Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Pegi” dhe “Dudaj” ju sugjerojnë çfarë nuk duhet të humbisni në këtë panair!

“Pegi” dhe “Dudaj” ju sugjerojnë çfarë nuk duhet të humbisni në këtë panair!
November 15
16:02 2017

Panairi i Librit Tirana 2017 është çelur zyrtarisht sot në Pallatin e Kongreseve. Ky është Panairi i 20-të që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998.

Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore, që ka si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim në harkun kohor të një viti nëntor 2016-nëntor 2017. Por cilët janë disa nga librat që ju sugjerojmë të blini në ditët e panairit? Dy shtëpitë botuese më të njohura në Shqipëri, “Pegi” dhe “Dudaj” kanë treguar sugjerimet e tyre për të gjithë të apasionuarit pas librave./Blitz.al/

Sugjerimet e “Botime Pegi”

1-Posta

“Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukowski-t, Henri Çinaski. Rrëfimi nis kur Çinaski, alkolik, i zymtë por i zgjuar, fillon punë si zëvendëspostier pasi merr vesh “se po punësonin thuajse kë t’u dilte përpara, kështu që shkova dhe, pa e kuptuar, e gjeta veten me një çantë lëkure krahaqafë, duke u endur poshtë e lart sipas qejfit.” Ditët e tij mbushen pak nga pak nga grindjet me shefin dhe nga përleshjet me qentë e me epshin e grave të vetmuara. Netëve, ai dehet dhe merret me të dashurën gjithashtu të alkoolizuar. Puna e postierit mund të ishte puna e ëndrrave, por kjo ëndërr mohohet vrazhdësisht nga realiteti: ai e gjen veten thellësisht të zhgënjyer nga rutina e përditshme dhe nga rregulloret e ngurta të makinës burokratike. Çinaski do ta lërë punën për të provuar fatin e tij tjetërkund, vetëm për të zbuluar që për njerëz si ai, fati është shumë kokëfortë. Ai punon plot dymbëdhjetë vjet në Postë, i pështirosur nga ai institucion i madh që, në fund të fundit, është vetë jeta.

2-Zemra Vërtitëse

Në një fshat të humbur irlandez, menjëherë pas krizës së rëndë ekonomike, fillojnë të dalin në sipërfaqe tensione të rrezikshme. Lupa zmadhuese e Donal Ryan përqendrohet në tablonë e ngjarjeve që zhvillohen rreth falimentimit të një ndërmarrjeje ndërtimi; lidhje dashurie, tradhti, raporte familjare të shkatërruara, një vrasje dhe një rrëmbim gjejnë hapësirë po aq të natyrshme sa dhe veprimet e diktuara nga dashuria, nga shpirti i solidaritetit, nga dinjiteti dhe respekti. Përmes një kori me 21 zëra unikë, ku secili rreket të rrëfejë këndvështrimin e vet të së vërtetës, na shpaloset para syve një përrallë e vetme dhe origjinale. I ndjeshëm e tepër njerëzor, ky kor arrin të artikulojë fjalët dhe mendimet e
një brezi të tërë. Në të, gjithçka përshkruhet me një stil unik, të ashpër dhe të gjallë, ironik dhe gjithëpërfshirës.

3-“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës. Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma. “Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi. E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna
të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme, të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë.

4- Dhunë e Dhunti

Maksi dhe Toska janë dy vëllezër binjakë, të shpërngulur në Amerikë, në Lalaland, në kërkim të lumturisë dhe Tokës së Premtuar. Maksi, një shpirt artist, bohem e kokëkrisur, dhe Toska, i matur, akademik e filozof, përbëjnë dy anët e një peshore që kanë nevojë të domosdoshme për njëri-tjetrin për të ruajtur ekuilibrin. Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të hollë të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. Tesa, “e marra mish e thua e të vëllait”, do të trondisë marrëdhënien e tyre, duke i larguar, por edhe duke i ngërthyer keqaz me njëri-tjetrin. “Vala” e fatalitetit do t’i rrëmbejë në vorbullën e vet të tria qeniet, sidomos pas një aksidenti tragjik që do të pësojë Maksi, duke i mbajtur pezull mes “dhunës e dhuntisë”.

