Blitz

 Breaking News

Rutina e përditshme mbyt pasionin dhe ti ndihesh si në kafaz: Duhet të ringjallësh erosin!

Rutina e përditshme mbyt pasionin dhe ti ndihesh si në kafaz: Duhet të ringjallësh erosin!
February 03
14:50 2020

‘Ringjallja e eroist’ është një libër me autorsi të shkrimtares Esther Perel dhe përkthim të Erdi Ibro. Ky libër është i zhanrit udhëzues, duke sjellë për lexuesit detaje nga marrëdhënia e njerëzve dhe problemet që ata hasin përgjatë gjithë kohës.

Libri merr në shqyrtim çështje të vështira, duke u përballur me pengesat dhe ankthet që lindin kur kërkimi i çdo individi për një dashuri të sigurt gjendet në konflikt me kërkimin e pasionit. Gjatë punës së saj thuajse 35-vjeçare si terapiste çiftesh, Perel-i ka trajtuar qindra çifte, të cilave u ka humbur flaka e pasionit.

Esther Perel është një prej psikoterapisteve dhe autorëve më të shitur të New York Times-it. Sot për sot, ajo është një prej zërave më të thellë dhe më origjinalë në trajtimin e marrëdhënieve në çift. Ajo flet rrjedhshëm nëntë gjuhë, drejton një studio terapeutike në Nju Jork, si dhe është këshilluese organizative për qindra kompani në botë. Ka marrë pjesë në dy biseda të Ted Talks dhe fjalimet e saj janë ndjekur nga më shumë se 30 milionë shikues. Dy librat e saj “As të parët, as të fundit” dhe “Ringjallja e erosit” (të dy sjellë në gjuhën shqipe nga Botime Pegi) janë përkthyer në më shume se 30 gjuhë.

Në këtë libër thellësisht origjinal, Perel-i shpjegon që prirjet tona kulturore për barazi, solidaritet dhe dëlirësi absolute janë krejt në antitezë me dëshirën erotike që kanë të dyja palët, si burrat, si gratë.

Nga njëra anë, libri tregon se përse rutina e përditshme e mbyt pasionin dhe i bën çiftet të ndihen si në kafaz, nga ana tjetër, me vizionin e saj, Esther Pereli, synon t’i çlirojë, t’i joshë e t’i provokojë ato. I cilësuar si një libër i jashtëzakonshëm, ku shkrihen maturia, humori, thjeshtësia; libër që hedh dritë mbi një mori ndjesish, të cilat do ta shndërrojnë mënyrën se si jetojmë dhe dashurojmë.

Kritikat e kanë cilësuar ‘Ringjalljen e erosit’ si një libër, i cili i kundërvihet haptas njërit prej institucioneve më të nderuara të të gjitha kohërave të historisë njerëzore: martesës pa seks. Po ashtu disa të tjerë janë shprehur se autorja e librit, Pereli i vendos vulën fantazisë, lojës dhe u ofron çifteve të ditëve të sotme një përvojë të pasur dhe unike. Sipas ‘Publishers Weekly’ ky libër është një studim elegant sociologjik, i plotësuar me referenca të shumta letrare dhe antropologjike.

Share