Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Presidenti dekoron Ismail Kadarenë me “Dekoratën e flamurit kombëtar”

Presidenti dekoron Ismail Kadarenë me “Dekoratën e  flamurit kombëtar”
May 13
17:47 2016

 

Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar sot shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare, me titullin e lartë “Dekorata e flamurit kombëtar”.

Ai e ka quajtur figurën e shkrimtarit një personalitet jo vetëm me rëndësi për trashëgiminë kulturore, por edhe me vlera për kulturën botërore.

“Unë jam njëri prej lexuesve të Kadaresë. I çdo gjëje që ai ka shkruar. Jam një qytetar që ka jetuar diktaturën dhe lirinë, me veprat e tij si referencë. Mund të them se çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të jetë ai dhe vepra e tij. Në një sistem tiranik i papërngjashëm me të tjerë në dhunë dhe çmenduri, si komunizmi shqiptar, Kadare zhvilloi hapësirat e lirisë së mendimit për të gjithë ne. Vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamat krijues. Ai në çdo rresht e kishte mundur banalitetin e së keqes. Kadare me intuitë shekspiriane dhe kurajë të pazakontë përkufizoi krimin, përgjakjen, dhe frikën, duke universalizuar situatat, duke bërë që veprat e tij të lexohen në shumë vende të botës”,- është shprehur Presidenti Nishani.

Sakaq Kadare ka marrë çmimin dhe u është drejtuar pjesëmarrësve plot emocion për këtë vlerësim.

“Ndihem i nderuar për çmimin e lartë që më akorduat sot në emër të shtetit e tuajin. Ndihem i nderuar për fjalët dhe vlerësimin e lartë që bëtë për mua. Është më rëndësi prania juaj këtu. Jam i prekur për këtë vlerësim, në një kohë kur në vendin tonë është një situatë e tillë. Është një vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ne letrarët jemi të lidhur me vlerësimin që i bëhet kulturës shqiptare. Do t’u thosha përkthyesve se juve mund t’ju harrojë gjithë bota, por ne shkrimtarët nuk do t’ju harrojmë kurrë. Ju jam mirënjohës”,- tha shkrimtari Ismail Kadare.

Komento