Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nis “Tirana International Film Festival”, 160 filma në konkurrim

Nis “Tirana International Film Festival”, 160 filma në konkurrim
November 03
13:27 2016

Edicioni i 14-të i “Tirana International Film Festival” do të nisë mbrëmjen e sotme me premierën e filmit “Home Sweet Home” me regji nga Faton Bajraktari.

Drejtuesit e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë kanë publikuar filmat shqiptarë që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në edicionin e këtij viti.

Sipas përzgjedhjes, këtë vit në këtë kategori do të garojnë 23 filma të regjisorëve shqiptarë. Nga Shqipëria janë përzgjedhur në konkurrencë zyrtare 11 filma, nga Kosova 10, ndërsa regjisorët shqiptarë nga Maqedonia prezantohen me 2 filma.

Prej kësaj konkurrence mjaft të lartë  janë përzgjedhur për të marrë pjesë 225 filma. Prej tyre, 160 filma do të jenë në konkurrim në kategoritë: “Feature Film Competition”, “Short Film Competition”, “In Albanian Film Competition”, “Student Film Competition”, “Video Art”, ndërsa 60 filma të tjerë të shkurtër e të gjatë do të shfaqen në kuadër të dy programeve speciale “Fokus”dedikuar kineastit të njohur Abbas Kiarostami, që u nda nga jeta vetëm tre muaj më parë. Programi tjetër special “Panorama” do t’i kushtohet mjeshtrit të madh italian, Ettore Scola.

Të gjithë filmat që do të shfaqen në TIFF 2016 janë premiera kombëtare e disa prej tyre edhe premiera rajonale, europiane e botërore.

Sipas Ministrisë së Kulturës, sivjet, për herë të parë, do të organizohet në Tiranë TIFF Forum në bashkëpunim me Torino Film Lab, një aktivitet rajonal për të nxitur prodhimin kinematografik në Shqipëri dhe bashkëprodhimet në rajon. Janë përzgjedhur 8 projekte filmike nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi që do t’i nënshtrohen ekspertizës së doktorëve të njohur në Europë që ka sugjeruar Torino Film Lab dhe distributorëve të pranishëm, që do të bëjnë të mundur realizimin me sukses të këtyre projekteve rajonale.

Shtatë juri ndërkombëtare të përbëra nga regjisorë, skenaristë, producentë, distributorë, kritikë filmi, gazetarë, midis tyre edhe Visar Morina, Jamie Donoghue, Naser Shatrolli, do të vlerësojnë 160 filma në konkurrim për çmimet./Blitz.al/

Komento
Shperndaje