Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Shqipëria dhe Kina, bashkëpunim për kulturën, artin dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Shqipëria dhe Kina, bashkëpunim për kulturën, artin dhe zhvillimin e qëndrueshëm
September 21
16:01 2016

Në vijim të strategjisë së diplomacisë kulturore që zhvillon Ministria e Kulturës, këto ditë ndodhet në Kinë ministrja Mirela Kumbaro, e ftuar nga homologu i saj, ministri kinez i Kulturës, Luo Shugang.

Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Iniciativës për Kulturën, ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kina, në nëntor të vitit të kaluar në Sofje, dy ministrat ndërtuan marrëdhënie më të ngushta dypalëshe, duke intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor, që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor midis dy vendeve në qershor 2015 në Tiranë.

Në këtë kornizë janë zhvilluar rreth 6 forume të përbashkëta në fusha të ndryshme të menaxhimit të artit, të letërsisë, të arteve pamore, të teatrit dhe të botimit reciprok të letërsive të të dy vendeve.

Takimi i 19 shtatorit 2016 konfirmoi këtë bashkëpunim dhe ritmin e tij duke theksuar një projekt shumë të rëndësishëm për skenën shqiptare: angazhimin e qeverisë kineze për mbështetje financiare në realizimin e projektit të rindërtimit të TKOBAP.

Gjithashtu, ministri Shugang siguroi ministren Kumbaro për mbështetje financiare për të pajisur me mjete të reja laboratorin e restaurimit të IMK-së dhe mjediset e punës së Këshillave Kombëtare të Restaurimit dhe të Arkeologjisë.

Në takimin dypalësh, ministrat diskutuan edhe për projekt-marrëveshjen për hapjen e qendrës kulturore kineze në Tiranë dhe anasjelltas, si një instrument për shkëmbime afatgjata në fushën e kulturës.

Gjatë vizitës së saj në Kinë, ministrja Kumbaro ishte e ftuar edhe për të marrë pjesë në edicionin e parë të ekspos ndërkombëtare “Rruga e mëndafshit” që organizohej në Dunhuang nga qeveria kineze, si një platformë e re gjigante për shkëmbimin e kulturave dhe të prodhimeve të artit dhe kulturës në një botë që gjithmonë e më shumë ka nevojë për dialogun ndërkulturor, si një instrument i fuqishëm kundër terrorizmit dhe si një rrugë e sigurt për zhvillim të qëndrueshëm. Atje ministrja Kumbaro u prit edhe nga zëvendëskryeministrja e Kinës, zonja Liu Yandong.

 Ministria e Kulturës shkruan se Kumbaro foli në forumin e ministrave të kulturës dhe të autoriteteve të larta të organizatave ndërkombëtare në emër të qeverisë shqiptare, duke iu bashkuar iniciativës kulturore “Rruga e mëndafshit” si një  platformë e rëndësishme e shkëmbimit kulturor ndërkombëtar./Blitz.al/

Komento
Shperndaje