Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Teatri Kombëtar çel sezonin e ri me “Kujtesa e ujit”

September 12
16:37 2016

Teatri Kombëtar do të çelë sezonin e ri me shfaqjen “Kujtesa e ujit”.

“Kujtesa e ujit” është vepra e autores angleze Sheila Stefanson dhe do të interpretohet në skenë nga Rajmonda Bulku, Olta Daku, Violeta Banushi Trebicka, Jonida Vokshi, Neritan Liçaj dhe Marin Orhanasi.

Mbi këtë komedi të zezë mbështetet historia e tri motrave, të cilat i bën bashkë funerali i nënës së tyre. Në qendër të veprës janë tri motrat, tre karaktere shumë të ndryshme nga njëra-tjetra: Tereza, Meri dhe Katerina. Pas shumë vitesh ndarjeje, ato takohen së bashku në funeralin e së ëmës, dikur një grua shumë e bukur, pas së cilës çmendeshin të gjithë meshkujt e fshatit. Ato nuk janë të lumtura. Tereza është një shtëpiake e lodhur nga përditshmëria, Meri ka ngecur në një marrëdhënie pa krye me një burrë të martuar, ndërsa Katerina, më e reja, nuk arrin të krijojë një lidhje të qëndrueshme, duke ndërruar shpesh partnerët.

Nëpërmjet interpretimit të mrekullueshëm, aktorët do të shfaqin një histori njerëzore, bashkëkohore, që ndërthur marrëdhëniet familjare mes nënës dhe vajzave. Me skenografi të Ledia Hajdarit, kostumografi nga Maldrita Rica dhe nën regjinë e Rozi Kostanit, premiera e komedisë do të shfaqet më datë 15 shtator dhe do të vazhdojë për rreth një muaj në skenën e Teatrit Kombëtar./Blitz.al/

 

Shperndaje