Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nën regjinë e Timo Fllokos, “1 dhe 1 bëjnë 3” në Teatrin Eksperimental

Nën regjinë e Timo Fllokos, “1 dhe 1 bëjnë 3” në Teatrin Eksperimental
November 17
14:54 2016

Në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të shfaqet këtë fundjavë premiera e komedisë “1 dhe 1 bëjnë 3”. Komedia brilante nga Ray Cooney do të vijë nën regjinë e aktorit të njohur Timo Flloko. Në role interpretojnë aktorët Kristian Koroveshi, Krist Lleshi, Alesia Xhemalaj, Ersiljano Xhelollari, Ermir Jonka, Igli Zarka dhe Vlera Pylla. “1 dhe 1 bëjnë 3” është një komedi farse e shpejtë, mjaft qesharake, britanike.

Më herët kjo vepër është sjellë me titullin “Një burrë me dy gra” me aktorët Xhevahir Zeneli, Pranvera Veizi, Vasillaq Vangjeli, Mariana Kondi, Mehdi Malkaj dhe Agim Bajko. Komedia brilante trajton historinë e Xhon Smith, një shoferi taksie me një sekret të madh. Xhon ka një grua të dashur me emrin Meri në një banesë në Uimbëlldon dhe një tjetër grua të dashur me emrin Barbara, që jeton në një banesë tjetër, vetëm katër minuta larg. Kur ai heroikisht përpiqet të shpëtojë një grua të vjetër nga dy grabitës rruge, goditet nga kuleta e plakës dhe merr vëmendjen jo vetëm të spitalit, por edhe të policisë. Kur dy detektivë të ndryshëm fillojnë dhe i parashtrojnë shumë pyetje, Xhoni duhet të nxitojë sa këtej e andej mes dy grave të tij, duke u përpjekur të zgjidhë rrëmujën martesore që ai vetë ka bërë. Gjërat përkeqësohen edhe më shumë kur miku i tij i papunë, Stanlei, përpiqet ta ndihmojë në këtë mashtrim, por ai thjesht i çon situatat edhe në më komike, kur dedektivi i policisë beson se Xhoni dhe Stanlei janë homoseksualë. Komedia do të shfaqet për disa javë në skenën e Teatrit Eksperimental./Blitz.al/

Komento
Shperndaje