëve dhe gjithnjë largohen në datën dy. Kjo është një arsye përse në të gjitha doganat, pikat kufitare në Shqipëri krijohen rradhë të gjata dhe të duhet të presësh orë të tëra për ti kaluar./Blitz.al/ I.M

Share