Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Toka bën muzikë për ata që mbajnë vesh”. Hap dyert edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Jazz-it dhe Verës

June 22
11:46 2017

Në skenën me qiell të hapur plot pluhur yjesh në Porto Palermo, do të rrugëtojnë artistë të skenës së jazz- it ndërkombëtar.

“Toka bën muzikë për ata që mbajnë vesh”. (W. Shakespeare)

Kjo është motoja e edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Jazz-it dhe Verës, prej nga i ka fillesat muzika e tokës dhe natyrës, gjithçka e tingullt e planetit tonë, prej nga buron dashuria, të cilës i falemi dhe rrekemi ta ushqejmë dita-ditës, me kujdesin si ndaj një foshnje, njësoj dhe ndaj tokës, banesës sonë të përhershme. Ky është një prej mesazheve më të fuqishme që “Jazz & Wine Festival” përçon përmes urës muzikale. Ndaj jo pa qëllim, ky edicion i dytë është zhvendosur në gjirin e Porto Palermos dhe në mjediset e brendshme të Kalasë së Ali Pashës.

Festivali ka për qëllim gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për vendet me vlera të rralla historike, muzeale dhe natyrore, të cilat duhet t’i mbrojmë dhe t’ua lëmë pas brezave që do të vijnë. Një tjetër qëllim i “Jazz &Wine” 2017, është ta kthejë muzikën në mjet komunikimi mes kombeve të ndryshme dhe vendeve fqinje. Festivali do të ftojë në skenën e tij artistë shqiptarë nga Diaspora dhe trojet e Shqipërisë, nga vende të Ballkanit, si Maqedonia, Kroacia, si dhe nga Zelanda e Re, Bregu i Fildishtë, Kuba, Kolumbia, Gjermania, Holanda, Turqia etj., duke e kthyer gjirin e Panormos (emri i lashtë për Porto Palermon, që do të thotë “vend i mbrojtur”) në një port komunikimi përmes muzikës.

Emra që zbresin nga skenat ndërkombëtare, disa prej të cilëve e shkelin për herë të parë tokën tonë. E tillë është artistja nga Havana de Cuba, Maryali Pacheco! Pianistja dhe kompozitorja Pacheco shkrin me mjeshtëri disa zhanre muzikore. Ajo noton mes klasikes, jazz-it dhe ritmeve virtuoze latine. Gjithashtu mbi madhështinë e detit Jon do të ngjizen tingujt magjik të Balafonit, performuar nga pinjollja e klanit të muzikantëve të mirënjohur Keita nga Afrika Perëndimore – Mali, i famshmi Aly Keita. “Latin Jazz” dhe “Balkan-beat” do të përqafen nën këmbë të Kalasë së Ali Pashait, duke bërë që muret e tij të zgjohen nga gjumi letargjik i atyre kohërave bëma-mëdha. E ndërsa fjalët duhet të shijojnë njësoj, si vera për buzët, kjo e fundit është shoqëruesja besnike e dy netëve të festivalit, ku do të prezantohen verërat më përfaqësuese që vijnë nga Maqedonia, Kosova, Greqia, Gjermania, Franca dhe Italia, shoqëruar me traditën e pasur të kulinarisë. Foleja e jazz-it, verës dhe dashurisë, ju pret në Porto Palermo, t’i gëzoheni së gjithës! /Blitz.al/

Shperndaje