Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vajza e Lasgush Poradecit, akuza Dritëro Agollit: Refuzoi që babait t’i bëheshin homazhe në Pallatin e Kulturës…

Vajza e Lasgush Poradecit, akuza Dritëro Agollit: Refuzoi që babait t’i bëheshin homazhe në Pallatin e Kulturës…
October 10
12:45 2016

Ditën e sotme ka nisur java “Dritëro” dhe gjithë vëmendja mediatike është përqendruar mbi karrierën e shkrimtarit.

Më 13 tetor, një ndër letrarët më të njohur shqiptarë, Dritëro Agolli, feston 85-vjetorin e tij. Megjithatë, një status i vajzës së shkrimtarit Lasgush Poradeci ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Marie Poradeci, në një status në Facebook, ka treguar momentet e fundit të babait të saj, shkrimtarit të madh, para se të ndërronte jetë dhe arsyen se pse nuk u kryen homazhe në nderim të tij.

“Ishte qershor i vitit 1982. Babai im, që ishte me motrën në Pogradec, pësoi një ishemi cerebrale shumë të fortë. Atëherë ai ishte 83 vjeç. Unë dhe mamaja ishim në Tiranë. Mamaja kishte mbi 10 vjet që vuante nga një artrit i fortë deformant dhe lëvizte me shumë vështirësi. Motra e shkretë midis lotëve na lajmëroi, duke na e bërë gjendjen e tij shumë serioze. Mes njëmijë vështirësive vendosëm të shkonim në Pogradec. Duhej të ishim atje sa më shpejt, sepse ndoshta ishte hera e fundit që e shikonim. Me mundim të madh gjetëm një taksi dhe me gjithë gjendjen e rënduar të mamasë u nisëm në orën shtatë të darkës. Gjithë rrugës qanim të dyja në heshtje. Qanim dhe mendonim. Eh, sa shumë gjëra! Arritëm në Pogradec rreth mesnatës. Gjendja e babait shumë e rënduar. Shumë pogradecarë të shqetësuar vinin poshtë te dera dhe pyesnin për gjendjen e tij”.

Vajza e shkrimtarit shkruan se ishte pikërisht Dritëro Agolli, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, që nuk pranoi që trupi i babait të saj të vendosej në Shtëpinë e Kulturës, ku mund t’i jepte lamtumirën e fundit i gjithë qyteti i tij.

“Në ato ditë, kur im atë luftonte me vdekjen, erdhi në Pogradec, me makinën e tij, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli. Sigurisht, shkrimtari komunist nuk erdhi në shtëpinë tonë, qoftë edhe për të bërë një vizitë kortezie tek i sëmuri, sipas zakonit shqiptar. Dikush guxoi dhe i tha: “Në qoftë se Lasgushi vdes, a duhet ta vendosim trupin e tij në Shtëpinë e Kulturës, për t’i bërë homazhe dhe t’i japë lamtumirën e fundit i gjithë qyteti i tij?” Ai u përgjigj prerë: Jo, jo, ai do të varroset si njeri i zakonshëm”,- ka përfunduar Marie Poradeci.

Pas statusit të vajzës së Lasgush Poradecit, në faqen zyrtare të shkrimtarit Dritëro Agollit, që mendohet se menaxhohet nga vajza e tij, Elona Agolli, është postuar një replikë. Përmes një poezie që Agolli ia ka kushtuar shkrimtarit, duke e quajtur “Lasgushi i madh”, ka qenë ky reagimi ndaj fjalëve të Marie Poradecit.

LASGUSHIANE – nga Dritëro Agolli
Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,
Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh.
Kur me helm po pija kupën, siç e piu Sokrati plak,
Ti më the ta pinim bashkë, veç të prisnim edhe pak.
Ti the pak, po prita shumë, – mendjeturbullt gjithë ujem,-
Dhe pastaj e fsheha kupën të shpëtoja nga ky helm.

S’e besoj të vish ta pimë, as të dukesh më në prag,
Helmi i hershëm nuk na duhet: ti je plakë e unë plak …
Në çdo plak e në çdo plakë helmi fshehur rri në trup,
S’ka pse helm të marrim vetë dhe të bëhemi për turp.
Helmi herët duhej marrë, pa u ndarë as unë, as ti,
Se tani ka pleqëria helm me poçe dhe kusi.
Në çetelet e kujtimit, siç këndoi Lasgushi i madh,
Veli yt i çupërisë nëpër mjegull vitesh zbardh …

/Blitz.al/

Shperndaje