Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

5 hapa të thjeshta për t’u bërë një bloger i suksesshëm

5 hapa të thjeshta për t’u bërë një bloger i suksesshëm
May 17
12:32 2016

Të gjithë njerëzit që kanë talent në shkrim, janë duke jetuar në epokën e tyre të artë. Me gjithë rrjetet sociale, njerëzit kanë hapësirë të mjaftueshme për t’u shprehur dhe për të fituar audiencë. Por nëse jeni një nga ata që mendoni se keni lirshmëri në shkrim dhe talent për të fituar ndjekës, atëherë duhet të krijoni markën tuaj duke hapur një blog. Merrni parasysh që ekzistojnë rreth 152 milionë blogje në botë dhe blogerët më të mirë janë sot miliarderë vetëm duke punuar me një kompjuter. Më poshtë ndiqni këshillat që ata kanë përmbledhur për t’u bërë një bloger i suksesshëm:

Hapi 1: Përpara se të nisni një blog, bëjini vetes këto pyetje

Për çfarë temash dëshironi të shkruani? Çfarë mënyre shkrimi doni të mbani: informues, argumentues, satirik, letrar? Doni të mbeteni gjithnjë anonim? Sa shpesh do të postoni? Çfarë dëshironi të përfitojnë lexuesit tuaj nga postimet tuaja? Si planifikoni të rrisni numrin e lexuesve? E keni thjesht pasion për kohën e lirë apo doni ta ktheni në profesion dhe të fitoni para prej kësaj?

Nëse arrini t’u ktheni përgjigje të sakta këtyre përgjigjeve dhe të krijoni një plan siç duhet, atëherë e keni në dorë një nisje të mbarë të një blogu të suksesshëm.

Hapi 2: Zgjidhni një platformë

Ka disa platforma që ju mund të zgjidhni: WordPress – platforma më e përdorur nga profesionistët; Tumblr – platforma më e thjeshtë; Medium – nëse nuk ju intereson shumë pamja, por përmbajtja. Por kjo zgjedhje duhet bërë në bazë të disa kritereve: sa kohë doni të harxhoni për të krijuar pamjen e blogut; sa para doni të investoni në fillim dhe kujt doni t’i drejtoheni me shkrimet tuaja.

Hapi 3: Krijoni dhe shpërndani  shkrimet tuaja

Nëse nuk keni punuar ndonjëherë në ndonjë redaksi revistash apo gazetash, kjo mund të jetë pak më e vështirë për ju, sepse përveç krijimit të shkrimeve të përshtatshme ju duhet të mësoni edhe t’i reklamoni ato. Fatmirësisht, rrjetet sociale e kanë lehtësuar këtë punë duke marrë parasysh faktin se 31% e blogerëve shpërndajnë shkrimet e tyre në Facebook. Përpara se të shkruani krijoni mirë strategjinë e shpërndarjes. Përpara se të nisni një blog, sigurohuni të keni shumë ndjekës në Instagram apo Facebook.

Hapi 4: Përfshihuni aq sa duhet

Të qenit konstant është po aq e rëndësishme sa vlera e përmbajtjes së shkrimeve tuaja, por mos kërkoni të jeni rigoroz gjithmonë. Frymëzimi për të shkruar materiale të mira nuk mund të jetë konstant, kështu që mos u përpiqni të shkruani çdo ditë sepse nuk do të keni sukses për sa i përket pëlqyeshmërisë. Mos harroni që ndonjëherë të bëni lexuesit tuaj “të ndiejnë mall” për shkrimet tuaja. Nëse vini re se ata vazhdimisht ju kërkojnë mund të konfirmoni kështu pozicionin tuaj.

Hapi 5: Fitoni para nga blogu

Ka disa mënyra se si mund të fitoni para me blogun tuaj. Thjesht duhet të prisni, mos mendoni se do të fitoni para që në momentet e para. Ju duhet të shkruani materiale që i interesojnë ndonjë kompanie apo sponsorizuesi që më pas t’ju paguajë për këtë. Por edhe nëse nuk dëshironi të shkruani materiale lidhur me interesat e ndonjë kompanie, keni për të parë se nëse zgjeroni publikun që ju ndjek këto kompani do të afrohen vetë te ju.

 

Etiketimet
Shperndaje