Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shtëpia e Ismail Kadaresë, ndër destinacionet më të preferuara kulturore

July 16
18:33 2016

...

Picture 1 of 21

Pak muaj më parë, shtëpia e letrarit me famë botërore, Ismail Kadare, hapi dyert e saj për të gjithë artdashësit dhe turistët. Kjo shtëpi, përveçse përmban kujtimet e një shkrimtari të njohur ndërkombëtarisht, mbart edhe vlera të mëdha arkitekturore. Pas restaurimit ajo është kthyer në një vend turistik ndër më të vizituarit në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Në një intervistë për Blitz.al, Skerdi Thomai, me funksion përgjegjës për Trashëgiminë Kulturore dhe Turizmin në Gjirokastër, ka treguar detaje për sa i përket shtëpisë së shkrimtarit dhe interesit të turistëve për ta vizituar. Ai gjithashtu ka folur për një nga festat më të rëndësishme të qytetit, që organizohet në kuadër të 11-vjetorit të  përfshirjes së Gjirokastrës në UNESCO.

“Gjirokastra është një vend me pasuri të mëdha kulturore e tashmë  shtëpia e shkrimtarit Kadare është një nga vendet më të vizituara të qytetit. Restaurimi i kësaj shtëpie ka zgjatur rreth 6 vite dhe është realizuar me dy faza. Ashtu si dhe shihet në foto është bërë një punë e mrekullueshme në gur dhe dru. Dita e parë, inaugurimi, ka qenë një sukses dhe ka pasur shumë të ftuar. Mes nesh kanë qenë shumë personalitete të pushtetit lokal, kryeministri Rama, kryetari i Parlamentit Meta, ministrja e Kulturës, si dhe deputetë të zonës, të cilët kanë dhënë nga komentet më pozitive. Një detaj interesant është se kushdo që ka ardhur dhe na ka vizituar, madje edhe emrat e sipërpërmendur, mbresat e tyre i kanë shkruar në “librin e përshtypjeve”. Përveç tyre, padyshim populli ka qenë i pranishëm jo vetëm atë ditë por edhe muaj më vonë. Nëse do t’u referohemi statistikave mund të them se që prej inaugurimit të shtëpisë së Kadaresë, në lumin e madh të vizitave që ka ky qytet kjo shtëpi e ka rritur me rreth 20% turizmin në Gjirokastër.  Ajo që është më e rëndësishmja të thuhet është se ka shumë turistë të huaj, por ka edhe shumë shqiptarë të cilët kanë ardhur të na vizitojnë. Pjesë e këtyre vizitave, edhe pse pas disa muajsh, ka qenë edhe vetë Ismail Kadare. Pavarësisht natyrës së tij hermetike mund të themi se nga ana e tij nuk pati asnjë kritikë, përkundrazi. Ai dhe familjarë të tij janë shprehur dr nuk e kishin  imagjinuar se shtëpia do të rikonceptohej në këtë mënyrë. Tashmë plani ynë i afërt është arredimi, për të cilin Ministria e Kulturës ka vendosur të bashkëpunojë me një studio italiane dhe me arkitektë italianë. Aktualisht  shtëpia është nën administrimin e bashkisë së Gjirokastrës. Këto ditë, specifikisht të premten dhe të shtunën, jemi duke organizuar “Koncert në gur” në kuadër të 11-vjetorit të Gjirokastrës si pjesë e UNESCO-s. Tashmë kjo është një traditë për qytetin tonë, më herët e festuar si “TRAKU FEST” (trashëgimi – kulturë – festë), ndërsa sot e përshtatur edhe me qytetin quhet “Koncert në gur”.  Në mbrëmje, nën shoqërinë e muzikës ftojmë të gjithë qytetarët në sheshin “Çerçizi” t’i bashkohen kësaj feste”.

Blitz .al ka vizituar shtëpinë muze të shkrimtarit Kadare. Shfletoni galerinë për të parë ambientet e brendshme dhe të jashtme të këtij destinacioni kulturor.

Komento
Shperndaje