Sugjerimet e “Botime Dudaj”

1-Rregulli i ekuilibrit

 Gianrico Carofiglio dhe libri i tij Rregulli i ekuilibrit. Autori erdhi dhe e promovoi vetë në Shqipëri në ca ditë të trazuara. Flet për një gjykatës të korruptuar, dhe personazh interesant që punon si avokat. Guido Guerrieri me dilemat e një njeriu që nga një anë duhet të mendojë si njeri, si qytetar dhe nga ana tjetër duhet të bëjë punën e vet. Po sa ndërgjegjja do ta lejojë t’i shkojë deri në fund mbrojtjes së një njeriu që duhet të bëjë drejtësi. Një libër shumë i bukur që të bën të mendosh thellë.

 

2-Vdekje si boja

Cornelia Funke shkrimtarja e dashur gjermane për fëmijë e të rinj përmbyll trilogjinë e ngjyrosur me Vdekje si bojae cila vjen pas të mirënjohurave vepra Zemër si boja e Gjak si boja. Mezi e kishin pritur ata që i kishin lexuar, por mund të jetë një fillim i ri i bukur për ata që s’e kanë lexuar. Janë konsideruar si librat më të bukur për t’u lexuar nga fëmijët tuaj, një udhëtim i mahnitshëm në botën e fantazisë e të librave, ku e mira përplaset me të keqen, ku bota përvijohet me të gjitha ngjyrat e saj.    

3-Mashtruesi

Dhe spanjolli i famshëm Javier Cercas vjen me një roman-jo roman i titulluar MashtruesiTrajton një temë aq shumë edhe tonën. Një nga ata libra që flasin për tema të vërteta, dhe që s’ka nevojë të zbukurosh apo të shtosh në fiksion, pasi realiteti e tejkalon fantazinë. Një njeri i quajtur  Enrike Marko ka manipuluar krejt të shkuarën e tij duke e quajtur veten një të mbijetuar të Holokaustit. Por këtë gjë e ka bërë kaq mirë, sa perfekte aq edhe naive, duke arritur të bëhet edhe kryetar i shoqatës të të mbijetuarve. Autori futet aq dhimbshëm brenda lëkurës së këtij njeriu të paskrupullt, duke e zbuluar pak nga pak se si është e mundur të ndodhë kjo gjë, se çfarë ndodh brenda një njeriu mashtrues, deri ku ai gënjen në të vërtetë dhe deri ku i beson gënjeshtrat e veta. Po më e bukura, le të dalim te historia jonë: sa kemi dëgjuar në historinë tonë të paskomunizmit raste xhelatësh që kanë marrë rolin e viktimave. E pra ky libër ta mëson që histori të tilla janë universale.

4-Djem Jete

Pier Paolo Pasolini me dy romanet e tij Djem Jete dhe Një jetë e dhunshme na shpie mbrapsht në kohën e La dolce vita të Federico Fellini-t, ku ca djem harrakatë lagjesh të margjinalizuara e periferike të Romës së viteve 60-të kërkojnë të jetojnë një jetë të pamundur, Pasolini përshkruan me detajet e një mjeshtri të rrallë ndjenjat e pamundësisë, e varfërisë, dëshirave të paplotësuara, e një jete të dhunshme e cila shpesh përfundon në mënyrën më tragjike të mundshme. Por vlera e vërtetë e këtyre librave është se ata mund të lexohen në një paralel të hatashëm edhe në realitetin tonë.

5-Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisë

Barrington Moore me kryeveprën e tij Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisëi mbiquajtuar nga shumë lexues, profesorë dhe studiues të shkencave politike dhe historike si libri më i rëndësishëm që do të hedhë bazat e formimit tënd. Ky libër analizon dhe iu jep përgjigje pyetjeve të tilla si: përse disa vende ecën dhe u zhvilluan drejt demokracisë dhe përse disa të tjera drejt totalitarizmit dhe diktaturave. Ku i ka bazat varfëria dhe zhvillimi. Një manual i përkryer që duhet lexuar me laps në dorë.

Shperndaje