Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Promovimi i letërsisë vendase, hapet për herë të parë fondi për përkthimin e veprave shqipe në gjuhë të huaj

Promovimi i letërsisë vendase, hapet për herë të parë fondi për përkthimin e veprave shqipe në gjuhë të huaj
April 22
19:35 2016

Me qëllim promovimin e letërsisë shqipe, Ministria e Kulturës ka hapur për herë të parë fondin për përkthimin e veprave letrare shqipe në gjuhë të huaj. Kjo vjen në kuadër të nismave të ndërmarra për promovimin e letërsisë vendase, si hartimi i faqes në internet të veprave të letërsisë shqipe bashkëkohore në gjuhën angleze, hartimi i katalogut të autorëve shqiptarë në gjuhën angleze, mbështetja e procesit krijues të autorëve shqiptarë.

Fondi i Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme letërsisë shqipe bashkëkohore që tashmë kanë siguruar kontratën e botimit me shtëpitë botuese të huaja.

Ministria e Kulturës bëri të ditur në njoftimin e saj se afati i aplikimit është nga 23 prilli 2016 deri më 23 maj 2016.

Sa i takon kritereve të aplikimit, sqarohet se aplikimi duhet bërë nga botuesi i huaj, i cili është i pajisur me licencë botimi dhe se botuesi duhet të ketë siguruar të drejtat e autorit përpara aplikimit ose të jetë duke i përmbyllur sigurimin e këtyre të drejtave. Nevojitet paraqitja e kontratës së nënshkruar mes botuesit dhe përkthyesit dhe pas miratimit për mbështetje financiare të përkthimit, Ministria e Kulturës nënshkruan një kontratë dypalëshe me botuesin.

Theksohet se kufiri i financimit nga Ministria e Kulturës s’mund të jetë më shumë se 300,000 lekë.