Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Projekti i Kinemasë Shqiptare në AQSHF. Filmi bashkon Ballkanin Perëndimor në Tiranë

Projekti i Kinemasë Shqiptare në AQSHF. Filmi bashkon Ballkanin Perëndimor në Tiranë
October 18
18:27 2016

Në  17 tetor 2016 në AQSHF nisën sesionet e punëtorive “Arkivat në lëvizje” – AIM Workshops, me pjesëmarrjen e ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, srejtoreshës së ACP-së, Regina Longo, drejtoreshës së AQSHF-së, Elvira Diamanti, kryetarit të QKK-së, Ilir Butka, rektorit të AFM Marubi, Kujtim Çashku dhe të gjithë ekspertëve të ACP-së dhe pjesëmarrësve të AIM-së.

Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) do të zhvillojë punëtori rajonale trajnimi në Ballkanin Perëndimor për profesionistët e arkivave audiovizive. Këta arkivistë punojnë përtej mundësive për të ruajtur një trashëgimi të rrezikuar audiovizive e që ka pasur shumë pak mundësi të shihet përtej kufijve të rajonit

ACP po bashkëpunon me Federatën Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF), muzeun “George Eastman” (GEM), AV Geeks, Arkivin e Medias në San Francisco (SFMA), Bibliotekën e Kongresit Amerikan (LOC) dhe Ministrinë e Kulturës Shqiptare për të nisur Punëtoritë Arkivat në Lëvizje (AIM Workshops).

Punëtoritë praktike të tipit laborator për profesionistët e arkivave do të drejtohen nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë profesionistë të arkivave audiovizive, të cilët do të dhurojnë kohën dhe ekspertizën e tyre, sepse për ta është e rëndësishme të punojnë me arkivat në rrezik dhe t’i aftësojnë arkivistët në procesin e ruajtjes së koleksioneve audiovizive. Qëllimi i AIM është të aftësojë pjesëmarrësit në mënyrë që ata të maksimizojnë burimet që kanë në dispozicion, të punojnë me buxhete të kufizuara dhe numër të paktë punonjësish dhe në të njëjtën kohë të tregojë se si një nismë e vogël e tipit “bëje vetë” shkon shumë përtej kur kombinohet me ekspertizën dhe njohuritë bazë të punonjësve të arkivave.

Sesioni i parë intensiv 2 -javor për prezervimin e koleksioneve audiovizive do të mbahet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) në Tiranë, nga 17-28 tetor 2016./Blitz.al/

Shperndaje