Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

10 këshilla të vlefshme se si t’i përballoni provimet e maturës

10 këshilla të vlefshme se si t’i përballoni provimet e maturës
June 22
14:25 2016

Merrni frymë thellë, organizojini idetë dhe fokusohuni tek objektivi!
Këto janë vetëm disa nga këshillat e vlefshme të cilat të gjithë maturantët duhet të kenë parasysh para se të kryejnë provimet e maturës.

Për t’i ndihmuar sadopak nxënësit e për t’u dhënë atyre forcë në këto ditë të vështira, “Skuola.net” i ka kërkuar psikoterapeutes Maura Manca disa këshilla se si mund të kalohet ai që quhet “bllokimi” para testimit.

Ja 10 këshilla që ju ndihmojnë në rast se bini pre e një situate të ngjashme:

1) Pasi ju dorëzojnë testin, papritur ndiheni “të dobët” e konfuzë
“Mund të ndodhë. Niveli i stresit rritet shumë shpejt pasi është momenti në të cilin ndodheni pikërisht para provës të cilën e kishit imagjinuar prej kohësh. Për një moment emocionet pushtojnë terrenin, ama nuk duhet të mposhteni prej tyre. Është e rëndësishme të merrni frymë thellë e ta nxirrni atë, në mënyrë që trupi e mendja të kthehen në normalitet. Më pas mjafton ta ruani këtë gjendje qetësie që gjithçka të ecë mirë.”

2) Nuk ju kujtohet asgjë nga argumentet e temës për të cilën duhet të shkruani
“Pa frikë! Shpesh krijohet një gjendje “errësire” mendore, pasi në kokë janë grumbulluar njëkohësisht shumë informacione që për pak mund t’ju bllokojnë. Truri ka nevojë për pak kohë për të rifilluar e për të “peshkuar” informacionet që ju duhen. Duhen organizuar idetë pa pasur frikën e  gabimeve. Gjithashtu mund edhe të mbani shënim idetë që ju vijnë në moment, për t’ua bashkangjitur më pas informacioneve që keni mësuar”.

3) Të gjitha pyetjet duken të vështira
“Në një fazë të parë, të gjitha pyetjet apo ushtrimet lexohen me ankth dhe kështu perceptohen më të vështira në krahasim me atë që janë në të vërtetë. Gjendja e tensionit e bën leximin më sipërfaqësor dhe “turbullon” memorien, gjë që ju bën të mos i mendoni qartë zgjidhjet. Duhet larguar sa më shpejt ankthi dhe mendimi se nuk do t’ia dilni. Rilexoni me kujdes pa qenë nevoja të pyesni të tjerët për zgjidhjet. Përqendrohuni maksimalisht”.

4) Bllokoheni dhe nuk vazhdoni dot më
“Kjo ndodh sepse jeni shumë të përfshirë. Mund të ndodhë edhe pasi arrini të shihni fundin e tezës, gjë që krijon një lloj çlirimi. në këtë rast nuk do ishte keq t’i lejoni vetes pak pushim. Ju bën të rigjeneroheni dhe ta rinisni më të kthjellët”.

5) Ju duket sikur është hera e parë dhe e fundit
“Testet e zhvilluara gjatë vitit krijojnë më pak stres, për faktin se qetësia është më e madhe duke qenë se edhe nëse një gjë nuk shkon mirë, mund të përmirësohet më vonë. ndërsa, prova finale shihet si e vetme dhe e papërsëritshme, ku nuk mund të gabosh. Kjo gjë shkakton shqetësime të shumta të cilat lindin pasigurinë. Mjafton vetëm të merrni frymë thellë e t’i kujtoni mendjes dhe trupit se një provë të tillë e keni kaluar shumë herë të tjera, prandaj nuk ka arsye që të mos arrini rezultatet e dëshiruara”.

6) Pasiguria ju shtyn të kontrolloni gjithçka në fjalor
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Dyshimet dhe pasiguritë mund të “shpërthejnë” në momente të caktuara. Në rastet e provimeve me kaq rëndësi, edhe ato gjëra që i mendonit si të sigurta mund të shndërrohen në të paqarta. Pra, ju duhet të qetësoheni dhe pasi të keni kontrolluar për ato që keni frikë, do të kuptoni se jeni stresuar për asgjë”.

7) Mungesa e përqendrimit
“Në të tilla raste, tensioni i brendshëm “merr dhenë”! Ndjeshmëria është shumë e madhe dhe mund të hutohesh nga çdo gjë që të rrethon. Kjo është një metodë për t’ia mbathur e për të mos u përballur me frikën e shkaktuar nga testimi. Është e nevojshme të kërkoni të përqendroheni dhe të rikujtoni objektivin tuaj kryesor, duke u qetësuar për së brendshmi”.

8) Nuk e gjeni veten tek ato që keni shkruar
“Kjo është një ndjesi e shpeshtë; nuk e njihni veten në atë që keni shkruar apo nuk e gjeni atë që keni dashur të thoni. Kjo lind prej frikës nga gabimi, apo se nuk i keni bërë gjërat siç duhet, gjë që çon në një shkëputje të vetes nga ajo që keni shkruar, thuajse si një shkarkim përgjegjësish. Frika nga vlerësimi, e përjetuar thuajse si një gjykim mbi personin nuk ju lejon të ruani kthjelltësinë për ta parë qartë atë që keni realizuar”.

9) Mbaroni tezën shumë më shpejt se koha në dispozicion
“Çdokush merr kohën e tij. Dikush në çastet e tij të tensionit arrin të përqendrohet më shumë, duke sjellë më shumë rezultat. Por më pas duhet marrë parasysh nëse ajo që keni shkruar është saktësisht ajo që kërkohej. Thënë kjo, është e rëndësishme që gjërat të mos bëhen duke u nxituar, por me vazhdimësi dhe efikasitet. Nëse keni më shumë kohë nga sa kishit menduar, mund të pushoni pak për të rilexuar gjithçka nga e para”.

10) Kur ktheheni në shtëpi ju kaplojnë dyshimet
“Është normale të mendoni për ato që keni shkruar, apo të pyesni të tjerët se si janë përgjigjur. Ama prova tashmë është kryer dhe është pa vlerë të harxhosh energji të tjera. Dyshimet e tepërta nuk do të mund ta korrigjojnë atë që keni shkruar, kështu që qetësohuni dhe mendoni se ç’do bëni të bukur ditën që vjen.

Komento
Etiketimet
Shperndaje