Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rrëfimi i trishtë i një babai, libri i të cilit do t’ju prekë zemrat

November 13
14:11 2016

 

niko

Prej disa ditësh është duke u zhvilluar Panairi i Librit në kryeqytet dhe mes shumë titujsh të rinj që prezantohen këtë vit në veçanti na ka tërhequr vëmendjen njëri, “Skenaristi i qiellit të uzurpuar” nga shtëpia botuese “Albas”. Bëhet fjalë për një libër të veçantë poetik, i shkruar nga dy emra të njohur të opinionit publik, Nikolin dhe Marsid Gurakuqi.  Babë e bir kanë rrëfyer shpirtin e tyre përmes poezisë përmbledhur në një libër, i cili të jep përshtypjen se është shkruar nga një njeri i vetëm. Para disa vitesh, Marsidi u nda nga jeta duke lënë një plagë të madhe dhe hidhërim të thellë për të dashurit e tij. Një kritik dhe filozof i ri shqiptar, që kishte çuditur mbarë stafin akademik italian me aftësinë dhe teoritë e tij mbi botën e sotme, u nda nga kjo botë në moshën 26-vjeçare. Megjithatë, ai kishte lënë pas gjithë krijimtarinë e tij letrare, të cilës sot i jep jetë i ati, një nga figurat më të rëndësishme e të njohura të artit, regjisor i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, Nikolin Gurakuqi. Duke e konsideruar si një vazhdimësi të jetës së të birit, Nikolini gjeti shpresën në shkrimet, idetë e fjalët e të birit, duke i botuar në një libër. Në një rrëfim për Blitz.al, Nikolini na ka treguar disa detaje rreth librit, që mban emrin e tij dhe të djalit, Marsid Gurakuqi.

“Ky është libri i tretë që botoj me poezi. Libri i parë është “Stinët e dhimbjes sime”, i dyti “Himni i shpirtit”, ndërsa ky i fundit “Skenaristi i qiellit të uzurpuar”, i përbashkët me djalin, me Marsidin. Ky libër ka dy autorë: Marsidi i ndarë nga kjo botë, babai i gjallë. Në këtë libër kam përfshirë poezi që im bir i ka shkruar për së gjalli. Janë poezi të shkruara në moshë shumë të re, rreth 15 apo 16 vjeç, por me një mendim jashtëzakonisht të thellë dhe tepër filozofik.  Unë kam vendosur që t’i botoj gjithë poezitë e tij, të gjithë krijimtarinë që ai ka lënë pas. Poezitë e tij janë filozofike dhe përmbajnë një revoltë, një kryengritje kundër shtypjes, shoqërisë, kundër një bote që keqadministrohet, kundër shtypjes së individit. Ka momente në poezi ku ai dialogon dhe akuzon edhe krijuesin pastaj. Ndërsa unë, në harkun e këtyre 5 viteve, kam shkruar këto tre libra, kam edhe dy botime të tjera që janë mbaruar paraprakisht.  Unë kam vazhduar ciklin e poezive filozofike të frymëzuara nga përditshmëria, me karakter social. Unë inspirohem gjithashtu edhe nga natyra. Gjithë sa shpjegova i ka vënë shumë mirë në dukje poetja dhe mikja ime, Rita Petro, e cila, në një shkrim analitik në promovimin e librit, ka shkruar një fjalë shumë domethënëse: “I biri profet, i ati ndjekës””,- ka rrëfyer regjisori i njohur.

Ne i kërkuam atij të na tregonte një poezi të të birit, të cilën e ka përfshirë në këtë libër:

“Shikomë gjatë fluturimit tim drejt humbëtimit qiellor, tani ndiej që kam çehren e demonëve të vijëzuar me format e saj sublime në fytyrën time. Engjëj nuk ka më, i kanë vrarë  një për një. Kjo dhomë është e prirur për të vrarë, nuk gjendet ajri  dhe mushkëritë e mia tërheqin veher i lagësht ky dhe që bren…”, – kjo është vetëm një pjesë, por ta lexosh të gjithën të rrëqethet mishi.

Apo një tjetër:

E mira dhe e keqja,
E bardha dhe e zeza,
Lumturia nuk ekziston,
Luftojmë për të mos luftuar…
Luajmë me instinktin e nënshtrimit.

“Rita ka bërë një analizë të bukur ku thotë: “Duket se mendimin poetik të filluar nga i biri e vazhdon babai. Është e habitshme kjo se ka sinkroni të mrekullueshme metaforash, që krijojnë tablonë mbi meditimin e jetës dhe të vdekjes nga i riu me mençurinë e intuitës dhe nga njeriu i sprovuar me jetën me dhimbjet e gëzimet e saj, me rrëzimet dhe ecjen në majë. Duket sikur libri është shkruar nga një dorë. Ka një bashkim të përsosur, gati-gati organik, ku damarët e prerë të jetës në pjesën e parë të librit puqen në mënyrë perfekte me damarët e jetës që vazhdon… dhe gjaku rrjedh natyrshëm për të krijuar fjalët për poezinë dhe tingujt për simfoninë e jetës”. Jo se ishte djali im, por Marsidi ishte i  veçantë, shumë i talentuar. Ishte vetëm 15 vjeç, por shkruante dhe mendonte sikur të ishte shumë më shumë. Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si e ka pritur publiku këtë libër. Unë do të vazhdoj të shkruaj dhe do ta botoj gjithë krijimtarinë e tim biri”.

Pas këtij rrëfimi, po e mbyllim këtë shkrim me fjalët e analizës së shkrimtares Petro:

“Në këtë rast ka një raport të kundërt të trashëgimisë…. trashëgimia natyrore (ku fëmija bëhet vazhdues i gjakut të familjes) zëvendësohet me trashëgiminë shpirtërore e kulturore (ku babai, bartës i asaj çka ka lënë i biri).
“Unë kurrë nuk do të të braktis, ti e di,
Mes gjelbërimesh me poezi dhe me këngë në gojë…”./Blitz.al/

nikolin

Komento
Shperndaje