Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Për ju adhuruesit e “Mikesha gjeniale”, tashmë ka një tjetër histori për t’u lexuar. Ju prezantojmë “Mbiemri i ri”

Për ju adhuruesit e “Mikesha gjeniale”, tashmë ka një tjetër histori për t’u lexuar. Ju prezantojmë “Mbiemri i ri”
June 05
14:22 2017

Për të gjithë ju që pëlqyet aq shumë vitin e kaluar librin “Mikesha gjeniale” të shkrimtares të cilën e njohim me emrin e saj të artit si Elena Ferrante, tashmë do të mund të lexoni dhe vëllimin e dytë. Bëhet fjalë për librin “Mbiemri i ri”, vëllimi i dytë i sagës napolitane.

Një roman përpirës, i jashtëzakonshëm, pjesë e një sage epike, mbi absurditetin, kompleksitetin dhe bukurinë e qenies njerëzore.

“Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin jashtëzakonisht të suksesshëm “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e jetës së saj në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur e shoqëruar që në klasë të parë. Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e poshtëruar e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me personazhet plot jetë e vërtetësi. Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare. Në disa skena të hershme e tronditëse mësojmë se si Lina shndërrohet në zonjën Karraçi përmes dhunës e mashtrimit.

Fillimisht, Elena mendon se “statusi i bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata, sy e faqe zgavruara ose me vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura, gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që u kërkonin t’i merrnin hopa”. Ajo pyet veten: “Kur zinte fill vallë ai shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?” “Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo vetëm.

Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes. Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t’i kërkohen si flijim i ruajtjes së sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh, nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri sot, ka shitur rreth tre milionë kopje./Blitz.al/

Komento
Shperndaje