Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reagon regjisorja Doresi: “Jul Deda s’më ofendoi mua, por 10.000 personat që ndoqën shfaqjen”

Reagon regjisorja Doresi: “Jul Deda s’më ofendoi mua, por 10.000 personat që ndoqën shfaqjen”
April 05
20:50 2016
Ka bërë mjaft zhurmë një shkrim që aktori Julian Deda ka publikuar ditën e djeshme, në të cilin i bënte kritikë me tone të ashpra shfaqjes “Zbutja e kryeneçes” të vënë në skenë pak javë më parë nga regjisorja Elma Doresi. Përveç shfaqjes, aktori kishte “sulmuar” edhe vetë regjisoren, duke e bërë shkrimin të dukej më shumë si një sulm personal sesa si një analizë të mirëfilltë të shfaqjes. Ndër të tjera ai thoshte se në Teatrin Kombëtar nuk kishte vend për regjisore si Doresi.
Në fakt, emri i Elma Doresit nuk është i ri për dashamirët e teatrit. Edhe pse bën pjesë në brezin e ri të regjisorëve, Elma jo vetëm ka vënë në skenë disa shfaqje që suksesin e kanë treguar duke i mbushur sallat plot, si “3 mendje në ankand”, “Karnavalet e Korçës”, “14 vjeç dhëndër”, por edhe ka fituar plot 20 çmime në evente të ndryshme teatrale jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Madje në vitin 2014, regjisorja na përfaqësoi në Vjenë me shfaqjen “Tre mendje në ankand”, ku kritika u shpreh: “Duke parë këtë shfaqje po lajmë gjynahet që nuk kemi afruar më parë teatrin shqiptar”.
Nëse suksesin e një shfaqjeje do ta masnim nga interesi që ajo ngjall në publik, atëherë pa dyshim do të thoshim që “Zbutja e kryeneçes” është një shfaqje e suksesshme. Shumë madje, duke qenë se 19 herët që u vu në skenë, “thithën” një publik që kapi shifrën e 10.000 personave. Dhe na besoni, këto shifra për teatrin në Shqipëri nuk janë edhe aq të shpeshta. Sukses e ka quajtur shfaqjen edhe Dr. i Shkencave Përparim Kabo, i cili në një shkrim të pak ditëve më parë ka thënë: “Unë kisha besuar që në krye të herës se regjisorja e re Elma Doresi do t’ia dilte. Kishte dhënë prova serioze në dy vënie komedish në Teatrin e Metropolit. Ajo erdhi me projektin shekspirian në bordin e Teatrit Kombëtar, ku si të gjithë regjisorët e tjerë paraqiti projekt-platformën e saj. Kishte dritë në mendje dhe në fjalë, kishte arsyetim dhe fantazi. Unë besova. E ndoshta ndryshe nga skepticizmi i dikujt, krejt i përligjur, duke parë moshën dhe faktin që skena e Teatrit Kombëtar është “tjetër fushë beteje”, fillimisht hezitoi. Unë menjëherë thashë po. Ndaj kur mbaroi shfaqja “Zbutja e kryeneçes” natën e premierës isha dy herë i gëzuar, i mbushur dhe i frymëzuar”.
E megjithatë, ai që bëri bujë ishte shkrimi i Julian Dedës, mbase për faktin që emri i tij është më i njohur në publik, por mbase edhe për faktin që mendimet negative janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen e publikut e për rrjedhojë bëjnë më shumë bujë.
Por ne nuk mund të mos merrnim një mendim nga vetë regjisorja Elma Doresi, në lidhje me shkrimin e Julian Dedës. Ashtu siç e prisnim, ajo u tregua mjaft e rezervuar, siç ka qenë gjithmonë deri sot. Duke na u përgjigjur me shumë mirësjellje se nuk donte të prononcohej fare në lidhje me këtë histori, sepse nuk ia vlen, ajo u mjaftua duke thënë se e vetmja gjë që ndjen t’i thotë publikut dhe lexuesve të Blitz është që me atë shkrim nuk është fyer aspak Elma vetë apo trupa e aktorëve, por janë fyer dhe është vënë në dyshim intelekti i 10.000 artdashësve, mes të cilëve edhe kritikë arti, personalitete nga fusha të ndryshme të jetës artistike, kulturore dhe asaj politike të vendit. “Unë do të vazhdoj punën time, atë që di të bëj më mirë. Fjalët boshe nuk janë pjesë e imja, ndaj nuk do t’u jap kurrë rëndësi”, – e ka mbyllur prononcimin regjisorja Doresi.
Komento
Etiketimet
Shperndaje